KABAREJA E VDEKJES! / Kush e lejoi ferrin në Koçan?

    Banorët e Koçanit duke ndezur qirinj në shenjë nderimi për 59 viktimat e tragjedisë në Koçan / Fotografia: Emir Hamzi

    Deri më tani janë gjithsej 34 të dyshuar për tragjedinë në Koçan ku humbën jetë së paku 59 persona, ndërsa u lënduan 197. Prokurori shtetëror, Ljupço Kocevski informoi se prokuroria e Koçanit ka propozuar masa për sigurimin e pranisë së tyre. Për të gjithë është kërkuar masa e paraburgimit. Ai tha se ndiqen penalisht ata që kanë lëshuar licencat, ata që nuk kanë ushtruar kontroll, pronari që e ka administruar kabarenë, një anëtar i bendit DNK, sigurimi që kanë bërë lëshime dhe kanë lejuar hyrjen e të miturve, si dhe futjen e piroteknikës.

    “Të gjithë të dyshuarit, secili nga pozicioni i tij, nga viti 2012 deri më 16.03.2025, së bashku nuk kanë vepruar në përputhje me rregulloret për masat mbrojtëse dhe kështu kanë shkaktuar rrezik për jetën dhe trupin e njerëzve, si dhe për pasurinë, në përmasa të papara. Lëshimet zinxhirore dhe veprimet e paligjshme të zyrtarëve kanë çuar në atë që gjatë përdorimit të mjeteve piroteknike, më 16.03.2025, gjatë performancës së DNK-së, të shpërthejë një zjarr, i cili ka shkaktuar vdekjen e 59 personave, mes tyre gjashtë fëmijë, si dhe lëndimin e 197 personave. Nëse sigurohen prova gjatë hetimit, do të përfshihen edhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, të cilët, ndonëse ishin të vetëdijshëm se me veprimet ose mosveprimet e tyre mund të ndodhte një pasojë e dëmshme, nuk ndërmorën asgjë.”, u shpreh kryeprokurori Ljupço Kocevski, ndërsa informoi se tre persona janë bashkëpronarë ose menaxherë të objektit.

    “Ekziston dyshimi se i dyshuari kryesor, nga 13.02.2024 deri më 13.02.2025, i ka dhënë një zyrtari të Ministrisë së Ekonomisë një shumë parash për të kryer një veprim që nuk duhej ta kryente – duke siguruar një licencë. Kundër punonjësit të Ministrisë së Ekonomisë është hapur procedurë për marrje ryshfeti. Një tjetër e dyshuar është pronare dhe menaxhere e një kompanie, e cila ka bërë një projekt që do të mundësonte funksionimin e kabareve, ndonëse e dinte se nuk kishte kushte për ta kthyer objektin në kabare. Ky projekt është përdorur vazhdimisht për të marrë licenca. Kur u kërkua ndryshimi i projektit, ajo, pa bërë kontrollet e nevojshme, e ka hartuar atë”, tha Kocevski.

    Nga Ministria e Ekonomisë janë të dyshuar një ish-ministër, një ish-sekretar shtetëror, një drejtor, një zyrtar dhe një bashkëpunëtor i ri, pasi nuk kanë vepruar sipas masave mbrojtëse, bëri të ditur Kocevski. Të dyshuar janë edhe një ish-drejtor i Inspektoratit të Tregut dhe inspektorë të tjerë.

    “Ndonëse ishin të detyruar të kryenin mbikëqyrje, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre. Në asnjë rast nuk kanë kontrolluar kompaninë për të verifikuar nëse kishte licencë të vlefshme dhe nëse plotësonte kushtet teknike minimale. Kështu, lejuan që kabareja të vazhdonte aktivitetin e saj”, shtoi Kocevski.

    Për tre kryetarë komunash nga viti 2012 deri në 2025, si dhe për ish-drejtorët e Drejtorisë së Zhvillimit të Sektorit, ai tha se kanë mundësuar që kabareja “Puls” të punojë në kundërshtim me Ligjin për veprimtarinë hotelierike.

    “Komuna ka pranuar pagesa nga kabareja,” shtoi Kocevski.

    Ai theksoi se të dyshuar janë edhe truprojat.

    “Lejuan hyrjen e 650 vizitorëve, mes tyre të paktën 31 fëmijë. Një person shiste bileta pa kontrolluar moshën e blerësve, duke mundësuar kështu praninë e të miturve në event. Anëtarët e sigurisë nuk e kanë ndaluar futjen e lëndëve eksplozive në objekt, ndonëse nuk kishin leje të detyrueshme për të përdorur piroteknikën dhe as vetë piroteknika nuk e lejonte atë,” tha Kocevski. Gjithashtu i dyshuar është edhe një anëtar i bendit DNK, i cili siç tha Kocevski ka qenë përgjegjës për mjetet.

    “Ekziston dyshimi se të dyshuarit rreth orës 2 të mëngjesit kanë aktivizuar mjetet piroteknike” shtoi Kocevski.

    Të dyshuar poashtu janë edhe shtatë zyrtarë policorë, të cilët kanë dhënë pëlqimin nga Ministria e Punëve të Brendshme, se objekti i plotëson kushtet për ushtrimin e veprimtarisë si kabare.

    PARABURGIM 30 DITOR PËR 13 PERSONA

    Ndërkohë, Gjykata Themelore në Koçan ka marrë vendim për caktimin e paraburgimit 30-ditor për 13 persona të përfshirë në rastin e zjarrit në diskotekën “Puls”, mes të cilëve edhe për ish-ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Deri tani, në Gjykatën Themelore në Koçan nuk ka mbërritur asnjë kërkesë për tre ish-kryetarët e komunës së Koçanit të arrestuar dje, Nikollço Iliev dhe Ratko Dimitrovski, si dhe për kryetarin në dorëheqje, Ljupço Papazov. Prokuroria dhe policia mbrëmë zhvilluan një aksion për arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në zjarr, për të cilin Prokuroria Publike ka paralajmëruar se sot do të japë informacione. Gjyqtari i procedurës paraprake më herët caktoi “paraburgim të shkurtër” prej 48 orësh edhe për ish-drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski. Me veprimet hetimore, deri para arrestimit të tre ish-kryetarëve të komunës, ishin përfshirë gjithsej 28 persona. Tashmë është hapur një hetim dhe është caktuar paraburgim 30-ditor për shtatë zyrtarë të punësuar në SPB Shtip dhe Stacionin Policor të Operacioneve në Koçan, të cilët dyshohen se si bashkëkryerës të veprës, duke përgatitur, nënshkruar dhe miratuar pëlqim pozitiv, i kanë mundësuar një subjekti juridik të marrë licencë për të ushtruar veprimtari hoteliere – kabare, ndonëse objekti nuk i plotësonte kushtet ligjore për funksionim.

    Ndaj caktimit të masës së paraburgimit për ish-ministrin e ekonomisë Kreshnik Bekteshi ka reaguar bashkëshortja e tij e cila këtë veprim e sheh si revanshizëm politik, ndërsa thekson se nëpërmjet arrestimit të bashkëshortit të saj po tentohet të fshihen fajtorët e vërtetë.

    “Nje gjë të jeni të bindur se populli nuk mund të defokusohet nga fajtorët e vërtetë, licenca e fundit që Kreshniku ka dhënë është e vitit 2021 objekti ka funksionuar me licencë nga v .2012. Për të ardhur te pëlqimi nga Ministria e Ekonomisë duhet fillimisht pëlqim nga Komuna e Koçanit, Ministria e Transportit, Ministria e Punëve të Brendshme, Inspektorati i Tregut, dhe në fund vjen Ministria e Ekonomisë. Titujt e mediave se arrestohet ish ministri ishin defokusim nga fajtorët e vërtetë”, theksoi bashkëshortja e Kreshnikut, Yllka Kaba Bekteshi.

    Sipas saj, paraburgimi i Bekteshit është caktuar me masa “Vepër të rëndë për sigurinë e përgjithshme”, e cila sipas saj nuk ka bazë ligjore.

    “Kreshniku nuk ka qenë as shkaktar i zjarrit po as ushtrues detyre në kohën që ndodhi tragjedia”, theksoi Kaba-Bekteshi.

    TARAVARI: DHJETË PACIENTË JANË LËSHUAR NË SHTËPI

    Gjithsej 162 persona të lënduar nga zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan po trajtohen brenda dhe jashtë vendit, ndërsa lajmi i mirë është se sot dhjetë pacientë që po trajtohen në vend do të lirohen për në shtëpi, informoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në konferencën e sotme për shtyp.

    “Në Klinikën Universitare ndodhen 25 pacientë, në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” ka 12 pacientë, në Spitalin e Qytetit janë 11 dhe në Shtip një pacient. Janë liruar një pacient nga Shtipi, një nga Kirurgjia Pediatrike dhe tre nga Torakalja. Në spitalet private, Sistina dhe Zhan Mitrev, po trajtohen gjithsej nëntë pacientë, nga të cilët pesë do të dalin”, deklaroi ministri i shëndetësisë. Jashtë vendit, siç informoi Taravari, po trajtohen 115 persona, nga të cilët në Serbi 30, në Bullgari 15, Greqi 12, Turqi 12, Spanjë 7, Austri 5, Hungari 6, Kroaci 5, Slloveni 4, Lituani 4, Belgjikë 4, Itali 4, Suedi 4 dhe Poloni 2.

    Sipas Taravarit, pacientët që trajtohen jashtë vendit janë në gjendje relativisht të qëndrueshme, ndërsa informoi se më nuk do të dërgohen pacientë jashtë vendit, për shkak se gjendja e të lënduarve që po mjekohen në vend është stabile. Për disa nga pacientët që po trajtohen jashtë vendit tashmë është hapur çështja e kthimit të tyre në shtëpi. Vetëm një pacient që po trajtohet në Turqi është në gjendje shumë serioze. “Sfida tjetër me të cilën do të përballemi janë infeksionet. Do të jemi shumë të kujdesshëm për të parandaluar maksimalisht komplikimet. Gjithashtu, kemi njoftime nga disa shtete ku pacientët janë në gjendje të mirë dhe nga java e ardhshme do të përgatisim një protokoll për t’i kthyer ata në shtëpi”, shtoi Taravari.

    Në lidhje me analizat toksikologjike, ai shtoi se ato janë përfunduar dhe gjatë ditës do të publikohen. Në përgjithësi, siç informoi Taravari, të gjithë pacientët plotësojnë kushtet dhe mund të lirohen lirisht për në shtëpi. Sa i përket trajtimit të pacientëve jashtë vendit dhe nëse ai është falas, pasi disa familje po mbledhin para për trajtimin e tyre përmes rrjeteve sociale, Taravari tha se në 99 për qind të spitaleve trajtimi është falas dhe nuk ka nevojë për mbledhje fondesh.

    “Si qeveri kemi siguruar që dy prindër ose anëtarë të familjes të mund të udhëtojnë dhe të kthehen, përfshirë edhe akomodimin në të gjitha shtetet. Nuk ka nevojë për spekulime dhe dezinformata. Kjo është bërë e ditur para disa ditësh. Në përgjithësi, trajtimi në të gjitha spitalet është falas”, deklaroi ministri. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Djerësitja shfaros rezervat e kaliumit, magnezit dhe glukozës

    Lajmi i rradhës

    Zëre se s’kemi qenë kurrë këtu

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë