Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadrija në TV21, tha se biznesmenët që shesin banesa, po i rrisin çmimet edhe për shkak të numrit të madh të mërgimtarëve, të cilët për dallim prej popullatës vendase, kanë të ardhura më të mëdha. Kadrija thotë se qytetarët vendas në pamundësi për të blerë banesë ose për të paguar qira, detyrohen të emigrojnë, përcjell Nistori.
“Tentojnë ta mbajnë këtë çmim të lartë jo për klientelën vendore, por po tentojnë që ta mbajnë një çmim të lartë për diasporën, sepse sidomos Kosova njihet për diasporë të fuqishme në perendim dhe në fakt po tentojnë ta mbajnë atë çmimin që për bashkëatdhetarët vlerësoj dhe më se deri më tani ata mund t’i blejnë dhe i përballojnë, është një çmim në fakt i përballueshëm”, tha Kadrija.
Bizneset e ndërtimit spekulojnë me lajmet për rritje të çmimit të shufrave apo tullave, tentojnë që të rrisin çmimet e banesave, kjo detyron qytetarët që të largohen nga shteti
Kadrija tha se kompanitë e ndërtimit dhe patundshmërive spekulojnë me lajmet për rritjen e çmimit të materialit ndërtimor, me qëllim që të rrisin çmimet e banesave. Kadrija thotë se kjo dëmton qytetarin, i cili në pamundësi për të blerë banesë ose për të paguar qira, vendos që të largohet nga vendi.
“Bizneset gjithmonë spekulojnë me atë që në momentin që dëgjohet diku një lajm që ka rritje të shufrës apo të tullave, menjëherë tentojnë që të rrisin çmimet, me qëllim që në fakt të dalin sa më mirë në fitime, por kjo çfarë bën, e ngulfat jetën e qytetarit, qytetari me kalimin e kohës, në momentin që nuk ak të hyra të mjaftueshme që ta blejë një banesë ose ta paguajë një qira, ai orientohet në fakt në largimin nga vendi”, theksoi Kadrija.
“Ose do të bien çmimet, ose biznesi i ndërtimit do të ngulfatet”
Profesori thotë se çmimet nuk janë në proporcion me të hyrat, ndërsa sipas tij për shkak se kërkesa nuk është edhe aq e madhe siç paraqitet, thotë se çmimet ose do të bien ose do të ngulfatet biznesi i shitjes dhe ndërtimit të banesave. /Nistori/