18 Prilli shënoi Ditën Botërore e Monumenteve dhe Lokaliteteve e njohur edhe si Dita Botërore e Trashëgimisë Kulturore. Kjo ditë i kushtohet ndërgjegjësimit të publikut për rëndësinë e trashëgimisë kulturore, ruajtjen dhe menaxhimin e saj të qëndrueshëm. Nuk është vetëm një festë e historisë, por edhe një përkujtim se trashëgimia kulturore është një lidhje e gjallë midis së kaluarës, së tashmes dhe të ardhmes, shkruan Racin.mk
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut trashëgimia kulturore njihet si vlerë shoqërore themelore. Neni 56 i Kushtetutës e përcakton detyrimin e shtetit për t’i mbrojtur objektet dhe strukturat me rëndësi të veçantë kulturore dhe historike si gjësende me interes të përgjithshëm. Ata gëzojnë mbrojtje të veçantë dhe nuk duhet të trajtohen si pronë ose burim i zakonshëm. Mbrojtja e trashëgimisë kulturore është me interes publik dhe detyrim i të gjitha niveleve të qeverisjes, institucioneve dhe vetë qytetarëve.
Ligji për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore i definon edhe obligimet lidhur me trashëgiminë e tundshme dhe të patundshme – duke filluar nga çështjet lidhur me pronësinë e deri te kriteret për mbrojtje dhe mbikëqyrje. Trashëgimia kulturore mund të jetë pronë shtetërore, komunale ose private, por pavarësisht nga forma e pronësisë ajo duhet të ruhet dhe të përdoret në përputhje me interesin publik.
Krahas kësaj Kodi Penal i Republikës së Maqedonisë përmban një kapitull të tërë kushtuar krimeve kundër trashëgimisë kulturore. Ligji sanksionon qartë shkatërrimin, përvetësimin, uzurpimin, eksportin e paligjshëm ose tregtimin e pasurisë kulturore. Në teori korniza ligjore për këtë çështje ligjore është solide. Por pyetja është se sa mirë funksionon në terren?
Kalaja e Shkupit, një dëshmi që po fundoset në harresë
Një shembull ilustrativ i neglizhencës institucionale është Kalaja e Shkupit. Një roje shekullore e qytetit, një simbol i vazhdimësisë historike dhe diversitetit kulturor të Shkupit. Ky lokalitet është i mbrojtur me ligj që nga viti 1952 dhe ka fituar mbrojtje shtesë ligjore në vitin 1969. Ky monument arkeologjik dëshmon për praninë e njeriut nga neoliti deri në periudhën e vonë osmane.
Në dekadën e fundit për kërkime arkeologjike në Kalanë e Shkupit janë shpenzuar mbi 5 milionë euro. Është eksploruar një sipërfaqe prej 18 mijë metrash katrorë dhe janë zbuluar më shumë se 13 mijë gjësende arkeologjike – qeramikë, bizhuteri, vegla, armë. Por pavarësisht gjithë kësaj, sot kalaja është e mbyllur për publikun.
Pas përfundimit të gërmimeve në vitin 2016 aktivitetet në terren pothuajse u ndërprenë plotësisht. Lokaliteti mbeti i mbyllur, me përjashtim të rreth 300 metra shteg.
Infrastruktura është lënë pas dore – nuk ka tabela me informacion, stola apo kosha për plehra. Shtigjet janë pjesërisht të dëmtuara, ndërsa ndërtesat e muzeut janë mbyllur.
Muze pa vizitorë, gjësende të pa ndriçuara
Muzeu i parahistorisë, i cili zbret tre kate nën tokë sot është i mbuluar me bimë. Muzeu i dytë i kushtuar periudhës osmane nuk u hap asnjëherë edhe pse u përfundua. Objekti në formë kishe, e cila u bë shkak për tensione politike dhe etnike në vitin 2011, mbeti i papërfunduar. Për të janë shpenzuar rreth 1,7 milionë euro.
Artefaktet arkeologjike edhe krahas vlerës së tyre mbahen ende në magazina, pa kushte për ekspozim. Pa një status të zgjidhur për ambientet e muzeut ato mbeten larg syve të publikut – si thesar pa pronar.
Në vitin 2019 u organizua një konkurs ndërkombëtar për një zgjidhje arkitektonike dhe urbanistike për zonën përreth Kalasë. U dorëzuan 17 ide, por asnjë nga ato nuk është realizuar. Edhe krahas mbështetjes nga Bashkimi Evropian kjo iniciativë humbi në labirintin administrativ.
Qorsokak politik dhe institucional
Kalaja nuk vuan vetëm nga neglizhenca – por edhe nga politizimi. Në vitin 2020 aktivistë të rinj nga një parti politike përdorën lazer për të shkruar sloganin “Pse jo” në muret e saj, kështu që në vend të një hapësire për bashkëjetesë kulturore, Kalaja u bë një skenë për mesazhe politike ditore dhe ndarje etnike.
Në vitin 2024 u formua një grup pune për ta definuar statusin e Kalasë, por ende nuk ka asnjë rezultat. Pa një elaborat për rivalorizim nuk mund të miratohet plani urbanistik. Pa plan – nuk ka intervenime, nuk ka hapje, nuk përparim.
Edhe pse në dhjetor të vitit 2024 ministri i ri i kulturës dhe turizmit, Zoran Ljutkov, paralajmëroi hapjen e Kalasë deri në fillim të verës, sot jemi në muajin prill – ndërsa Kalaja është ende e mbyllur.
E kaluara nuk është ngarkesë, por burim
Kalaja e Shkupit nuk është vetëm një lokacion arkeologjik. Është një pikë simbolike nga e cila mund të shihet i gjithë Shkupi – dhe fasadat e tij nga projekti “Shkupi 2014” dhe antikitetet e tij. E përderisa kopjet e shtrenjta në stilin barok e marrin të gjithë vëmendjen, trashëgimia autentike kulturore pret në heshtje.
Nevojitet një strategji serioze, e përgjegjshme dhe afatgjatë për mbrojtjen, rivitalizimin dhe aksesueshmërinë e trashëgimisë kulturore. Jo deklarative, por reale. Sepse trashëgimia kulturore nuk është vetëm e kaluara – ajo është edhe një e ardhme që na mëson se kush jemi dhe pse ia vlen të qëndrojmë këtu.