Kanabis mjekësor pa leje? ‘Medical Supply’ në Gostivar vazhdon prodhimin pa i përmbushur kushtet

    Ministria e Shëndetësisë nuk e dorëzon licencën me të cilën kompania e kontestuar për prodhim të kanabisit për qëllime mjekësore, “Medical Supply” nga Gostivari, ka vazhduar punën edhe pse nuk i ka përmbushur kushtet. Edhe pse kemi kërkuar, nga Ministria përkatëse nuk na është dorëzuar dokumentacioni mbi bazën e të cilit kjo kompani ka vazhduar aktivitetin, edhe pse njëherë i ishte hequr licenca.

    Alsat tashmë kishte raportuar për këtë rast. Bëhet fjalë për kompaninë “Medical Supply” të regjistruar me adresë në Gostivar, për të cilën policia së fundmi ka dorëzuar kallëzim penal me dyshimin se nuk i ka respektuar protokollet për kultivimin e kanabisit. Sipas informatave të Alsat, kompania është regjistruar në shtator të vitit 2020 në emër të Arben Kurtit, shtetas i Shqipërisë dhe Amila Ramadanit, shtetase e Bosnjës dhe Hercegovinës me vendbanim në Mostar.

    Alsat ka arritur të sigurojë edhe marrëveshjen e lidhur mes Kurtit dhe Ramadanit, ndërsa kompania me adresë në Gostivar për herë të parë e ka marrë licencën e punës më 4 gusht 2021. Që atëherë, komisioni përgjegjës pranë Ministrisë së Shëndetësisë ka konstatuar se kompania nuk i plotëson kushtet dhe se licenca duhet t’i merret. Vendimi për këtë është marrë më 22 gusht 2023, ndërsa më 26 shtator të po të njëjtit vit, Qeveria ia ka marrë licencën. Megjithatë, kompania ka vazhduar përsëri me punë dhe dyshimet janë se gjatë vitit 2024 ajo ka marrë licencë të re. Më 10 prill të këtij viti, policia ka zbuluar parregullsi të lidhura pikërisht me këtë kompani, materiali i gjetur është sekuestruar, ndërsa të dyshuarit janë në arrati. Së bashku me Kurtin dhe Ramadanin, i dyshuar është edhe një shtetas i Sllovenisë me qëndrim të përkohshëm në Maqedoninë e Veriut.

    Jozyrtarisht, siç mësojmë, qeveria në periudhën e ardhshme do të nisë një aksion të fuqishëm me të cilin do të përfshihen të gjitha kompanitë që posedojnë licencë për prodhim të kanabisit, për të cilat ekzistojnë dyshime për keqpërdorime serioze.

    Që nga viti 2016 e këndej, përkatësisht nga legalizimi i prodhimit të vajit nga kanabisi mjekësor, janë dhënë leje për punë për rreth 70 kompani private, ndërsa sipas analizave të organeve hetuese, një pjesë e madhe e tyre deri më tani nuk i janë përmbajtur rregullave ligjore dhe kanë kryer keqpërdorime serioze.

    Lajmi Paraprak

    Pa paga në prill – përsëritet kriza në Ministrinë e Kulturës!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë