Kaos në hyrje të Ohrit: punimet në autostradë shkaktojnë kolona dhe aksidente në mes të sezonit turistik

    Nervozizëm dhe rrëmujë në fillim të sezonit turistik në Ohër. Për shkak të punimeve në aksin e ri të autostradës Kërçovë-Ohër, tashmë më shumë se një muaj, hyrja për në Ohër në Podmolje, nga ana e Strugës dhe Shkupit është e mbyllur, prandaj trafiku zhvillohet përmes rrugës së vjetër Ohër-Strugë, duke shkaktuar kolona të gjata. Për shkak të kësaj, nuk kalon ditë pa ndodhur ndonjë aksident trafiku. Qytetarët thonë se kjo nuk bëhet në mes të sezonit.

    “Tani u kujtuan ta bëjnë këtë rrugë, kurse së shpejti do të ketë zgjedhje. Patën njëqind vjet kohë, por nuk e bënë, ndërsa tani u ra ndër mend ta bëjnë”, tha një qytetar.

    „Kishin kohë deri më tani ta bënin. Ose pse kanë pritur kaq gjatë, të kishin pritur edhe pak sa të përfundonte sezoni, pastaj le ta bënin. Unë jam nga Vevçani dhe më duhet të bëj rreth për të shkuar në Strugë, sepse rruga më e shkurtër tani nuk është e kalueshme”, shtoi një tjetër.

    „Pa dyshim paraqet problem të madh, sepse nuk ka shenja për orientim. Disa herë ka makina që lëvizin në drejtimin e rrugës ku po punohet, pastaj kthehen prapa. Kjo është puna jonë, prej dekadash gjithmonë kështu bëhet gjatë sezonit, gjithmonë diçka ndërtohet dhe punohet, në vend që të bëhet gjatë dimrit“, u shpreh një tjetër qytetar.

    Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, thotë se kjo është mënyra e vetme për ta përfunduar punën.

    „Jam i vetëdijshëm që për disa njerëz ky është problem serioz, veçanërisht për ata që udhëtojnë shpesh në drejtimin Ohër-Strugë, por kjo është mënyra e vetme për ta përfunduar autostradën dhe është për të mirën dhe përfitimin e të gjithëve. E dini që para disa vitesh u mbyll rruga dhe nuk ndodhi asgjë, tani e mbyllim për ta përfunduar. Pres që brenda disa javëve të përfundojë puna dhe ju lutem për durim, e më pas do të kemi autostradë“, tha Aleksandar Nikolloski – ministër i transportit dhe lidhje.

    Në reagimin e LSDM-së thuhet: “Mirësevini në Ohër, të dashur mysafirë. Prisni disa orë për të hyrë. Ndoshta do të takoni rastësisht ndonjë punonjës të trafikut që rregullon qarkullimin, ose edhe më rastësisht mund të takoni kryetarin e komunës të shqetësuar për këtë pamje jo të këndshme para sezonit, ashtu si ishte i shqetësuar para 2 vjetësh kur ishin opozitë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Individi dhe “teorema” e pamundësisë sociale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë