Nga hulumtimi i Entit Shtetëror të Revizionit është konstatuar se nuk ekziston një bazë në të cilën mund të shihet se si realizohen investimet publike, projekte të cilat duhet të kishin përfunduar shumë kohë më parë por që në terren janë të ‘varur në ajër’, ndërsa ka edhe miliona euro nga Bashkimi Evropian që ishin në dispozicionin tonë por nuk i kemi shfrytëzuar, madje paguajmë gjoba për disa projekte të parealizuara.
“Nuk ekziston një bazë e vetme e të dhënave të projekteve nga e cila mund të shihen investimet publike dhe projektet strategjike që janë duke u realizuar, vlerat e tyre, dinamika e realizimit, mënyra e financimit, lloji i ndërtimit si dhe të dhëna dhe informacione të tjera që do të shërbenin për vlerësime dhe analiza për nevojat e shtetit”, thonë revizorët.
EShR shqyrtoi projekte të shumta infrastrukturore siç janë, projekti për impiantin për trajtimin e ujërave të zeza të qytetit të Shkupit, që është edhe investimi më i madh në sferën e mjedisit jetësor, për të cilin janë siguruar mjete në vlerë prej 196 milionë euro nga shteti, ndërsa nga fondet e BE-së janë ndarë 69.7 milionë euro. Edhe pse janë siguruar mjetet dhe përgatitja e këtij projekti ka filluar në vitin 2007, ai ende nuk është gati për realizimin fizik.
Revizorët gjithashtu kanë shqyrtuar kontratat e rishikuara dhe ka diçka për të parë atje. Nga 24 projektet e audituara që ‘peshonin’ 64.2 milionë euro, 19 janë firmosur për ndërtim dhe vetëm një ka përfunduar. Për pesë nuk është lidhur fare kontrata pune. Ndalesa është e një natyre tjetër, por për katër projekte tashmë janë ndërprerë kontratat dhe për tre prej tyre ka arbitrazh ndërkombëtar dhe pretendim për dëmshpërblim në shumën totale prej 45.4 milionë euro, për dy projekte ka paqartësi për shkak të afatit të kaluar të ndërtimit dhe nuk ka anekse të reja të kontratave ekzistuese të ndërtimit.
“Projektet për ndërtimin e Korridorit VII të infrastrukturës hekurudhore në lindje të fazës 1 dhe 2 kanë filluar në vitin 1996 dhe ende nuk kanë përfunduar. Vlera e këtyre projekteve është rritur dhe janë paguar komisione për mjetet e pa tërhequra në vlerë prej 4.6 milionë euro”, thuhet në raport. Për të njëjtin projekt për Fazën 3, planifikimi dhe përgatitja e projektit zgjat shumë dhe ekziston rreziku i lartë i humbjes së fondeve IPA në vlerë prej 60.7 milionë euro.
“Njëkohësisht, theksojmë se vlera e projektit është rritur nga ajo që ishte planifikuar fillimisht. Sipas marrëveshjes mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut është 340 milionë euro, ndërsa deri në ditën e revizionit vlera është rritur dhe llogaritet në 560 milion euro, që paraqet një rritje prej 220 milionë euro”, thonë nga atje.
Ata rikujtojnë se në kuadër të reformave në Ministrinë e Financave është themeluar Sektori për Menaxhimin e Investimeve Publike.
Sipas tyre, edhe pse janë të planifikuara, ende nuk janë krijuar njësi organizative për të mbështetur projektet infrastrukturore në zyrën e kryeministrit, dhe për monitorim në kabinetin e zëvendëskryeministrit, përgjegjëse për çështjet ekonomike, koordinimin e departamenteve ekonomike dhe investimet.
“Me revizion kemi mbuluar periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2023, ndërsa është mbuluar periudha para dhe pas përfundimit të revizionit, deri në ditën e përgatitjes së këtij raporti”, sqarojnë nga ESHR. /Koha/