“KATASTROFA EKOLOGJIKE” NË LUMIN SHKUMBIN NË TETOVË, NUK KA ZGJIDHJE (Video)

    Shtrati i Lumit “Shkumbin” në Tetovë, konkretisht pjesa nën urën Industriale te lagjja “Dardania” ka disa vite që është shndërruar në një katastrofë lokale ekologjike, problem ky që nuk po gjen zgjidhje. Shtrati është ngushtuar ka deponi ilegale dhe mbeturinat të shumta në lum. Deri më tani kemi dëgjuar shumë premtime nga autoritetet lokale por nuk kemi parë vepra. Komuna thotë se ka paraparë projekt për këtë vit, shkruan Portalb.mk.

    Kjo gjendje e lumit, shqetëson banorët e Lagjes “Dardania” dhe ngjall frikën tek ata në rast të përsëritjes së vërshimeve me intenzitetin e atyre të vitit 2015. Që atëherë, ata vazhdimisht kërkojnë zgjidhje, por kanë hasur në vesh të shurdhër.

    Komuna e Tetovës në krye me Bilall Kasamin, që nga nëntori i vitit 2021 e këndej, janë pyetur disa herë për këtë problem. Ata kanë dhënë deklarata shpresëdhënëse, por në terren nuk ka punime. Kështu duket sot ky vend.

    “Ka projekt themelor për rregullimin e shtratit të lumit Shkumbin prej te ura bul.V.S.Bato deri te autostrada Tetovë -Gostivar , të njëjtin projekt e kemi paraparë në programin e vitit 2023. Me këtë projekt komuna konkuron në disa institucione qeveritare dhe ndërkombëtare”, thanë nga Komuna e Tetovës.

    Më poshtë i transmetojmë dhe deklaratat e tjera të kryetarit dhe të Komunës për këtë problem.

    Deklarata tjetër ishte muajin korrik 2022, dhe Kasami tha se puna për zgjidhjen e këtij problemi është komplekse.

    “Është pak më komplekse puna. Aty duhet të zgjidhet bashkë me problemin e banorëve që janë një lagje apo një grup qytetarësh të cilët e kanë të parregulluar çështjen e banimit, ne jemi në komunikim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe me Ministrinë e Transportit që të urbanizojmë atë pjesë dhe në bashkëpunim me ministrinë e Transportit me Qeverinë të shohim mundësinë e ndërtimit të banesave sociale me çka do të rregullojmë edhe çështjen e shtratit të lumit edhe çështjen e banimit të atyre banorëve aty”, u shpreh Kasami në korrik 2022.

    Në mars 2022, Komuna e Tetovës deklaroi se rregullimi i shtratit është në plan për vitin 2022.

    “Në muajin maj të këtij viti do të bëhet edhe procedura e prokurimit publik. Sektori për ZHEL është në kontakt të vazhdueshëm me OJQ-të dhe kompani të arkitekturës, për përgatitjen e aplikacioneve për projekte të gatshme për infrastrukturë, për ujësjellës dhe kanalizime në fonde të brendshme dhe fonde të jashtme”, thanë nga Komuna e Tetovës në mars 2022.

    Deklaratë tjetër shpresëdhënëse Kasami dha edhe në dhjetor 2021, në debatin publik për buxhetin e Komunës për vitin 2022.

    “Jemi në kontakt me kompani të tilla që kanë projekte të mund të merremi vesh që ato ti kemi në dispozicion si komunë dhe përmes sektorit për zhvillim ekonomik lokal të aplikojmë në fonde edhe të brendshme edhe të jashtme që ato projekte të realizohen, por do mundohemi edhe nga buxheti i komunës të sigurojmë mjete”, tha Bilall Kasami në dhjetor 2021.

    Ndërkaq Kasami në nëntor 2021 deklaroi kështu:

    “Rregullimi i shtratit deri te rreth rrotullimi deri në fakt qarkorja që është jashtë Tetovës, prioritet do të jetë rregullimi i shtratit të lumit por është projekt më kapital. Aty do të duhet të përgatitet projekt, kam informata se një ndër shtëpitë e arkitekturës privat që janë ka projekt, do duhet t’i kontaktoj, të siguroj projektin, të shoh a është adekuat edhe të nis menjëherë procesin e sigurimit të mjeteve për realizimin e të njëjtit.”

    Problemi vazhdon të mbetet i pazgjidhur.

    Nga ana tjetër, Inspektorati ekologjik vazhdon të mbetet i padobishëm. Në aplikacionin  “E-report” qytetarët mund të raportojnë për sjelljet e pandërgjegjshme të personave fizik dhe juridik të cilët me veprimet e tyre ndotin ambientin jetësor, por në këtë aplikacion numri është jofunksional. Nga Komuna për këtë të fundit edhe pse kohë më pare u zotuan se do e rregullojnë, kjo nuk ka ndodhur deri tani.

    Ndryshe, numri i dënimeve të shqiptuara nga Inspektorati komunal për vitin 2022 nga fusha e mjedisit jetësor, sipas asaj që tha Komuna e Tetovës për Portalb, është pesë.

    Lajmi Paraprak

    Esmerov: VMRO-DPMNE ka problem të madh, Levica do t’ia marrë votat

    Lajmi i rradhës

    Zbardhimi profesional i dhëmbëve – A është i sigurtë dhe i shëndetshëm?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë