KE-ja i jep dritën jeshile Bullgarisë për euron

    Komisioni Evropian i ka dhënë dritën jeshile Bullgarisë për t’u anëtarësuar në eurozonë më 1 janar 2026, duke shënuar hapin e dytë të rëndësishëm të shtetit brenda një viti në rrugën drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.

    KE-ja, e cila u mblodh më 4 qershor për të marrë një vendim lidhur me këtë çështje, tha se Bullgaria i përmbush katër kriteret nominale të konvergjencës që përdoren për të vlerësuar nëse një vend është i gatshëm të adoptojë euron.

    “Euroja është një simbol i prekshëm i forcës dhe unitetit evropian”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

    Banka Qendrore Evropiane pritet po ashtu që të publikojë mendimin e saj më 4 qershor, dhe zyrtarët bullgarë kanë thënë se presin një vlerësim pozitiv edhe nga ky institucion.

    Këshilli i Bashkimit Evropian do të marrë vendimin përfundimtar për pranimin e Bullgarisë në eurozonë, duke u bazuar në opinionet e KE-së dhe Bankës Qendrore Evropiane, si dhe në diskutimet me Eurogrupin dhe Këshillin Evropian.

    Edhe pse pranimi i euros ishte një nga kushtet për anëtarësimin në BE, dështimet legjislative – përfshirë reformat për luftimin e pastrimit të parave, shqetësimet për inflacionin dhe bllokadat politike (Bullgaria ka mbajtur shtatë procese zgjedhore në katër vjetët e fundit) – e kanë bërë këtë rrugëtim të vështirë për Sofjen.

    Një vendim në favor të adoptimit të euros është hapi i dytë i madh i Bullgarisë brenda një viti në rrugën e shtetit drejt integrimit në BE.

    Në janar, Sofja u bë anëtare me të drejta të plota e zonës Shengen dhe kufijtë e Bullgarisë me Greqinë dhe Rumaninë tani janë plotësisht të hapur. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Rënie rekorde, Japonia me nivelin më të ulët të lindjeve

    Lajmi i rradhës

    “RMV deri në vitin 2035 do të digjitalizohet plotësisht”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë