Mbipopullimi i burgjeve mbetet sfidë e madhe për një të tretën e vendeve evropiane, me numrin e të burgosurve për 100 vende në dispozicion në një vit është rritur nga 93.5 në 94.9, bëhet e ditur në raportin e “Statistikës vjetor penale të Këshillit të Evropës (SPACE) të publikuar të premten, shkruan AIM, përcjell Nistori.
Në të theksohet se, sa i përket situatës së burgjeve, Maqedonia, me 101 të burgosur për 100 vende të lira, bën pjesë në grupin e vendeve me “mbipopullim mesatar”, së bashku me Kroacinë (110), Irlandën (105), Suedinë (105), Hungarinë (104), Azerbajxhanin (103), Finlandën (103) dhe Turqinë (102).
“Mbipopullim serioz” është regjistruar në burgjet e gjashtë vendeve evropiane, ndër të cilat Sllovenia është “lidere” me 134 të burgosur për 100 vende, e ndjekur nga Qiproja me 132, Franca me 124, Italia me 118, Rumania me 116 dhe Belgjika me 113.
Burgjet në Skoci, me 100 të burgosur për 100 vende, si dhe në Angli e Uells dhe Serbi me nga 98 të burgosur për 100 vende, janë gjithashtu afër kufirit të mbipopullimit.
Sipas të dhënave të SPACE, më 31 janar 2024, në burgjet nën juridiksionin e 51 administratave të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës kishte gjithsej 1,021,431 të burgosur, që përfaqëson një shkallë mesatare të popullsisë së burgjeve prej 105 të burgosur për çdo 100,000 banorë.
Bazuar në këto të dhëna, Maqedonia renditet në vendin e 15-të me 143 të burgosur për 100,000 banorë. Turqia ka numrin më të lartë të të burgosurve për frymë – 356 për 100,000 banorë, e ndjekur nga Azerbajxhani me 264, Gjeorgjia me 261, Moldavia me 235, Polonia me 202, Hungaria me 195, Shqipëria me 192, Republika Çeke me 180, Sllovakia me 179 dhe Serbia me 177 të burgosur për 100,000 banorë.
Raporti vëren gjithashtu se, në periudhën nga 31 janari 2023 deri më 31 janar 2024, shkalla mesatare e popullsisë së burgjeve në Evropë ra nga 116.2 në 115.1 të burgosur për 100,000 banorë. Gjatë kësaj periudhe, Maqedonia regjistroi një rritje të lehtë prej 0.2% të numrit të të burgosurve, ku vetëm Ukraina pati një rritje më të vogël, me 0.1%. Tetë vende regjistruan një rënie të popullsisë së burgjeve, ndërsa të gjitha vendet e tjera evropiane shënuan rritje më të larta se Maqedonia.
Rritja më e madhe u regjistrua në Slloveni me 25.4%, e ndjekur nga Suedia me 15.5%, Malta me 11.1%, Serbia me 9.4%, Kroacia dhe Azerbajxhani me nga 8.3% secila, Italia me 7.8%, Shqipëria me 7.5%, Irlanda e Veriut me 6.9%, Belgjika me 6.8% dhe Skocia me 6.7%.
Mbi një e katërta e personave të mbajtur në burgjet evropiane midis 31 janarit 2023 dhe 31 janarit 2024 ishin në paraburgim. Në Maqedoni, shkalla e të paraburgosurve ishte 12% e numrit të përgjithshëm të të privuarve nga liria, më shumë se gjysma më pak se mesatarja evropiane.
Shkalla më e lartë e paraburgimit është regjistruar në Shqipëri me 58%, e ndjekur nga Armenia me 53%, Mali i Zi dhe Luksemburgu me 47% secila, Zvicra dhe Holanda me 46%, Malta me 42%, Kroacia me 41%, Sllovenia me 40% dhe Irlanda e Veriut me 39%. /Nistori/






