Kërkohet vetëdije më e lartë e qytetarëve në Dibër

    Këto ditë vere, kur në Dibër janë të pranishëm edhe një numër i madh mërgimtarësh nga Amerika dhe Evropa, vërehet një rritje e mbeturinave në hapësirat publike. Punëtorët e sektorit për mirëmbajtjen e higjienës publike punojnë pandërprerë në terren dhe japin kontribut maksimal për mbajtjen e pastërtisë. Megjithatë, edhe pse ata pastrojnë çdo ditë, ka qytetarë që hedhin mbeturinat nëpër rrugë, dhe vetëm pas pak orësh trotuaret dhe rrugët ndoten përsëri. Për këtë arsye, drejtoria e Ndërmarrjes komunale “Standardi” ka reaguar duke apeluar te qytetarët dhe mërgimtarët që të hedhin mbeturinat në vendet e duhura. “Mos harro se sa herë që ti hedh një letër në rrugë, përkulet një burrë në moshën e babait tënd për ta mbledhur”, reagojnë nga ndërmarrja.

    Ky apel është përshëndetur nga pjesa më e madhe e dibranëve. Nga kjo ndërmarrje, por edhe nga shoqatat qytetare, kërkohen projekte shtesë për ngritjen e vetëdijes së një pjese të popullsisë për ruajtjen e mjedisit jetësor, si dhe respektimin e orareve të hedhjes së mbeturinave nga afaristët, të cilët shpesh i hedhin ato pas orarit të përcaktuar.

    Drejtori i ndërmarrjes komunale publike, Burim Kaba, informoi se sektori i higjienës publike po jep maksimumin për pastrimin e hapësirave publike. Por, sipas tij, edhe popullsia duhet të respektojë rregullat, duke hedhur mbeturinat në vendet e caktuara. Nga kjo ndërmarrje theksohet se janë regjistruar shumë raste kur banorë, veçanërisht të rinj dhe mërgimtarë, hedhin mbeturina aty ku nuk duhet.

    Edhe një i moshuar ka reaguar lidhur me higjienën në qytet.

    “Nuk ka logjikë kjo që ndodh këto ditë vere në qytet sa i përket higjienës publike. Punëtorët e ndërmarrjes pastrojnë, por ka qytetarë që ndotin. Sidomos shohim raste me mërgimtarë që jetojnë në Itali e vende të tjera, të cilët harrojnë se atje gjobat për hedhjen e mbeturinave janë shumë të rrepta”, thotë Sami F., një i moshuar dibran.

    Reagime dhe përkrahje për ndërmarrjen komunale kanë ardhur edhe nga qytetarë të tjerë. “Respekt për këta punëtorë që kujdesen për pastërtinë, por fatkeqësisht rrugët e lagjet janë plot mbeturina. Kjo nuk është figurë e mirë për qytetin, sidomos këto ditë kur Dibra është përplot me vizitorë, kalimtarë të rinj e turistë nga e gjithë bota. Duhet të bashkëpunojmë të gjithë që problemi i mbeturinave të evitohet”, u shpreh Adhurim Kolari.

    Shoqatat qytetare theksojnë se është e papranueshme që mbeturinat të hidhen në rrugë. Ata rikujtojnë se para disa kohësh janë vendosur mbi 100 kontejnerë të rinj, por shpesh mbeturinat nuk hidhen brenda tyre, por jashtë. Këto shoqata kërkojnë projekte të reja për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve. Sipas tyre, edhe pse projekte të tilla janë realizuar edhe më parë, rezultatet nuk kanë qenë të dukshme. Njëkohësisht, shprehen se shumë afaristë nuk respektojnë oraret e hedhjes së mbeturinave, gjë që çon në grumbullim të tyre në kontejnerë. Ata shtojnë se inspektorët komunalë duhet të jenë më aktivë në zbatimin e ligjit dhe në realizimin e detyrave të tyre. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Në Pollog, gjashtë mijë votues më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021

    Lajmi i rradhës

    Tetova në rritje: çdo vit shtohet numri i të porsalindurve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë