A duhet të ketë shteti qasje në të gjitha të dhënat për atë se kush me kë bisedoi në telefon, në cilën datë dhe për sa kohë, e gjithë kjo me qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga krimi dhe terrorizmi? Çështja për atë se ku mbaron privatësia e komunikimeve dhe ku fillon lufta për një siguri më të madhe është një nga dilemat e përhershme në lidhje me mbikëqyrjen e komunikimeve elektronike, shkruan Prizma.
Në gjashtë muajt e fundit me këtë dilemë po përballet Gjykata Kushtetuese, Kuvendi dhe Qeveria përmes Ministrisë së Transformimit Digjital, e që ka të bëjë me ruajtjen e të ashtuquajturave meta të dhëna nga komunikimet e qytetarëve dhe qasjen e shërbimeve të sigurisë në to.
Në fund të shtatorit të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese vendosi të nisë procedurë për tre nene të Ligjit për Komunikimet Elektronike, sepse vlerësoi se ato i shkelin të drejtat për respektimin e jetës private, paprekshmërinë e komunikimeve dhe konfidencialitetin e të dhënave personale. Sipas gjetjeve të gjykatës mungesa e saktësisë në dispozitat ligjore hap mundësinë për ruajtjen pa dallim të të dhënave të komunikimit të çdo qytetari për një periudhë të pakufizuar kohore.
Por Gjykata nuk i shfuqizoi tre nenet ligjore sepse, sipas shpjegimit, kjo do të kishte krijuar një vakum ligjor dhe do tu pamundësonte shërbimeve të sigurisë qasje në çfarë do të dhënash, madje edhe në ato të nevojshmet për ta luftuar krimin dhe terrorizmin. Në vend të kësaj, Gjykata Kushtetuese i dha Kuvendit një afat gjashtëmujor për t’i miratuar ndryshimet ligjore që do ta saktësonin qasjen dhe përdorimin e meta të dhënave.
Ky afat përfundoi në mesin e muajit prill. Parlamenti nuk i miratoi këto ndryshime ligjore, edhe pse e ndryshoi dy herë Ligjin për Komunikimet Elektronike, kryesisht për t’i zëvendësuar fjalët “Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës” me “Ministria e Transformimit Digjital”, siç është emri i ri i institucionit kompetent që menaxhon me këtë resor. Në ndërkohë kjo Ministri përgatiti një projektligj krejtësisht të ri dhe e vendosi atë në Regjistrin e Vetëm Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (ENER). Në të, tre nenet që i kundërshtoi Gjykata Kushtetuese janë kopjuar pikë për pikë nga ligji i vjetër.
Çfarë do të thotë ruajtja e meta të dhënave?
Për dallim nga të ashtuquajturat masa të posaçme hetimore (masa MPH), të cilat përfshijnë përgjimin e pajisjeve telefonike, leximin e mesazheve dhe metoda të tjera, meta të dhënat nuk e zbulojnë përmbajtjen e komunikimit, d.m.th., përpunimi i tyre nuk mund të zbulojë se për çfarë flasin individë të caktuar.
Por edhe me ato mund të zbulohen shumë detaje, për shembull cilët dy numra telefoni kanë komunikuar, në cilën datë, në cilën orë, nga cilat vende, etj. Me ato mund të zbulohet edhe se nga cili vend dikush është lidhur në internet, cilat faqe interneti i ka vizituar, cilat rrjete sociale i ka përdorur etj.
Siç thonë nga gjykata në njoftimin e publikuar në muajin shtator të vitit të kaluar, përmes analizës së këtyre të dhënave mund të arrihen “përfundime shumë precize në lidhje me jetën private të individëve, duke përfshirë këtu vendbanimin e tyre, aktivitetet dhe zakonet e përditshme, të dhënat në lidhje me lëvizjet e tyre, rrethin e njerëzve me të cilët kanë kontakt dhe të ngjashme”.
Ka edhe disa dallime të tjera të rëndësishme midis masave MPH dhe kontrollit të meta të dhënave. Të parat mblidhen nga policia, shërbimet e sigurisë dhe shërbimet e tjera hetimore, ndërsa për këtë u duhet një urdhër gjykate dhe duhet të dëshmojnë se ka nevojë për ta monitoruar një qytetar të caktuar. Këto të dytat ruhen nga vetë operatorët e telekomunikacionit dhe qasja në to është shumë më e lirë dhe joselektive.
Prandaj, gjykata ka shprehur dyshim se zgjidhja ligjore mundëson “ndërhyrje të gjerë dhe masive nga shteti në jetën private të qytetarëve”.
Operatorët e telekomunikacionit i ruajnë meta të dhënat për secilin abonent për 12 muaj, që sipas shpjegimit të gjykatës është periudha e përcaktuar me ligj për ruajtjen e të dhënave, me përjashtim të të dhënave në të cilat ka pasur qasje dhe që janë ruajtur. Ky përjashtim, siç shpjegohet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mundëson ruajtjen e pakufizuar të të dhënave pa i fshirë ato.
Kushtetuta parasheh mundësinë e shkeljes së lirisë dhe privatësisë së komunikimeve nëse është e nevojshme për të zbuluar ose parandaluar vepra penale, por nga gjykata kanë vlerësuar se kjo zgjidhje ligjore, e cila ka qenë në fuqi që nga viti 2014, mundëson ruajtjen e të dhënave për një numër të pakufizuar njerëzish për një periudhë të pakufizuar kohore.
Prandaj, ata thonë se duhet të specifikohet më tej natyra dhe ashpërsia e veprave penale për të cilat mund lejohet qasje në meta të dhënat.
“Mosparashikimi i këtyre kushteve kufizuese për qasje në të dhënat e ruajtura do të thotë se lihet një hapësirë e gjerë për interpretim të lirë dhe zbatim arbitrar të ligjit, gjë që krijon rrezik nga keqpërdorimi i të dhënave të ruajtura për nevoja të tjera, e jo për arritjen e qëllimit legjitim të përcaktuar me Kushtetutën”, thuhet në shpjegim.
Ende ka rrezik për vakum ligjor
Afati gjashtëmujor për korrigjimin e mangësive kaloi dhe pritet që Gjykata Kushtetuese t’i rikthehet kësaj çështjeje në njërën nga seancat e saj të ardhshme dhe të marrë një vendim në lidhje me nenet e kontestuara të Ligjit për Komunikimet Elektronike.
Nga Gjykata për BIRN thanë se nëse nuk ka kurrfarë përgjigje nga Kuvendi, ata do të veprojnë sipas akteve të tyre.
Meqë Gjykata Kushtetuese mundet t’i anulojë ose shfuqizojë vetëm ligjet dhe nenet e tyre, e jo ta ndryshojë përmbajtjen e tyre, shfuqizimi i këtyre tre neneve do të nënkuptonte se as operatorët telefonikë nuk do të kenë të drejtën dhe detyrimin t’i ruajnë meta të dhënat për një periudhë të kufizuar, e as shërbimet e sigurisë nuk do të ishin në gjendje të kishin qasje në të dhëna të tilla edhe nëse do t’u nevojiteshin për të parandaluar vepra kriminale ose sulme terroriste.
BIRN iu drejtua edhe Ministrisë së Transformimit Digjital me pyetjen se pse gjatë përgatitjes së një ligji krejtësisht të ri nuk i kishin marrë parasysh vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese.
Nga atje u përgjigjën se e kishin përgatitur projektligjin bazuar në analizat e përputhshmërisë së ligjit në Maqedoni me Kodin Evropian të Komunikimeve Elektronike, por se ndërkohë ishin informuar për vendimin e gjykatës dhe se do ta merrnin atë parasysh gjatë hartimit të versionit përfundimtar.
“Ministria në mënyrë aktive dhe me kujdes po punon për rregullimin e këtyre dispozitave të ligjit që do ta adresojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke e pasur parasysh seriozitetin dhe ndjeshmërinë e të gjithë procedurës. Ne presim që me versionin përfundimtar të Ligjit për Komunikimet Elektronike këto çështje të zgjidhen”, thanë nga Ministria.
Për momentin, mbetet pyetja se kush do të jetë më i shpejtë – a do të jetë Gjykata Kushtetuese e para e cila do ta marrë vendimin e saj për t’i shfuqizuar nenet e kontestuara dhe në këtë mënyrë ta kufizojë punën e shërbimeve të sigurisë, apo Ministria do të përgatisë një version përfundimtar të ligjit që do të miratohet në Kuvend dhe i cili do ta parandalojë ruajtjen joselektive të të dhënave.
Dilema ka edhe në Evropë
Përvojat nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të tij tregojnë se edhe atje nuk është gjithmonë e qartë vija ndarëse midis nevojës për t’i ruajtur meta të dhënat për qëllime hetimore dhe luftim të krimit dhe mbrojtjes së privatësisë së qytetarëve.
Me një Direktivë të vitit 2006 u prezantua një rregull për ruajtjen e të dhënave nga operatorët e telekomunikacionit për të paktën gjashtë muaj dhe maksimum deri në 24 muaj dhe pastaj të fshihen. Të gjitha shtetet anëtare kanë rregulla për ruajtjen e të dhënave brenda këtij afati kohor. Por, sa i përket asaj se për çfarë mund të ketë qasje në këto të dhëna, nga cilat institucione dhe në çfarë mënyre, ka dilema që përfundojnë në gjykatë.
Në vitin 2020 Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi që shteteve anëtare të BE-së tua ndalojë që t’u kërkojnë operatorëve të telekomunikacionit t’i ruajnë të dhënat e të gjithë abonentëve në mënyrë të plotë dhe joselektive. Në deklaratën të cilën e dhanë nga gjykata pas këtij vendimi thuhej se për t’i adresuar shqetësimet e disa vendeve se kjo gjë do ta pamundësonte ruajtjen e sigurisë së tyre kombëtare, lejohet që me ligjet kombëtare të përcaktohet se kur dhe si mund të ketë qasje në këto të dhëna. Por, megjithatë duhet të tregohet kujdes dhe kjo duhet bërë vetëm nëse është e domosdoshme.