Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut ia hoqi imunitetin gjyqtarit suprem Nake Georgiev në seancën urgjente të mesnatës, me çka ia miratoi paraburgimin dhe e largoi nga ushtrimi i funksionit të tij gjyqësor, përcjell Nistori.
Siç njoftoi Këshilli Gjyqësor, në seancën e 487-të urgjente të mbajtur më 21 maj 2024, Këshilli shqyrtoi dhe vendosi pas kërkesës së Gjykatës Themelore Penale të Shkupit për heqjen e imunitetit të gjyqtarit dhe miratimin e paraburgimit të gjyqtarit.
“Këshilli Gjyqësor i heq imunitetin gjyqtarit të Gjykatës së Supreme të RMV-së, për hir të mbarëvajtjes së procedurës penale. Aprovoi kërkesën për miratimin e paraburgimit të gjyqtarit të Gjykatës Supreme të RMV-së, të paraqitur nga gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale Shkup dhe e largoi përkohësisht gjyqtarin e Gjykatës Supreme të RMV-së nga ushtrimi i funksionit të tij gjyqësor deri në përfundimin e procedurës penale”, thuhet në njoftim.
Georgiev në bazë të dyshimeve për “marrje të shpërblimit për ndikim të paligjshëm”, është arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërkohë nga prokuroria përkatëse priten masa për vazhdimin e procedurave.
Ndërkohë, bëhet e ditur se dje në orët e vona të mbrëmjes, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, në Tetovë është bastisur shtëpia e anëtarit të këshillit të prokurorëve I.M, si dhe është bërë bastisje në objektet zyrtare të këshillit të prokurorëve publik. Dyshohet se i njëjti, së bashku me gjyqtarin e dyshuar Nake Gorgiev, kanë ndikuar duke keqpërdorur pozitën e anëtarit të Këshillit të Prokurorëve Publikë në rastin e kërkesës për ryshfet për rrethana lehtësuese për ish-kryetarin e Komunës i cili ndodhet në paraburgim, Boro Petrushevski.
I.M konsiderohet i afërt me BDI-në dhe ka qenë Avokati i Popullit për dy mandate. Ai është gjithashtu ish-ministër i Drejtësisë, gjyqtar kushtetues, këshilltar shtetëror në Qeveri dhe anëtar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Gjatë ditës pritet se çfarë masash do të përcaktohen ndaj tij.
Nake Georgiev nuk është i panjohur për publikun e gjerë. Zgjedhja e tij si anëtar i Këshillit Gjyqësor u pasua me polemika. Procedura për përcaktimin e përgjegjësisë kundër tij është zhvilluar në periudhën kur ishte kryetar i Gjykatës së Apelit në Shtip. Mirëpo, një ditë para se të përcaktohej lista e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor, në një pjesë të mbyllur të seancës, Këshilli vendosi të ndërpresë procedurën ndaj Georgiev, pasi rasti kundër tij ishte mbajtur në sirtar për disa muaj.
Për të njëjtën lëndë për të cilën është zhvilluar procedura ndaj këtij gjyqtari për periudhën kur ishte në krye të Apelit të Shtipit, paraprakisht u shkarkuar tre gjyqtarë.