KME “Manastir” ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit në RMV

    Sipas raportit të fundit të Bankwatch “Harmonizo ose mbyll” vendet e Ballkanit Perëndimor ende po ngulfaten me dioksid sulfuri nga termocentralet e vjetra. Në katër ndotësit më të mëdhenj të ajrit bën pjesë gjiganti energjetik i Maqedonisë, REK “Manastiri”, i cili bashkë me Ugljeviq dhe Kakanj 7 në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kostolac A2 në Serbi, i tejkaluan kufijtë vjetorë të emetimeve të SO2 me më shumë se 10 herë, raporton Meta.

    Sipas të dhënave të raportit, gjashtë vjet pas hyrjes në fuqi të rregullave për kontrollin e ndotjes sipas Traktatit të Komunitetit Energjetik, në vitin 2023 ndotja nga dioksidi i sulfurit nga termocentralet me qymyr në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi ka qenë 5,7 herë më e lartë nga sasia e lejuar. Ky është një hap prapa krahasuar me vitin 2022 kur ajo ishte 5,6 herë mbi kufirin e lejuar.

    “Qeveritë dhe operatorët janë të vendosur të shtrydhin çdo kilovat të mundshëm energji elektrike nga termocentralet e tyre të vjetra, pavarësisht pasojave ndaj shëndetit. Planet kombëtare për energjinë dhe klimën duhet të ofrojnë një plan të qartë për heqjen graduale të qymyrit nga përdorimi, por deri më tani ata kanë dështuar në këtë synim. Në Maqedoni mbyllja e planifikuar e termocentraleve po vonon dhe nuk po bëhet asgjë për ta reduktuar ndotjen e tyre. Termocentralet duhet ose të mbyllen ose të përmbushin rregullat për kontrollin e ndotjes”, thotë Davor Pehçevski, Koordinator i energjisë për Ballkanin në Bankwatch.

    Edhe ndotja nga pluhuri ka qenë për 1,75 herë mbi kufirin e lejuar, pothuajse njësoj si në vitin 2022 kur ishte për 1,8 herë mbi kufirin e lejuar. Edhe emetimet e oksidit të azotit kanë qenë për 1,3 herë mbi kufirin e lejuar në numrin më të madh të vendeve me përjashtim të Maqedonisë, e cila mbetet e vetmja që ende nuk e ka tejkaluar këtë kufi.

    Zharko Koneski, koordinator i programit për energjinë në Eko-Svest, është i mendimit se gjetjet e raportit janë jashtëzakonisht shqetësuese, sidomos pjesa ku thuhet se emetimet nga termocentralet nuk maten aspak, por vetëm llogariten në mënyrë paushalle edhe pse ato kanë për obligim të bëjnë matje të vazhdueshme të ndotjes që e shkaktojnë.

    “Është e qartë se po planifikohet hapje e minierave të reja të qymyrit, që do të thotë se investimet po bëhen në atë drejtim në vend se drejt reduktimit të ndotjes dhe transformimit energjetik. Duhet përshpejtuar zëvendësimi gradual tashmë i planifikuar dhe me faza i pajisjeve të vjetruara me zgjidhje teknologjike inovative në kalimin drejt burimeve të rinovueshme të energjisë”, thotë Koneski.

    Kombinati për Energjetikë dhe Miniera (KEM) “Manastir” është i shënuar në raportet ndërkombëtare si një nga ndotësit më të mëdhenj të dioksidit të squfurit dhe pluhurit në Ballkanin Perëndimor, por në Maqedoni është e vështirë të provohet se Kombinati ndot dhe deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësi për këtë.

    KEM “Manastir” do të modernizohet dhe me këtë do të përmirësojë performancën e prodhimit dhe do i reduktojë emetimet e grimcave të dëmshme dhe pluhurit deri në vlera kufitare sipas direktivave dhe legjislacionit evropian, kishin premtuar nga Ministria e re e Energjetikës në tetor të vitit 2024.

    Lajmi Paraprak

    Akademiku Fiti: konflikti Iran-Izrael mund të nxisë inflacionin në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë