Kodra e Diellit, edhe pse ka potencial të madh për zhvillimin e turizmit dimëror dhe jo vetëm, megjithatë ende nuk janë bërë investime të mjaftueshme për të ringritur këtë qendër në një atraksion turistik të mirëfilltë. Mungesa e vendeve të parkimit, kapaciteteve hotelerike, mungesa e makinerisë adekuate për borë artificiale, mos vënia në funksion e teleferikut Tetovë-Kodra e Diellit e mbajnë peng zhvillimin e kësaj qendre turistike në Maqedoninë e Veriut.
Megjithatë, autoritetet e Qendrës Turistike Dimërore “Kodra e Diellit” krahas këtyre sfidave presin një sezon më të mirë këtë vit. Me reshjet e fundit të borës janë krijuar kushtet që sezoni i skijimit të fillojë në kohë. Drejtuesit e kësaj qendre në fund javë njoftuan edhe zyrtarisht fillimin e sezonit të skijimit. Ata insistojnë se kanë bërë përgatitje të nevojshme në aspektin e servisimit të ski-lifteve që të jenë në disozicion të skijatorëve. Krahas kësaj, bëjnë të ditur se Qendra e Skijimit do të funksionojë me çmime të rregullta të ski-biletave dhe orar të rregullt pune.
“Pas aktiviteteve të shumta përgatitore, jemi tashme të gatshëm të ofrojmë një eksperiencë të paharrueshme për adhuruesit e dimrit. Falë ekipit dhe punës së tyre të palodhshme, shtigjet e skijimit janë të gatshme për pritjen e turistëve. Në dispozicion të vizitorëve të ski qendrës, përveç objekteve të tjera të akomodimit, do të jetë edhe hoteli Sllavija që menaxhohet nga Kodra e Diellit”, tha Abdulgani Aliji, drejtor i pikës turistike “Kodra e Diellit”.
Me rastin e fillimit të sezonit turistik në Kodrën e Diellit, këtë qendër turistike e ka vizituar edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Ai është shprehur se për një kohë të shkurtër është arritur që kjo qendër të vendoset në funksion për skiatorët.
“Kam kënaqësi që para opinionit të prezantoj servisimin dhe përgatitjen e gjitha pajisjeve për këtë sezon, duke nisur nga ski-liftet e gjitha pajisjet tjera përcjellëse, me çka besojmë se ky sezon do jetë i suksesshëm. Janë bërë shumë punë për një kohë të shkurt dhe i përgëzoj drejtuesit e kodrës së Diellit për punën e tyre që kjo sezon të jetë e suksesshme. Edhe si pushtet lokal edhe si qeveri do punojmë fuqishëm që dalë ngadalë pikës turistike të kodrës së Diellit t’ia kthejmë shkëlqimin e mëparshëm, por edhe me investimet që planifikojmë duam këtë qendër turistike ta bëjmë më të rëndësishme në rajon”, tha Kasami.
Krahas kësaj, Kasami njëkohësisht e ka promovuar linjën e transportit Tetovë-Kodra e Diellit. Ai tha se sikurse vitin e kaluar edhe këtë vit, do të fillojë funksionimi i linjës së re të transportit publik në drejtimin Tetovë – Kodra e Diellit, e organizuar nga Ndërmarrja Publike Tetova Transport.
“Kjo linjë do të jetë në dispozicion çdo të shtunë dhe të diel për të lehtësuar qasjen e qytetarëve dhe turistëve në këtë qendër rekreative dimërore. Vendosja e transportit publik shihet një mundësi për të evituar kaosin me parkimin në këtë qendër turistike. Nëse do të ketë kaos në trafik autobusët do të ndalen tek vendi i quajtur ‘Guri i Sidollit’, prej ku drejtoria e Qendrës Turistike Dimërore “Kodra e Diellit” do të bëjë transportin me furgonë deri tek destinacioni final”, tha Kasami.
Në ndërkohë, pas fillimit të sezonit të skijimit, shumë qytetarë dhe dashamirë të sporteve të dimrit vizituan Kodrën e Diellit. /Koha/