Komisionet hetuese janë hipokrizi politike pasi praktika ka dëshmuar gjatë historisë së parlamentarizmit dhe ata nuk kanë nxjerrë ndonjë të vërtetë në dritë, thotë analisti politik Qenan Aliu. Ai rithekson se Rregullorja është e qartë, komisionet nuk kanë funksione hetuese ose funksione të tjera gjyqësore.
“Kjo si kërkesë nga opozita të cilët në mënyrë të thuktë potencojnë komision për të ndjekur gjojase se si bëhet hetimi, a këtu në mënyrë eksplicite neni 30 i Rregullores për punën e Kuvendit thotë se trupat punuese nuk kanë funksionin e hetimit apo të gjyqësorit. Prandaj, edhe kjo do të ishte çështje e deplasuar në këtë rast. Edhe pse, si opozitë, BDI-ja ka patur edhe raste të tjera për të cilat është dashur të ngritët, nëse u kujtohet rasti i Lagjes së Trimave në Kumanovë, ata thonë se do të ketë përfshirje të FBI-së në këtë hetim, megjithatë nuk doli asgjë.
Pra, praktika parlamentare ka dëshmuar historikisht se këta komisione nuk nxjerrin diçka në dritë. Problemi më i madh edhe në kampin politik shqiptar edhe në atë maqedonas është se opozita nuk ka kredibilitet politik”, deklaroi Qenan Aliu, analist.
BDI-ja ka kërkuar së fundmi komision hetues për rastin e Koçanit dhe mënyrën e zhvillimit te hetimeve. Sipas rregullores së Kuvendit, komisioni anketues formohet nga Kuvendi me propozim të deputetëve kurse kryetari i tij propozohet nga opozita. Komisionet e tilla, mund të japin rekomandime, por edhe të ndihmojnë hetimet apo proceset, kurse rekomandimet që dalin nga komisionet nuk janë të detyrueshme për organet hetimore.
Nga BDI, morën iniciativë të formojnë komision anketues për rastin e vdekjes së Almirit 4-vjeçar nga Kumanova, kishin paralajmëruar komision hetues edhe për Lagjen e Trimave, kurse në kohën e qeverisjes së tyre u formuan edhe komisione hetuese për rastet “Sopoti” dhe “Monstra” të cilat duhej të zbardhnin skenarin eventual të montimit. Asnjëri prej tyre nuk ndihmoi procedurat dhe nuk nxori rezultate konkrete. Së fundmi, u formua komision për rastin e “Onkologjisë” apo skandalin me vjedhjen e ilaçeve për të sëmurët e kancerit, pa asnjë rezultat për hetimin. /Alsat/