Ka optimizëm se kompromisi për ndryshimet kushtetuese mund të arrihet deri në fund të vitit – deklaroi ambasadori austriak në Maqedoni, Martin Pamer. Sipas tij, fokusi është vënë tepër mbi këtë çështje, në vend që të përqendrohet te zbatimi i detyrave teknike që e afrojnë Maqedoninë me Bashkimin Evropian.
“Qeveria e Maqedonisë së Veriut aktualisht po punon në udhërrëfyesit dhe planet e veprimit. Mendoj se udhërrëfyesi për pakicat është dorëzuar në Komisionin Europian këtë muaj. Ka optimizëm të caktuari që kompromisi i vitit 2022 të arrihet deri në fund të këtij viti. Do të shohim. Por siç e thashë, nuk duhet të fokusohemi aq shumë vetëm në këtë, ka mjaft çështje të tjera që duhet të përfundojnë për qytetarët, për vendin”, tha Martin Pamer, ambasador austriak në Maqedoni.
Pamer theksoi se në aspektin teknik, Maqedonia ka kohë që është në rrugën drejt BE-së. Hapi i radhës është të hapet zyrtarisht konferenca e dytë ndërqeveritare, ndërkohë që po vazhdon procesi i skriningut dhe puna në klasterë është në zhvillim.
Zëvendësministrja për çështje europiane, Viktorija Trajkov, tha se për një kohë të gjatë dhe padrejtësisht vendi është në “dhomën e pritjes” të BE-së dhe është i lodhur nga premtimet dhe kushtëzimet. Qeveria e re ka vendosur vijë të kuqe – ajo është identiteti maqedonas, të cilin nuk do ta lejojmë të ngarkohet me bilateralizim – theksoi Trajkov.
“Vijat tona të kuqe janë të njohura dhe nuk dua të përsëris të njëjtën gjë, por ne po përdorim çdo kapacitet dhe çdo miqësi brenda dhe jashtë vendit për të realizuar qëllimin tonë – që Europa ta njohë Maqedoninë si shtet që meriton pas kaq shumë kohe të jetë pjesë e asaj familjeje”, tha Viktorija Trajkov, zv.ministre për Çështje Evropiane.
Sipas ekspertëve, sfidat kryesore jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për botën, janë sundimi i së drejtës.
“Jo vetëm Maqedonia e Veriut, por i gjithë Ballkani Perëndimor dhe vetë BE-ja, por edhe bota në përgjithësi, përballen me turbulenca të shumta në bazat e sundimit të ligjit. Fatkeqësisht, zhvillimet aktuale gjeopolitike nuk e bëjnë më të lehtë punën tonë në këtë drejtim, përkundrazi”, sqaroi Gabriel Lanski, drejtor i Bordit të Akademisë për Integrime Europiane.
Këto porosi u dhanë nga panelin e diskutimit “Rruga e Maqedonisë drejt BE-së – sfidat dhe mundësitë në vitin 2025”, organizuar nga Ambasada Austriake në Shkup dhe Akademia për Integrime Europiane. /TV21/