Komuna e Bogovinës dështoi të administrojë basenet e ujit në Pallçisht

    Baseni i ri i ujit në Pallçisht / Fotografia: Nistori

    Banorët e fshatit Pallçisht sërish kanë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. Ata protestuan në prag të iftarit, duke kërkuar që ky problem të zgjidhet përfundimisht, shkruan Nistori.

    Kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Pallçisht, Vullnet Akiki, tha se nëse nuk zgjidhet problemi me ujin e pijshëm, ata do të vendosen me tenda para objektit të Komunës së Bogovinës.

    “Ne si banorë të fshatit Pallçisht, arsyeja pse protestojmë, është problemi me ujë. Dy tre ditë nuk kemi ujë. Premtime ka pasur shumë se do të përfundojë ky projekt me ujin, por aspak nuk ka përfunduar, ndoshta i presin zgjedhjet. Kemi kërkuar nga kryetari i komunës që gypi kryesor që vjen me ujësjellësin e ri të përfundojë në komorën që e kemi ndërtuar fshatarët vet me kontributin tonë”, tha Akiki, duke shtuar se disa nga banorët mbushin ujë në fshatin Novakë, në Reçicë dhe disa në Tetovë.

    Ndërsa disa banorë tjerë gjithashtu theksuan vështirësitë që hasin pa ujë, gjatë muajit të Ramazanit.

    Nistori pyeti edhe drejtorin e “Ujësjellësit” në Komunën e Bogovinës për këtë çështje, i cili tha se të gjitha vendbanimet e Komunës së Bogovinës kanë mungesë të ujit të pijshëm.

    “Të gjitha vendbanimet e Komunës së Bogovinës përveç Sedllarcës, kanë mungesë të ujit të pijshëm, dhe si pasojë e mungesës së ujit, ne NPK bëjm kufizime prej orës 1 deri në ora 4, kështu që kur të kenë ujë të kenë të gjithë, dhe në qoftë se nuk i përmbahet kufizimit, në rastin konkret në Pallçisht, atëher paraqitet mungesa e ujit”, tha ai.

    Ndërsa sa i përket ujësjellësit të ri në Pallçisht, ai tha se ai është në përfundim e sipër.

    “Ujësjellësi i ri është në përfundim të sipër, ka mbet komora ku është fut gypi i ri të rregullohet që të jetë funksional, ku po e njëjta komorë nuk ka qenë e planifikuar të përdoret per ujësjellësin e ri, për ujësjëllin e ri ka qenë komora aktuale, kërkesa për funksionimin e komorës së dytë ka lind si kërkesë e bashkësisë lokale Pallçisht, dhe e është pranuar nga kryetari i komunës për ta rregulluar po të njëjtën. Është çështje kohe kur do regullohet ajo komorë”, tha drejtori i “Ujësjellësit”.

    Ndryshe, banorët e fshatit Pallçisht me vite të tëra përballen me mungesën e ujit të pijshëm. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Raportohet për qindra të vrarë, pasi Izraeli bombardon Gazën, Libanin dhe Sirinë

    Lajmi i rradhës

    Gjermania do të futet në borxhe të reja, po pse?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë