Në prag të festës së Bajramit të Kurbanit, Komuna e Tetovës ka lëshuar një njoftim zyrtar për të gjithë besimtarët muslimanë të qytetit, lidhur me menaxhimin e mbetjeve të kurbanëve, përcjell Nistori.
“Njoftim për të gjithë besimtarët muslimanë të qytetit të Tetovës. Komuna e Tetovës ju informon se për menaxhim të sigurt të mbetjeve, lëkurat e kurbanave duhet të dorëzohen vetëm në pikën grumbulluese të kompanisë Saubermacher, e cila ndodhet në rrugën e fshatit Trebosh – Pallma Mall. Ky aksion vlen nga data 06.06.2025 deri më 08.06.2025, pas kësaj date ky shërbim nuk do të jetë në dispozicion.”
Ky organizim ka për qëllim të kontribuojë në ruajtjen e higjienës publike dhe mbrojtjen e mjedisit gjatë festimeve. Komuna gjithashtu thekson se “ky veprim ndihmon në mbrojtjen e mjedisit, parandalimin e ndotjes dhe organizimin e duhur për të kaluar festën e Bajramit sa më bukur!”
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të respektojnë këtë udhëzim dhe të shmangin hedhjen e mbetjeve në vende të paautorizuara, duke kontribuar kështu në një ambient të pastër dhe një festë të qetë për të gjithë. /Nistori/