Përfaqësues të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës morën pjesë në punëtorinë rajonale me temë “Parandalimi i prerjeve joligjore të pyjeve në Malet Sharr dhe Korab” që u mbajt në Peshkopi të Shqipërisë. OSBE, në partneritet me “Adelphi”, po zbaton nga viti 2020 projektin e financuar ekstra-buxhetor “Forcimi i reagimeve ndaj rreziqeve të sigurisë nga ndryshimet klimatike në Evropën Juglindore, Evropën Lindore, Kaukazin e Jugut dhe Azinë Qendrore”.
Projekti synon të identifikojë dhe hartojë pikat e nxehta të sigurisë së klimës dhe të zhvillojë dhe zbatojë masat për reduktimin e rrezikut të ndryshimeve klimatike dhe të sigurisë në rajonin e OSBE-së. Ndryshimet klimatike mund të ndikojnë në sigurinë në shumë mënyra. Ndonëse nuk shkaktojnë drejtpërdrejt konflikt, ato ndër veprojnë me presionet të tjera duke përfshirë rritjen e popullsisë, zhvillimin e pabarabartë ekonomik dhe kufizimet e burimeve për të ndikuar në peizazhin e sigurisë. Me fjalë të tjera, ndryshimet klimatike veprojnë si një shumëzues rreziku.
Në Evropën Juglindore, raporti i OSBE-Adelphi, i cili ishte rezultat i konsultimeve me palët e interesuara të kryera ndërmjet viteve 2020 dhe 2021, identifikoi Malet e Sharrit dhe Zonën e Masivit të Korabit si prioritet për sfidat e sigurisë dhe bashkëpunimin lidhur me klimën. Një vëmendje të veçantë i kushtohet edhe prerjes ilegale të pyjeve, me çka dëmtohet biodiversiteti.
Pjesëmarrësi në këtë punëtori nga Komuna Dibër, Noli Osmani për gazetën Koha thotë se ka prezantuar pikëpamjet e tij dhe të Komunës në këtë aktivitet.
“Me legjislaturën e Maqedonisë së Veriut, komunat nuk kanë aspak kompetenca mbi pyjet dhe menaxhimin e tyre, si palë të interesuara dhe të prekura nga kjo temë dhe problematikë është e domosdoshme që të marrin pjesë në procese të tilla, ku preket interesi i përgjithshëm i popullatës”, tha Osmani, i cili është inxhinier i diplomuar i Mbrojtjes të Mjedisit Jetësor dhe Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.
Ai shton se mungesa e kompetencave të komunave mbi menaxhimin me pyjet në territorin përkatës sjell probleme. Rreth 712 hektarë të Parkut kombëtar të Mavrovës i përkasin territorit të Komunës Dibër. Në ndërkohë, kur ka zjarre nëpër pyje – është kompetencë e Njësive Territoriale Kundër Zjarrit që ti shuajnë ose të menaxhojnë me ato situata, d.m.th. barra bie mbi komunat, edhe pse në procesin e vendimmarrjeve Komuna Dibër nuk është e të kyçur në ato procese.
“Janë pyje të Komunës Dibër në një pjesë të madhe, por ajo nuk vendos asgjë, por ka vetëm obligime sidomos gjatë shuarjes së zjarreve dhe për çudi, nuk ka përfaqësues në Bordin e Parkut Nacional ‘Mavrova’”, tregon Osmani. Ai e ka potencuar edhe problemin e zonave të shpyllëzuara. Osmani ka thënë se policia pyjore e Parkut Nacional, ankohen se nuk kanë mundësi për të mbuluar me rojtarë territorin, edhe pse dihet se ka shumë prerje ilegale.
“Së fundmi, mendoj se duhet të hapen kanale të komunikimit mes palëve të prekura siç janë Komunat, Ndërmarrja e Pyjeve dhe Parqet Kombëtare, si dhe të rritet bashkëpunimi me qëllim të mbrojmë pyjet dhe të menaxhojmë sa më mirë me to”, thotë Osmani për gazetën Koha.






