Kreu i qeverisë thotë se mbështet rezolutën e VMRO-së për vijat e kuqe me Bullgarinë, por se ajo duhet të pësojë disa ndryshime lidhur me formulimin e emrit të shtetit dhe disa çështje tjera që të ketë mbështetjen e të gjitha partive, përfshirë edhe BDI-në.
Po bisedojmë për këtë, dhe gjithsesi se duhet të ndryshojë emri kushtetues dhe do të duhej të përcaktohen disa formalitete në vetë përmbajtjen e rezolutës që të mund të jetë e pranueshme për të gjithë. Me këtë, ne edhe njëherë do ti tregojmë Mickoskit që ka problemin me gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas, ja edhe përmes një rezolute të përbashkët, ne këtë do të konfirmojmë pasi gjuha nuk kontestohet nga askush brenda vendit”, tha Zoran Zaev-Kryeministër i Maqedonisë së Veriut
Ndërkaq Zv. Kryeministri Artan Grubi tha se BDI solidarizohet me bashkëqytetarët maqedonas sa i përket përdorimit të gjuhës, por se nuk pajtohet me metodat që janë zgjedhur për mbrojtjen e saj.
Absolutisht solidarizohemi me bashkëqytetarët tanë maqedonas sepse ne dimë më së miri se çfarë do të thotë të kontestohet gjuha, përdorimi i gjuhës, kulturën e historia etj. Vlerësojmë se me metoda të shekullit të 19 nuk mundet të zgjidhen problemet e shekullit 21.Presim që në zgjedhjet në Bullgari të fitojnë forcat progresive demokratike që do të mundësojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjes sonë me Sofjen dhe hapjen e negociatave në dhjetor”, tha Artan Grubi, zv/kryeministër.
VMRO DPMNE porositë pushtetin që mos të gjej justifikime dhe të mbështes rezolutën.
LSDM-ja dhe BDI-ja të mos gjejnë justifikime dhe të mbështesin Rezolutën.Pa një rezolutë të miratuar, Zaev nuk duhet të negociojë me Bullgarinë. Dhe ai tashmë lë të kuptohet se përmes një procedure parlamentare ai do të bllokojë Rezolutën, dhe kështu punon vetëm në dëm të Maqedonisë. Kjo qeveri nuk di gjë tjetër veçse të veprojë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet”, thonë nga VMRO DPMNE.
Nga Aleanca për Shqiptarët vlerësojnë se temat e këtilla dhe procesi integrues në të njëjtën kohë, janë shumë serioze dhe se meritojnë një trajtim më serioz e institucional.
Ne jemi në konsultim profesional edhe me faktorë të brendshëm, por edhe me faktorin ndërkombëtarë, me qëllim që të mos lejohet as edhe ndonjë pasojë aksidentale. Debati rreth temave të këtilla nuk mund të zhvillohet përmes konferencave për shtyp nga selitë partiake, por nevojitet një debat i mirëfilltë në institucionin më të lartë ligjvënës në vend. Të dëgjojmë të gjitha detajet, argumentet e palëve në Kuvend dhe aty do shpalosim edhe argumentet dhe qëndrimet tona”, pohojnë nga Aleanca për Shqiptarët.
Rezoluta u dorëzua të premten në Kuvend, por ende nuk dihet se kur do të vendoset për diskutim në seancë plenare. /Alsat M/