Kontrolli i brendshëm pranë MPB-së do të hetoj rastin me arrestimin e gazetarit Saliu

    Kontrolli i brendshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme do të përcaktojë nëse policia ka vepruar drejt apo jo, dje gjatë arrestimit dhe ndalimit të gazetarit Furkan Saliu. Ngjarja ka ndodhur gjatë një ndeshje futbolli në fshatin Konjarë të Epërme kur ka pasur tensione mes tifozëve vendas dhe lojtarëve mysafirë. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Mitko Bojmacaliev, ka thënë se reagimi i qytetarëve është i arsyeshëm.

    “Kemi pasur reagim të furishëm nga qytetarët dhe reagimi është i arsyyeshëm sepse për momentin kemi ministër që është nga një parti politike, e cila në të kaluarën ka ditur të kundërshtojë gazetarët me zë të lartë, të arrestojë dhe mbyllë televizione. Në lidhje me atë që ka ndodhur dhe si ka ndodhur, nuk do të jap më shumë nga ajo që është dhënë në njoftimin e MPB-së, sepse nga sot kontrolli i brendshëm është përfshirë në vetë procesin, çfarë ka ndodhur saktësisht, pse u arrestua, si u arrestua, nëse kishte nevojë dhe gjithçka që është ndërmarrë”, deklaroi Mitko Boimacaliev – Zëvendësministër i Punëve të Brendshme.

    Ministria e Brendshme bëri të ditur gjithashtu se gjatë kontrollit të një automjeti për pasagjerë Dacia Duster, në pronësi të F.S, në bagazh është gjetur armë, por gazetari ka thënë se ka pasur leje për të.

    “Këtë herë nuk shtrohet pyetja nëse ka pasur leje për armë zjarri, por fakti që sipas informacioneve të MPB-së e ka mbajtur të mbushur, në mënyrë të paligjshme gjë që është në kundërshtim të plotë me ligjin. Fundja, vetë Furkan Saliu pranoi dje publikisht se kishte armë, dhe se sjellja e tij kontribuoi në përshkallëzimin e ngjarjeve. Vetë LSD-ja dhe Oliver Spasovski në të kaluarën kanë thënë se sulmi ndaj policëve është sulm ndaj shtetit, a duhet MPB-ja të heshtë për incidentin dhe ta bindë opinionin se policët e lënduar dje kanë goditur automjet të merimangës, siç bënin kur Spasovski për të mbuluar incidentin kur zyrtar i BDI-së rrahu policen, bëri deklaratë të këtillë publike”, tha Naum Stoillkovski – zëdhënës i VMRO DPMNE-së.

    Saliu u la i lirë nga stacioni policor i Autokomandës mbrëmë vonë. Në fjalën e tij në stacion, ai tha se janë fshirë të gjitha videot nga momenti i eskalimit të situatës. Ai edhe një herë deklaroi se nuk është fajtor dhe tha se nëse vepra vërtetohet, do të kërkojë falje dhe do të tërhiqet nga ekranet televizive.

    “Policët filluan të rrahin një djalë që nuk mori pjesë fare në përleshje, e futën nën makinë që të mos shihej dhe filluan ta rrahin. E nxora telefonin për ta dokumentuar, sepse djali nuk bëri asgjë. Ma morën telefonin, më arrestuan për rezistencë, sulm ndaj një oficeri policie, ju lutem më vërtetoni. Bërtas në video, dëgjohet, largohu – gazetar jam, po filmoj, 90 për qind e atyre policëve më njohin”, tha Saliu para stacionit policor. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    NATO e shqetësuar për retorikën secesioniste në Bosnje

    Lajmi i rradhës

    Shënohet “8 Prilli”, dita ndërkombëtare e romëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë