Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova ka pritur të shtunën në takim në vilën “Biljana”, homologun e saj nga Shqipëria, Bajram Begaj.
Siç njoftojnë nga Presidenca, në këtë takim janë vlerësuar lartë raportet e mira miqësore dhe bilaterale mes RMV-së dhe Shqipërisë, ndërkaq janë dakorduar se “lidhja infrastrukturore rajonale është mënyra më e mirë për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve”.
“Mes projekteve kyçe në këtë fushë është Korridori 8 i cili duhet të jetë ndër prioritetet që do të mundojë komunikim më të lehtë mes dy shteteve të rajonit”, thuhet mes tjerash në kumtesë.
Është biseduar edhe për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit, për angazhimin e përbashkët.
“Ekziston munsdësi që këto aktivitete të financohen nëpërmjet fondeve evropiane, të qasshme me aplikim të përbashkët në dy shtete”, thuhet më tej në njoftim.
Siljanovska-Davkova dhe Begaj gjatë pasdites kanë vizituar edhe disa nga objekteve antike në Ohër, duke vlerësuar se “nëpërmjet dialogut kulturor thellohen urat për afrim, besim, miqësi, kuptim të ndërsjellë dhe bashkëpunim”.
Në Ohër është hapur festivali tradicional “Vera e Ohrit”, ku të pranishëm ishin edhe krerët e lartë shtetëror, jo vetëm nga Maqedonia e Veriut, por edhe nga Shqipëria.
Në një resht të ulur shihen presidentja e Maqedonisë, Gordana Siljanovska, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Ata u shoqëruan nga kryeministri i Maqedonisë, Hristijan Mickoski. I pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti si dhe disa nga ministrat.
“Sot isha pjesë e hapjes së Verës së Ohrit, ngjarje e cila feston artin, kulturën dhe shpirtin e popullit tonë.
Me krenari dhe falënderim të madh e dhashë përkrahjen time sepse besoj se kultura është zemra e çdo shoqërie. Ohri, kjo perlë e shtetit tonë, sonte sërish shkëlqeu, jo vetëm me bukurinë natyrore të saj, por edhe me shpirtin i cili i bashkon artistët, qytetarët dhe të gjithë që e ndjejnë artin si mënyrë të jetesës. Le të na sjell kjo verë më shumë dashuri, inspirim dhe përbashkëti. T’i përkrahim aktivitetet që na bashkojnë dhe vlerat që na bëjnë njerëz më të mirë”, shkroi Mickoski në Facebook.






