Korrupsioni edhe tek krerët qeveritar!

    Dy ditë më parë kryeministri Zaev tha se nuk ka korrupsion në Qeveri, përkatësisht te ministrat dhe drejtorët e ndërmarrjeve publike ose shtetërore. Megjithatë, në periudhën e fundit, Qeverinë e tronditën disa skandale në lidhje me korrupsionin dhe keqpërdorimin e postit

    Dy ditë më parë kryeministri Zaev tha se nuk ka korrupsion në Qeveri, përkatësisht te ministrat dhe drejtorët e ndërmarrjeve publike ose shtetërore. Megjithatë, në periudhën e fundit, Qeverinë e tronditën disa skandale në lidhje me korrupsionin dhe keqpërdorimin e postit. Nën vëzhgimin e prokurorëve tashmë janë ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Dragi Rashkovski, për furnizim të dyshimtë të softuerëve dhe çështja e Lidija Dimovës e cila u shkarkua nga posti i drejtorit të Agjencisë kombëtare të programeve arsimore evropiane për shkak të mashtrimit dhe dëmtimit të supozuar prej mbi 400 mijë eurosh para evropiane, për çka Prokuroria Publike hapi hetim kundër saj pas ngritjes së kallëzimit penal nga Policia financiare.

    Maqedonia e Veriut këtë vit ishte më keq e ranguar deri më tani në indeksin për korrupsion të Transparency International. State Departamenti potencoi se edhe përskaj gjithë përmirësimeve, korrupsioni mbetet problem kryesorë, ndërsa Bashkimi Evropian në raportin e tij të fundit vlerëson se “korrupsioni është prezent në shumë lëmi”. Ndërsa, autoritetet thonë se fuqishëm kundërshtojnë korrupsionin, për dallim nga qeveria e kaluar. Nga Qeveria kumtojnë se po i marrin parasysh raportet ndërkombëtare dhe procedojnë për të njëjtat, edhe pse pas raportit të Transparency International në janar të këtij viti thanë se korrupsioni nuk është rritur, por bëhet fjalë vetëm për perceptim të qytetarëve.

    Kryeministri Zoran Zaev si fajtorë për korrupsion i potencoi zyrtarët nëpër sportele. Ministrat dhe Drejtorët nuk janë të korruptuar, tha kryeministri duke komentuar raportin e State Departamentit e cila mes tjerash potencohet se korrupsioni është problem për udhëheqjen e biznesit në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri thotë se në eshalonin më të lartë të pushtetit, përfshirë edhe eshalonin  e dytë nuk ka korrupsion, por korrupsion ka në pjesën e funksionimit administrativ në institucionet publike.

    “Ne e kemi të qartë nga ana e Qeverisë në bazë të gjitha analizave bashkë me Transparency International, me State Departamentit, me delegacionin evropian këtu, edhe me shumë organizata tjera qytetare e vërtetuam nivelin e korrupsionit që po ndodhë në nivelin e tretë. Aty ku qytetarët kanë punë nëpër sportele, lista pronësore, miratime për ndërtim, zgjidhje, ose të ngjashme, do ta ndryshojmë”, tha Zaev.

    Por vetëm gjatë qeverisjes së LSDM-së për korrupsion dhe kurdisje të tenderëve ishin arrestuar ish sekretari gjeneral i Qeverisë së LSDM-së, Dragi Rashkovski dhe sekretari gjeneral në Ministrinë për Shoqëri Informatike Jahi Jahiu. Për ish personin e parë të Fondit të Shëndetësisë, u publikuan video-materiale në të cilën supozohet se kishte marrë ryshfet. Drejtoresha e Agjencisë nacionale për programe evropiane arsimore, Lidija Dimovska ishte shkarkuar pasi u zbardh afera me dhënien të paligjshme të grandeve personave të afërt. Gjatë kohës së qeverisjes së LSDM-së në burg përfundoi edhe prokurorja speciale Katica Janeva për ryshfet gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Afera ka pasur edhe me furnizimin e vaksinave kineze gjatë kohës së pandemisë përmes një kompanie të panjohur nga Honkongu, me pretendime se këtu ka qenë i përfshirë ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, por e gjithë mbeti në spekulim.

    Partitë nga opozita reaguan pas deklaratës së kryeministrit Zaev. “Edhe kur Zaevi thotë se nuk ka krim dhe korrupsion në eshalonet më të larta, me këtë i qeshet në fytyrë State Departamentit dhe qytetarëve të cilët për çdo ditë e shohin krimin”, thotë zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.  Ndërsa Aleanca për Shqiptarët fton kryeministrin Zoran Zaev që urgjentisht të tërhiqet nga akuzat ndaj administratës publike dhe tu kërkojë falje të gjithë administratorëve. “Të amnistosh ministrat e drejtorët nga korrupsioni dhe të akuzosh administratorët për vlerësimet e fundit të State Departamentit është vetëm një tentim qyqar për të turbulluar opinionin dhe një goditje e rëndë për ata që edhe ashtu janë duke punuar nën presionin të vazhdueshëm dhe në kushte të mjerueshme”, kanë theksuar nga Aleanca për Shqiptarët.

    Rashkovski është në paraburgim shtëpiak, i dyshuar se ka keqpërdorur pozitën zyrtare gjatë një tenderi për furnizim publik. Ai më parë ka qenë i akuzuar edhe për afera të tjera, si ajo me firmën italiane Leonarde për mito. Ai atëherë kërkoi falje dhe shpëtoi nga padia, pastaj ra në “Invoka”. Jahiu dhe një koleg i tij, ishin arrestuar sepse kanë marrë ryshfet për dhënien e të dhënave konfidenciale një kompanie italiane që të fitojnë një tender milionësh. Jahiu ishte pjesë edhe e administratës së Zaevit, edhe pse për veprat që ngarkohet i ka bërë më herët. Ai ishte arrestuar në vitin 2019 për vepra që i ka bërë në vitin 2014 dhe 2015.

    Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësorë, Den Donçev ishte në “shënjestër” në skandal korruptiv për të cilin opozita e quajti “Reket 2”. Bëhet fjalë për rastin me “Diamed” ku sipas akuzave të ish pronares, por edhe të opozitares VMRO-DPMNE, ka tentuar ta pengon shitjen e kësaj kompanie investitorit të huaj. Donçev ka qenë i përfshirë edhe në një rast tjetër për të cilin hetim udhëheqë Drejtoria për zbulim financiar në kërkesë të Prokurorisë Publike. Bëhet fjalë për periudhë deri sa ishte drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor, ndërsa ka marrë para për shërbime konsultative në bazë të rrogave, nga kompania me veprimtari themelore internet-portale që ka qenë e financuar nga një kompani e huaj. Ai dha dorëheqje për shkaqe shëndetësore.

    Këtë vit Maqedonia e Veriut ishte më keq e ranguar deri më tani në indeksin për korrupsion të Transparency International me rënie prej pesë vendeve në vendin e 111 në shoqëri me BeH, Panama dhe Mongolinë. Vendi bashkë me BeH gjenden në fund në rajon sipas perceptimit për korrupsion. LSDM erdhi në pushtet në fund të majit 2017. Në raportin për vitin 2018 të Transparency International në të cilën u pasqyrua gjendja pas një vit e gjysmë të qeverisjes së LSDM-së, Maqedonia e Veriut dhe Kosova e kanë ndarë vendin e 93  në raport me korrupsionin, ndërsa edhe atëherë vendi ishte më dobët e ranguar në Ballkan.

    State Departamenti në raportin e saj të fundit për klimën investuese në vend, potencoi se udhëheqja e biznesit është përgjithësisht e lehtë në Maqedoninë e Veriut dhe korniza ligjore në masë të madhe është në përputhje me standardet ndërkombëtare, por korrupsioni është një problem i vazhdueshëm. Në të vërehet se  se mjedisi i përgjithshëm rregullator i vendit mbetet kompleks dhe ndryshimet e shpeshta rregullatore dhe ligjore, së bashku me interpretimet jokonsistente të rregullave, krijojnë një mjedis biznesi të paparashikueshëm të favorshëm për korrupsion, thuhet në raport. Në raport potencohet se Qeveria në përgjithësi i zbaton ligjet, por ka raporte të shumta ku thuhet se disa zyrtarë mbeten të angazhuar në aktivitete korruptive. Në raport ceket edhe puna pozitive e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, e cila ka hapur një numër të madh të hetimeve lidhur me korrupsionin, përfshirë edhe aty ku janë të përfshirë funksionarë të lartë. Por kryetarja e Antikorrupsionit këto ditë deklaroi se në këtë luftë si duket janë të vetëm. “Fatkeqësisht, ne shpesh ndiejmë se jemi vetëm në këtë luftë shumë të rëndësishme, pavarësisht vullnetit deklarativ, por edhe të shprehur në mënyrë selektive për të luftuar korrupsionin nga strukturat e tjera, të cilët janë kompetent për sjelljen e vendimeve të rëndësishme në nivel shtetërorë dhe lokal. Vlerësoj se përforcimi i integritetit, është zgjidhja e vetme, dhe duhet të jetë mision i përbashkët dhe përgjegjësi për gjithë institucionet në sistem”, deklaroi Biljana Ivanovska, kryetare e Antikorrupsionit.

    Në raportet e BE-së për përparimin e Maqedonisë së Veriut, njëra nga kritikat më të mëdha edhe më tej është për luftën kundër korrupsionit. Në raportin e publikuar vitin e kaluar në tetor, KE vlerëson se “korrupsioni është prezent në shumë lëmi” dhe kërkon qasje më aktive nga gjithë aktorët. Në atë pjesë përshëndetet edhe puna e Komisionit për Antikorrupsion./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Aleanca e shëmtuar e Ramës me Vuçiç kundër Kurtit

    Lajmi i rradhës

    Alergjia nga dielli: Çfarë duhet të dini dhe si të kujdeseni

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë