“Korrupsioni në RMV në nivel shqetësues, zbatohet vetëm 10 për qind e strategjisë”

    Gjatë vitit 2022 është zbatuar vetëm se 10 për qind e strategjisë për luftën kundër korrupsionit gjë që le hapësirë për rritjen e mëtejmë të korrupsionit në vend. Ky fakt, sipas kryetares së komisionit antikorrupsion Biljana Ivanovska dëshmon përkushtimin e dobët të institucioneve, ndryshimet e shpeshta të funksionarëve, si dhe administratë jo mjaftueshëm profesionale falë ndikimeve politike gjatë punësimeve.

    “I theksova edhe rreziqet për korrupsion të cilat po ashtu janë detektuar gjatë përgatitjes së strategjisë kombëtare, do ti përmend më të rëndësishmet, mungesën e integritetit, ndikimin e fuqishëm politik posaçërisht gjatë punësimit përmes kanaleve të njohura të nepotizmit, shërbimet dhe klientelizmin, mosndëshkimin, mungesën e transparencës së plotë, të digjitalizimit, e gjithë kjo kontribuon të ketë një klimë të këtillë siç ekziston… derisa jepen mundësi për sjelljes korruptuese është e natyrshme që ajo të rritet…”, deklaroi Biljana Ivanovska, Kryetare e Anti-Korrupsionit.

    Zëvendëskryeministrja për krijimin e politikave të mira, Sllavica Grkovska theksoi se nuk pajtohet me qëndrimet e shefes së anti-korrupsionit.

    “Nuk mund të pajtohem me gjithçka që e tha kryetarja për shkak se ata janë konstatime të përbashkëta… Anti-korrupsioni është njëra nga shtyllat e qeverisjes së mirë dhe ajo është e përfshirë në të gjitha proceset. Ne nuk mund të themi se kjo është përgjegjësi vetëm e një njeriu, e një Qeverie e një institucioni, përkundrazi është përgjegjësi e çdo viti, e nëse flasim për atë se shoqëria ka lëshime ose sistemi ka lëshime, unë gjithmonë insistoj në përgjegjësi konkrete dhe individuale sepse sistemi dhe shoqëria në esencë jemi ne”, tha Sllavica Grkovska, zv/kryeministre.

    Por ambasadori i BE-së në Maqedoni, Dejvid Gir, thotë se korrupsionit në vendin tonë është në nivel shqetësues.

    “Kemi rezultate shqetësuese, vetëm 10% të realizimit të aktiviteteve, që është gjysma e përqindjes së vitit 2021 kur kishte 20% realizim edhe pse as atëherë nuk ishte ndonjë numër inkurajues. Gjithsesi se qeveria duhet të ndërmarrë rolin udhëheqës por edhe Kuvendi, institucionet shtetërore dhe gjyqësori. Edhe angazhimi politik është i rëndësisë kyçe, që do të thotë ministritë, vetëqeverisja lokale në institucionet shtetërore duhet patjetër të veprojnë sipas rekomandimeve të Komisionit për Anti Korrupsion dhe të Entit shtetëror për revizion”, u shpreh Dejvid Gir, ambasador i BE-së.

    Ndërsa përfaqësuesja e USAID në Maqedoni, Don Karmin theksoi se SHBA si vend partner jep mbështetje, por luftën kryesore duhet ta bëjnë vetë institucionet e vendit.

    “Ne jemi partner i juaji dhe do të përdorim gamë të gjerë të veglave për të arritur sukses, megjithatë ky është vendi juaj dhe nuk mundemi ne ta zgjidhim korrupsionin në vendin tuaj”, theksoi Don Karmin, USAID Maqedoni.

    Për tejkalimin e faktorëve të rrezikut në institucione janë evidentuar 54 probleme, u propozuan 111 masa dhe 191 aktivitete, nga të cilat 40 për qind i referohen sektorëve të arsimit, shëndetësisë dhe atyre ligjzbatuese. Shkalla më e ulët e realizimit të aktiviteteve anti korrupsion vërehet në Ministritë e Shoqërisë informatike dhe Administratës e cila nuk ka filluar asnjë nga 13 aktivitetet e parashikuara, pason Ministria e Bujqësisë si dhe Fondi i Sigurimit Shëndetësore. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Vazhdon heshtja e “Financave” për lojërat e fatit në RMV

    Lajmi i rradhës

    Alternativa: Vjedhja e BDI-së u kushton shqiptarëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë