KORRUPSIONI NË RMV | Peach: Qeveria duhet të dëshmojë se po ballafaqohet me këtë problem

    Qytetarët e Maqedonisë së Veriut e perceptojnë korrupsionin si një ndër problemet kyçe në vend dhe Qeveria duhet të dëshmojë se po ballafaqohet me këtë problem, porositi në intervistë për AIM, përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, lordi Stuart Peach.

    “Anketat këtu tregojnë se opinioni, qytetarët e Maqedonisë së Veriut e perceptojnë korrupsionin si problem. Qeveria duhet të dëshmojë se po ballafaqohet me këtë problem. Të kesh një sistem të pavarur për emërime të bazuara në merita, për shembull proces zgjedhor transparent të personave në pozita kyçe, përfshirë edhe për gjykatës, anëtarë të Komisionit për Luftë Kundër Diskriminimit dhe persona në pozita të larta udhëheqëse paraqet fillim të mirë, së bashku me nevojën për transparencë dhe llogaridhënie në shumë institucione publike”, theksoi Peach, i cili këtë javë ishte në vizitë në vend dhe realizoi takime me përfaqësues të kreut shtetëror.

    Ai thotë se, Mbretëria e Bashkuar mbështetë agjendën ambicioze të reformave të Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe reformat që duhet të zbatohen për anëtarësim të vendit në Bashkimin Evropian.

    Sipas tij, të gjithë politikanët e RMV-së duhet të mendojnë mirë çfarë është në interes më të mirë për shtetin dhe për qytetarët, të cilët jetojnë në të dhe theksoi se është koha që të gjitha aktorët politikë të ndihmojnë në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

    Duke folur për ndryshimet kushtetuese dhe gjendjen faktike se realisht për momentin nuk është siguruar shumica e nevojshme prej dy të tretave, Peach tha se do të ishte e pandershme ndaj qytetarëve të vendit që të prolongohet rruga evropiane në të cilën qeveritë e ndryshme kanë punuar shumë gjatë shumë viteve.

    “Kjo nuk duhet të shihet si fitore vetëm e Qeverisë që është në pushtet tani, ajo është ftore e të gjitha qeverive paraprake dhe para së gjithash për qytetarët maqedonas. Jemi të vetëdijshëm se rruga nuk ka qenë e lehtë dhe se ka pasur shumë pengesa gjatë viteve dhe për këtë i inkurajoj të gjithë politikanët të mos lejojnë që politika të ndikojë ndaj njërës nga qëllimet më të rëndësishme strategjike që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut. Nevojitet përpjekje e përbashkët që Maqedonia e Veriut të arrijë anëtarësimin më se të merituar në BE”, theksoi Peach.

    Ai shprehi shqetësim për tensionet e fundit në raportet bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por shtoi se është i bindur se ka shkallë të ndjeshme të vullnetit të mirë te të gjitha palët dhe se beson se do të gjendet zgjidhje.

    Lajmi Paraprak

    Tetova pa banesa sociale, ministria e hedh fajin te komuna

    Lajmi i rradhës

    Tefloni dhe kimikatet e përjetshme: Helmi i fshehur në trup

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë