Kos paralajmëron ndryshime në procesin e zgjerimit: të mos lejojmë që “kuajt e Trojës” të hyjnë në BE

    Eurokomisionerja për Zgjerim, Marta Kos, prezantoi propozimin e Komisionit Evropian për reformimin e procesit të zgjerimit të BE-së, duke bërë të ditura planet për integrim gradual, kontroll më të rreptë të vendeve kandidate dhe një metodologji të re. Ajo tha se procesi po hyn në një “moment të ri të Helsinkit”, përcjell Nistori.

    “Bota ka ndryshuar. Edhe zgjerimi duhet të ndryshojë bashkë me të”, deklaroi Kos në Konferencën e Ambasadorëve Kroatë në Zagreb.

    Në fjalimin e saj, Kos theksoi elementet kryesore të rishikimit të ardhshëm të politikës së parazgjerimit, një nismë e vonuar prej kohësh, e cila shqyrton se si mund të funksionojë Bashkimi Evropian me më shumë se 30 shtete anëtare. Komisioni e ka rikthyer këtë çështje në vëmendje përpara një diskutimi të rëndësishëm të liderëve të BE-së, i cili pritet të zhvillohet në tetor.

    Sipas Kos, BE-ja po përballet me një “moment të ri të Helsinkit”, duke iu referuar takimit të liderëve evropianë në kryeqytetin finlandez, i cili hapi rrugën për zgjerimin pas Luftës së Ftohtë dhe pranimin e dhjetë anëtarëve të rinj.

    “Komisioni do të prezantojë idetë e tij se si Bashkimi Evropian duhet të përgatitet, ndërsa vendet kandidate i afrohen fundit të negociatave për anëtarësim”, tha Kos.

    Ajo vlerësoi se një Union më i madh do të ketë nevojë për reforma të rëndësishme, në mënyrë që të ruajë aftësinë për të vepruar shpejt dhe për t’u përshtatur në kohë krizash.

    “Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për ta bërë procesin e vendimmarrjes më të thjeshtë dhe më fleksibël. Kjo mund të nënkuptojë edhe zvogëlimin e numrit të fushave në të cilat një shtet anëtar mund t’i bllokojë të gjithë të tjerët. Por kjo NUK do të nënkuptojë zvogëlimin e institucioneve tona”, tha Kos.

    Një tjetër element që ajo theksoi është forcimi i mekanizmave ekzistues mbrojtës, me qëllim parandalimin e largimit të anëtarëve të rinj nga standardet demokratike dhe parimet e sundimit të ligjit, siç ka ndodhur me Hungarinë.

    “Duhet të sigurohemi që të mos lejojmë që ‘kuajt e Trojës’ të hyjnë në BE. As sot, as pas 10 apo 20 vjetësh. Përvoja e fundit ka treguar se mund të nevojiten masa mbrojtëse më të fuqishme për të parandaluar dhe, nëse është e nevojshme, për të korrigjuar shkeljet e parimeve dhe vlerave themelore të Unionit”, tha Kos.

    Disa vende të BE-së, veçanërisht Franca dhe Gjermania, kanë sugjeruar që blloku ta rishqyrtojë metodologjinë e zgjerimit, veçanërisht përmes integrimit gradual, i cili do t’u mundësonte vendeve kandidate të përfitonin konkretisht që në një fazë më të hershme të procesit.

    “Zgjerimi i BE-së duhet të evoluojë për t’iu përgjigjur realitetit të sotëm. Prandaj, duhet të largohemi nga logjika ‘gjithçka ose asgjë’ në procesin e zgjerimit. Duhet të kërkojmë mënyra më ambicioze për integrim gradual”, tha Kos.

    Lajmi Paraprak

    Malësia e Tetovës zbrazet: edhe këtë vit shkollor pa nxënës!

    Lajmi i rradhës

    “Shengeni po na pamundëson punën”, transportuesit nga RMV-ja paralajmërojnë bllokimin e kufijve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë