Kosova dhe Serbia pajtohen për zbatim të marrëveshjes për energjinë

    Për qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, do të fillojë faturimi i rrymës së shpenzuar.

    Kështu deklaroi kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë Besnik Bislimi, pas arritjes së pajtimit për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë në Bruksel më 21 qershor.

    “Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”, ka shkruar Bislimi në Twitter pas takimit ndërmjet palëve nga Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

    Qytetarët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht me shumicë serbe – nuk kanë paguar rrymën e shpenzuar që nga viti 1999.

    I dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se dakordimi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë është “një hap i madh përpara”.

    Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për energjinë më 2013, por ajo kurrë nuk ishte zbatuar.

    Udhërrëfyesi, për të cilin palët u dakorduan më 21 qershor, parasheh që Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës(ZRRE), t’i lëshojë licencë për furnizim kompanisë nga veriu, Elektrosever, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

    Shtatë ditë pas licencimit, Elektrosever, përmes BE-së, do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat për konsumatorët. Dhjetë ditë pas marrjes së licencës, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshje teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun e Kosovës, në katër komunat në veri.

    Brenda 15 ditësh nga nënshkrimi i marrëveshjeve teknike me KOSTT-in, Elektrosever do të pajiset me numrin e identifikimit për energji (EIC – Energy Identification Code), që të mund t’i kryejë veprimet e parapara me licencën e furnizimit.

    Brenda 30 ditëve nga lëshimi i licencës, KEDS-i dhe KOSTT-i do të kenë qasje në nënstacionin elektrik në Vallaç dhe tek infrastruktura tjetër ekzistuese. Nënstacioni elektrik në Vallaç është një prej pikave, e cila i furnizon me energji elektrike katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe hidrocentralin e Ujmanit (Gazivodës), si dhe i takon rrjetit të shpërndarjes së Kosovës edhe sipas Marrëveshjes së Brukselit për energjinë të vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015.

    Po ashtu, brenda 45 ditëve të sigurimit të licencës, KOSTT-i dhe KEDS-i, në konsultim me Elektrosever-in, do t’ia dorëzojnë ZRRE-së një plan investimi, kostot e mirëmbajtjes si dhe humbjet në rrjet, bazuar në analizën e infrastrukturës ekzistuese.

    Çfarë tjetër pritet nga takimi në Bruksel?

    BE-ja pret që gjatë takimeve të sotme, pos finalizimit të udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energji, të diskutohet edhe për përgatitjet për një takim në nivelin e lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Për një vit nuk ka pasur takime në nivel të tillë.

    I dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialog, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar fillimisht takime bilaterale me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është shef i delegacionit të Kosovës për dialog, e më pas takim të njëjtë edhe me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.

    Detajet e udhërrëfyesit për zbatim të marrëveshjes

    Marrëveshja për energji ishte arritur në vitin 2013, e pastaj ishte konfirmuar edhe në vitin 2015. BE-ja do të luajë rolin e lehtësuesit edhe në implementimin e kësaj marrëveshjeje.

    Burimet e BE-së kanë thënë se do të diskutohet edhe për çështjen e të pagjeturve. Një deklaratë e përbashkët e Kosovës dhe Serbisë për këtë çështje është gati, por ka mbetur që të saktësohen disa terme që përmenden në të, në mënyrë që ajo edhe të nënshkruhet.

    Takimet e së martës në kuadër të dialogut po zhvillohen vetëm dy ditë para se në Bruksel të zhvillohet një takim i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

    Po ashtu, raportet mes këtij rajoni dhe BE-së, si dhe procesi i zgjerimit, do të jenë tema edhe të Këshillit Evropian që zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.

    Pikërisht dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë shihet si një prej sfidave më të mëdha për rolin e Bashkimit Evropian në rajon.

    Deri më tash në BE nuk kanë qenë të kënaqur me rezultatet e dialogut dhe tash kërkojnë që sa më parë të ketë progres konkret që do të çonte deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, e cila do t’u mundësonte Kosovës dhe Serbisë përparim në realizimin e aspiratave evropiane.

    Arritja e marrëveshjeve ndihmon në krijimin e rrethanave për takim në nivel të lartë dhe për avancim të dialogut drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, thonë diplomatët në BE.

    Mungesa e gatishmërisë nga ana e palëve për marrëveshje deri më tash është përmendur nga BE-ja si arsye pse nuk është thirrur ndonjë takim i ri i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Me përjashtim të një takimi të tyre në Berlin Kurti dhe Vuçiq në kuadër të dialogut nuk janë takuar tash e një vit. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Sot shqyrtohet Propozim-ligji për mbrojtjen e konsumatorit

    Lajmi i rradhës

    Gazetari rus shet medaljen e Çmimit Nobel për 103 milionë dollarë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë