Kosova humb miliona euro nga përdorimi i dinarit serb

    Përdorimi i dinarit serb nëpër komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës, po i shkakton dëme milionëshe buxhetit të vendit, pasi shitjet që bëhen përmes kësaj valute nuk deklarohen në Administratën Tatimore të Kosovës.

    Përveç kësaj, përdorimi i dinarit konsiderohet antiligjor dhe antikushtetues. Në nenin 11 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet se në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme, ndërsa me Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) po ashtu thuhet se sipas kërkesës, Banka Qendrore do të këmbejë kartëmonedhat dhe monedhat e euros.

    Janë mbi 50 mijë qytetarë serbë të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pensionistët, të cilët paguhen nga shteti i Serbisë në dinarë, ndërsa punojnë në institucione paralele të shëndetësisë, arsimit dhe kulturës që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

    Sllavica Jankoviq, pensioniste nga veriu i Mitrovicës, tha se në atë pjesë përdoren dinari dhe euro si valuta për blerje nëpër dyqane. Ajo pranoi se pensionin e merr përmes postës në dinarë.

    “Kush qysh gjendet, këtu përdoren njëra dhe tjetra (dinari dhe euro). Pensionin e marrim në dinarë”, tha Jankoviq.

    Edhe Momir Millojeviq, një qytetar tjetër nga veriu i Mitrovicës, bëri të ditur se pensionin e merr përmes postës në dinarë.

    “Në dinarë, pensionin e marrë në postë”, tha ai.

    Analisti serb, Branisllav Krstiq, theksoi se në Kosovë janë rreth 60 mijë qytetarë serbë të cilët marrin paga në dinarë nga buxheti i Serbisë.

    Ai konsideron se me formimin e asociacionit, kjo çështje do të zgjidhet, sepse institucionet paralele do të funksionojnë në kuadër të një buxheti të përbashkët, dhe pagat nga Beogradi për serbët e Kosovës, do të ekzekutohen në euro.

    “Jo vetëm në katër komunat veriore, dinari përdoret edhe në gjashtë komunat, ku serbët janë shumicë, që do të thotë pagat nga buxheti i shtetit të Serbisë. Kemi shëndetësinë, institucionet e edukimit, kulturore…Ne në Kosovë, kemi rreth 60 mijë njerëz që marrin pagën nga buxheti i shtetit të Serbisë”.

    “Me formimin e asociacionit, do të kemi një situatë tjetër. Asociacioni-vetëmenaxhimi do ta zgjidhë çështjen e institucioneve paralele brenda një buxheti të përbashkët, ku pagesat në euro nga Beogradi, do të vijnë në Prishtinë, të cilat pastaj do të ndahen tek qytetarët”, u shpreh Krstiq.

    Ndërkaq, ekonomisti Berat Jashari, e vlerëson si shumë të dëmshëm në aspektin ekonomik përdorimin e dinarit në Kosovë. Kjo dukuri, shtoi ai, po i shkakton humbje miliona euro vendit.

    “Përdorimi i dinarit në Republikën e Kosovës, është një e keqe shumë e madhe që po i ndodhë tregjeve, bankave, si dhe BQK-së…Humbjet nga përdorimi i tij janë me miliona euro”, tha ai.

    Në anën tjetër, njohësi i çështjeve juridike, Musa Damati, e quajti anti-kushtetues dhe ilegal në aspektin ligjor përdorimin e dinarit në Kosovë.

    Sipas tij, derisa nuk ekziston ndonjë marrëveshje reciproke bilaterale midis dy shteteve, qarkullimi i dinarit është veprimtari ilegale.

    “Në Republikën e Kosovës, çdo valutë e huaj që qarkullon.. duhet të rregullohet juridikisht nga ana e mekanizmave përkatës, në rastin konkret BQK-së, ose edhe Ministrisë së Financave, duke zbatuar strategji të caktuara të Qeverisë së Kosovës, përmes të cilave rregullohet funksionimi apo edhe sanksionohet funksionimi i një valute të huaj”.

    “Deri tani nuk është se kemi parë ndonjë marrëveshje bilaterale në mes të dy shteteve për qarkullimin e dinarit në territorin e Kosovës dhe çdo mungesë e marrëveshjeve reciproke apo edhe rregullimit juridik të fushëveprimtarisë të qarkullimit të valutave të huaja në territorin e Kosovës, patjetër se përbën veprimtari ilegale, e cila nga mekanizmat përkatës financiar duhet të sanksionohet” , u shpreh avokati Damati.

    KosovaPress-i ka kërkuar përgjigje rreth kësaj çështje në adresë të BQK-së, mirëpo zyrtarë nga ky institucion financiar nuk janë përgjigjur.

    Lajmi Paraprak

    Gjykata botërore hap seancën mbi akuzat e Afrikës së Jugut se Izraeli po kryen gjenocid në Gazë

    Lajmi i rradhës

    Ish-trajneri i Anglisë rrëfen betejën me kancerin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë