KQZ: mbi 33 mijë votues të rinj në zgjedhje lokale

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot mbledhjen e 41-të për këtë vit, nën udhëheqjen e kryesuesit Kreshnik Radoniqi.

    Mbledhja elektronike u përqendrua në raportin mbi Listën Preliminare të Votuesve për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.

    Sipas këtij raporti, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është 2,067,998, që përfaqëson një rënie prej 7,870 votuesish krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Ndërkohë, në këto zgjedhje do të marrin pjesë për herë të parë 33,540 votues të rinj, prej të cilëve:

    26,654 janë të rinj që kanë arritur moshën 18 vjeç pas zgjedhjeve të fundit,

    6,886 janë persona që janë regjistruar rishtazi në Regjistrin Qendror Civil ose kanë rifituar shtetësinë.

    Nga lista janë larguar gjithsej 41,410 votues për arsye të ndryshme:

    6,276 të ndjerë të evidentuar nga Agjencia e Regjistrit Civil,

    340 persona që kanë humbur shtetësinë e Kosovës,

    2,967 të vdekur të identifikuar përmes krahasimit me të dhënat e Departamentit të Pensioneve,

    117 persona që kanë humbur zotësinë e veprimit,

    471 votues mbi 100 vjeç të larguar pas analizës me të dhënat e ASK,

    dhe 31,239 persona të paverifikuar që figurojnë vetëm në një nga regjistrat e brendshëm.

    Gjithashtu, KQZ ka miratuar listën e 945 Qendrave të Votimit në 38 komuna të Kosovës. Prej tyre:

    907 do të jenë për votim të rregullt,

    38 do të shërbejnë për votim me kusht – nga një për çdo komunë.

    Ky proces i përditësimit të të dhënave vlerësohet si pjesë e përpjekjeve për garantimin e integritetit zgjedhor dhe besueshmërisë në procesin demokratik në nivel lokal. KQZ ka paralajmëruar se veprimet e mëtejshme do të vijojnë sipas afateve të parapara në kalendarin zgjedhor.

    Lajmi Paraprak

    Qeveria do të ndjekë penalisht ish-drejtorin e EShS-së, Apostolin dhe Selamin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë