“Kriza klimatike në RMV mund të zbutet vetëm nëpërmjet veprimit të përbashkët”

    Krizat globale si ato ekonomike, të sigurisë dhe klimatike, të cilat mund të kërcënojnë zhvillimin e shoqërisë, paraqesin sfidë serioze për të gjitha vendet dhe komunitetet. E vetmja mënyrë që këto kriza mund të zgjidhen është me përfshirjen aktive dhe bashkëpunimin e të gjithë palëve të interesuara në gjetjen e zgjidhjeve dhe përgjigjeve të reja. Bashkëpunimi i suksesshëm është i mundur kur mbështetet në besim të ndërsjellë, qëndrueshmëri, motivim dhe transparencë. Ky përfundim u arrit në ngjarjen përfundimtare të projektit katërvjeçar “Organizatat e Shoqërisë Civile në Veprim për Ndryshimet Klimatike”, të zbatuar nga “Eko-svest” dhe të mbështetur financiarisht nga Suedia, i cili u zhvillua dje në Shkup.

    Qëllimi kryesor i projektit ishte rritja e kapaciteteve të sektorit të shoqërisë civile për të qenë nxitëse e proceseve të dekarbonizimit në vend, dhe kështu të ndryshimeve pozitive për mbrojtje të shtuar të mjedisit, thuhet në njoftimin për media nga “Eko- svest”.

    “Maqedonia e Veriut është zotuar për një tranzicion të gjelbër dhe që kjo të ndodhë, nevojitet veprim nga të gjithë palët e interesuara relevante në nivel lokal dhe nacional. Sektori civil duhet të jetë një rregullator dhe në një farë mënyre të ushtrojë presion mbi autoritetet që të mos devijojnë nga kjo agjendë. Tranzicioni është një sfidë, por gjithashtu hap shumë mundësi. Sektori civil duhet të mbledhë të dhëna relevante nga akademia, bizneset, sektori privat dhe qytetarët për të siguruar barazi në zbatimin e politikave të veprimit klimatik”, tha Elizabet Dalberg Frisk, zëvendës ambasadore e Suedisë në Maqedoninë e Veriut.

    Rezultatet e projektit u prezantuan përmes tre diskutimeve në panel që shpjeguan sfidat dhe mundësitë në forcimin e njohurive dhe inicimin e pjesëmarrjes në miratimin e politikave dhe ligjeve relevante për ndryshimet klimatike.

    Pjesëmarrësit arritën në përfundimin se aty ku Koalicioni nacional për klimën ishte partner në bashkë-krijimin e politikave, u përgatitën dokumente që marrin parasysh të gjitha argumentet dhe të gjithë palët e interesuara, dhe proceset siguruan transparencë dhe mësim për të gjitha palët e përfshira.

    “Unë besoj se sektori i shoqërisë civile, nëpërmjet mbështetjes së këtij programi, ka arritur të njihet si bashkëkrijues i dokumenteve dhe strategjive kryesore në fushën e mbrojtjes së klimës si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë lokal. Organizatat e shoqërisë civile janë partnerë që përfaqësojnë interesin publik dhe mund të ndihmojnë komunat dhe ministritë në zbatimin e planeve dhe programeve. Praktika të tilla pozitive kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e besimit të qytetarëve në institucione”, tha Ana Çoloviq Leshoska, drejtore ekzekutive e “Eko-svest”.

    Në kuadër të projektit “Eko-svest”, u dhanë grante me vlerë totale 24 milionë denarë për 16 organizata të shoqërisë civile, u organizuan trajnime dhe mentorime për mbi 60 organizata të shoqërisë civile dhe u zbatuan 13 fushata për të rritur ndërgjegjësimin publik për mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.

    U krijuan partneritete institucionale me 34 komuna dhe korniza ligjore dhe ndikimi në politikat kombëtare u përmirësuan duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile në përgatitjen e ligjit të ri për veprimin klimatik.

    Anëtarësimi i Koalicionit të Klimës u rrit në më shumë se 70 organizata të shoqërisë civile në të gjithë vendin dhe është bërë një lider kyç në avokimin e përbashkët për veprimin klimatik.

    Lajmi Paraprak

    Baresha

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë