Kryetari i ri i Këshillit Gjyqësor ua mbylli dyert mediave 

    Në vend që t’i pengojnë gjykatësit të cilët përmes veprimeve kanë shkatërruar reputacionin e gjyqësorit në vend duke mundësuar vjetërsimin e lëndëve të profilit të lartë dhe të vendosë në rend të ditës shkarkimin e tyre, kryetarit të ri të Këshillit Gjyqësor Sashko Georgiev, në seancën e parë të udhëhequr nga ai, i penguan kamerat e mediave dhe vendosi për largimin e tyre nga salla.

    “Opinioni do të jetë prezent, por mendoj që kamerat është e mjaftueshme të incizojnë pjesën hyrëse ndërsa më pas nuk ka nevojë. Kushtet janë të tilla, konsiderojmë se kjo nuk është jo-transparencë, por që të kemi kushte për punë”, tha Sashko Georgiev, kryetar i Këshillit Gjyqësor.

    Edhe pse deri më tani thuajse çdo seancë gjyqësore është incizuar nga mediat pa asnjë problem, Georgiev bashkë me anëtarët e tjerë të këtij institucioni sot vendosën se s’ka hapësira të mjaftueshme për të gjitha kamerat si dhe me prezencë të tyre, ata nuk mund të përqendrohen mjaftueshëm.

    Kryetarja e shkarkuar dy herë në mënyrë të kundërligjshme, Vesna Dameva fillimisht kundërshtoi ashpër këtë vendim por pasi kuptoi që vendimi ishte marrë në kolegjium, fillimisht u ankua pse nuk ka qenë e ftuar, më pas u pajtua duke thënë se do ta respektojë shumicën.

    “Marrë parasysh gjithë asaj që ka ndodhur në Këshillin Gjyqësor, opinioni, por edhe kamerat gjithsesi që duhet t’i ndjekin seancat. Tek ata ende ka interesim, unë frikësohem që periudhën e ardhshme interesimi i mediave do të bjerë, sepse mbase janë të zhgënjyer prej veprimeve të Këshillit Gjyqësor. Kështu që unë kategorikisht jam kundër, përderisa ka interes, duhet të incizohet dhe të ndiqet”, u shpreh Vesna Dameva, anëtare e Këshillit Gjyqësor.

    Sipas rregullores së punës së Këshillit Gjyqësor, opinioni mund të përjashtohet vetëm kur bisedohet në lidhje me masa disiplinore për gjykatës. Por kjo nuk është hera e parë që mediat përjashtohen nga ky institucion në formë të kundërligjshme. Në seancën e parafundit, Vesna Dameva u shkarkua në seancë me dyer të mbyllura përkundër dispozitave ligjore. Edhe pse ndër arsyet për shkarkimin e Vesna Damevës më herët u përmend edhe letra e dërguar nga ambasadorja amerikane Angela Aggeler, as në seancën e parë të “përbërjes së re” nuk u diskutua për shkarkimin eventual të gjykatësve për të cilët Aggeler kishte thënë se kanë mundësuar vjetërsimin e lëndëve gjyqësore të profilit të lartë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Tetë vjet nga luftimet në Lagjen e Trimave, Grupi i Kumanovës pret transferimin në Kosovë

    Lajmi i rradhës

    Mungesa e transportit publik problemi kryesor i qytetarëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë