Një situatë alarmante po kërcënon përditë jetën e banorëve të Komunës së Likovës dhe kalimtarëve të tjerë që përdorin rrugën rajonale të zonës. Kryqëzimi hekurudhor në këtë segment është jashtë funksionit, duke e kthyer atë në një rrezik të përhershëm për këdo që kalon aty, përcjell Nistori.
Pamje tronditëse të dërguara nga qytetarët tregojnë fëmijë, të moshuar dhe familje të tëra që detyrohen të kalojnë mbi binarët e trenit pa asnjë masë sigurie. Trafiku zhvillohet pa sinjalizime, pa trarë mbrojtës dhe pa asnjë ndërhyrje institucionale për të parandaluar ndonjë tragjedi të mundshme.
“Një bombë me sahat që mund të shpërthejë në çdo moment,” shprehen të shqetësuar banorët lokalë.
Ky kryqëzim i braktisur nga autoritetet përbën rrezik serioz për sigurinë publike. Banorët apelojnë për ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse, në mënyrë që të vendosen masa sigurie dhe të shmangen pasojat tragjike që duken gjithnjë e më të pashmangshme nëse situata vijon të injorohet.
Video nga Alsat M: