Që prej vitesh të ardhurat i siguronte nga qershitë, por, dy vitet e fundit, Ibraim Fejzullai nga Tetova po shënon vetëm humbje. Moti i ligë dhe temperaturat e ulëta, ashtu sikurse vitin e shkuar edhe sivjet i dëmtuan të gjitha qershitë dhe kajsitë. Humbjen e llogarit në rreth 20 mijë euro.
“Treqind rrënjë i kam, asgjë nuk mbijetoi nga i ftohti. I zhduku i ftohti të gjitha asnjë kokërr nuk mbeti. Nga këto 300 rrënjë kam nxjerr ndonjë vit 15 ndonjë vit 12 ton sikundër kanë dhënë fruta. Dhe i kam shitur kam nxjerr të ardhura për të mbijetuar, por sivjet i ftohti, vitin e shkuar breshëri dhe ja kemi ra në kolaps gati më. Asnjë të ardhur nga qershitë s’ka që prej dy vitesh”, tha Ibrahim Fejzullahu, bujk.
Fejzullahu, dëmin e paraqiti në komunën e Tetovës, dhe pret që të ndihmohet sepse përndryshe, pa ndihmën e komunës, me subvencione që nuk lëshohen, thotë që këtë punë do duhet ta braktisë.
“Katër pesë herë brenda viti duhet spërkatje, një spërkatje kushton 300-350 euro varësisht nga kimikalet. Nëse na ndihmon komuna ose Qeveria mirë do ishte, nëse jo do e lejmë krejt këtë gjë dhe aq. Do shkojmë para komunës të kërkojmë punë. Me çka tjetër të jetojmë. Nëse s’na ndihmojnë do e lejmë se s’kemi të ardhura t’i mirëmbajmë. S’kemi fuqi më. Edhe subvencionet ku na japin ku s’na japin. Nuk janë të rregullt ende subvencionet si kemi. Është dashur në mars t’i lëshojnë se atëherë na duhet për farat, jo kur t’u kujtohet. Por s’kanë çka na duhen mes vere”, shtoi Ibrahim Fejzullahu, bujk.
Komuna e Tetovës, nuk formoi komision për dëmshpërblim të tyre, por premtojnë se do iu ndihmojnë përmes këshillit komunal.
“Shkaku se është numri i vogël i bujqve që kërkuan dëmshpërblim, nuk mund të formohet komision i veçantë për këto bujq. Andaj në mbledhjen e radhës të këshillit në bazë të mundësive që kemi si komunë, do iu ndihmojmë përmes ndihmës financiare që do të ndajë këshilli”, theksoi Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Përndryshe, Komuna e Tetovës dhe Qeveria, nuk kanë dëmshpërblyer ende as 500 bujqit që vitin e shkuar pësuan dëme nga breshëri, shkaku i të cilës, shumica e tyre sivjet as që kanë mbjell tokat. /Alsat/