Avokati i Popullit alarmon se adoleshentët që ndodhen në entin përmirësues korrektues, tashmë 3 vite nuk e ndjekin procesin edukativo- arsimorë. Naser Ziberi, thotë se me pamundësimin e këtij procesi, shteti shkel rëndë mbi të drejtën e fëmijëve, dhe si rezultat i moskryerjes së këtyre obligimeve për riedukim dhe riaftësim, shpesh ndodh që këta persona të kthehen si përsëritës të veprave penale dhe shpeshherë kjo ndodh në fazën e moshës madhore.
Përsëritës të veprave penale.
“Do të bëhen 3 vite radhazi që as minorenët meshkuj dhe as ato femra, nuk ndjekin procesin edukativo arsimorë, ndërsa ligji e obligon shtetin që ata fëmijë që bien ndesh me ligjin dhe që udhëzohen me vendime gjyqësore që të shkojnë në riedukim duhet të ndjekin proces edukativo- arsimorë. Në fund të vitit shkollorë, njëjtë sikur fëmijët në procesin e rregullt arsimorë, të pajisen me dëftesa dhe certifikata adekuate dhe pas përfundimit të masës së shqiptuar nga gjykata për riedukim dhe përmirësim, të kthehen në shoqëri si gjithë të rinjtë e tjerë”, tha Naser Ziberi, Avokat i Popullit.
Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve thotë se është bërë analizë e gjendjes së shkallës së arsimit për personat që gjenden në institucionet ndëshkuese dhe ka kërkuar nga MASH që të fillojë me procesin arsimorë në këto institucione.
“Me qëllim të konstatimit të gjendjes faktike, Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve ka bërë analizë të gjendjes së shkallës së arsimit të personave në institucionet ndëshkuese dhe korrektuese. Pas përgatitjes së analizës, është dorëzuar kërkesë te Ministria e Arsimit dhe Shkencës për fillimin e procesit arsimorë në vitin shkollor 2025/2026, si në institucionet ndëshkuese, ashtu edhe në ato korrektuese”, thonë nga Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, thonë se po përgatitet edhe programi dhe plani mësimor sipas të cilit do të realizohet mësimi. Shkolla fillore, Anton Semjoniviq Makarenko në Shkup, do të organizojë procesin arsimorë edhe në këto institucione nga shtatori i këtij viti. /Alsat/