Në rast se përballen me korrupsion, studentët mund ta raportojnë atë tek avokati i popullit studentor. Nëse është një fenomen masiv, raportimi është anonim, nëse është një rast specifik, duhet të raportohet individualisht. Megjithatë, ata shpesh ndajnë praktika korruptive mes tyre dhe nuk i raportojnë fare. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut thonë se mos raportimi nuk do të thotë se nuk ka korrupsion, por ata ose nuk e njohin ose e heshtin nga apatia dhe frika. Studentja nga Fakulteti Filologjik në Universitetin Kirili dhe Metodi tha për gazetën Koha se ka pasur raste të tilla korruptive, mirëpo për t’i paraqitur ata duhet shumë guxim dhe siguri.
“Kemi hasur me raste të tilla, sidomos në vitet e para të studimeve, mirëpo edhe ashtu ne shqiptarët jemi të shtypur atje, nuk guxojmë ti paraqesim këto raste për shkaqe sigurie. Madje prandaj edhe këto informacione pranova ti them vetëm nëse mbetem anonim”, tha S.I.
Ndërkaq, nga nëntori i vitit 2023, Savçe Gjosheva mori postin e avokatit të popullit studentor në Universitetin “Kirili dhe Metodi” në Shkup, i cili përfshin 23 fakultete. Gjosheva, e cila është edhe studente si avokatët e tjerë, ka rolin e mbrojtësit të të drejtave të studentëve në rast të shkeljes së tyre. Mirëpo, sa i përket korrupsionit, ajo nuk është përballur me një ankesë të tillë gjatë mandatit të saj deri më tani.
“Është edhe për faktin se studentët nuk e njohin korrupsionin sepse e dimë që ka depërtuar në çdo vrimë. Ose nëse e njohin atë, ata nuk inkurajohen ta raportojnë atë. Ka indikacione se vërtet ka korrupsion në arsimin e lartë, këtë e shohim përmes bisedave të përditshme me studentët , por ata nuk do të na raportojnë. Më shpesh ndodh kur një profesor të kërkon të blesh librin e tij për të marrë një firmë ose të drejtën për të marrë një provim”, theksoi Gjosheva.
Ajo shtoi se më shumë ka të bëjë me frikën nga raporti i institucionit me vetë profesorin, duke pasur parasysh se ende ekziston një lloj autoritarizmi. Përkundër promovimit aktiv të luftës kundër korrupsionit përmes fushatave, Universiteti Goce Dellçev në Shtip, i cili bashkon 15 fakultete, ka një avokat të popullit studentor dhe një person përgjegjës për pranimin e raporteve për korrupsion, nuk ka pasur asnjë denoncim për korrupsion nga studentët.
Edhe në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Teknologjive të Informacionit, në mandatin trevjeçar të Avokatit të Popullit të studentëve atje, Stefan Naumovski, nuk ka pasur as edhe një aplikim të vetëm.
Ndryshe nga fakultetet, studentët ombudsmen dhe oficerët e antikorrupsionit, vitet e fundit në adresën e antikorrupsionit janë pranuar dhjetëra ankesa lidhur me punën e fakulteteve apo universiteteve. Në vitin 2022 në KSHPK janë dorëzuar 19 raportime, dy prej të cilave janë për Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” Shkup.
Siç thonë nga Antikorrupsioni, njëra përmban akuza të përgjithshme për paligjshmëri dhe keqpërdorime në Institutin Bujqësor, ndërsa e dyta përmban paligjshmëri në Fakultetin e Artit Muzikor në Shkup. Në vitin 2023, numri u rrit në 30. Prej tyre, 7 i referohen Universitetit të Kirilit dhe Metodit. Ndërsa, në vitin 2024 deri më tani janë dorëzuar 2 raportime.