Komisioni Evropian propozon krijimin e një baze të dhënash për kilometrat e përshkuara të regjistruara gjatë kontrolleve teknike të automjeteve, e cila do të ndahej mes të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Nga Brukseli mbështetet kjo masë si një mënyrë për të luftuar manipulimet me kilometrat.
Komisioni Evropian ka propozuar një paketë të re masash të fokusuara në përmirësimin e sigurisë rrugore, uljen e ndotjes nga trafiku dhe luftimin e mashtrimeve të ndryshme që lidhen me automjetet.
Rregullat e reja të propozuara përfshijnë krijimin e një regjistri të përbashkët të kilometrave të
përshkuara ndërmjet vendeve anëtare, për të frenuar manipulimin dhe “rinimin” e rremë të disa automjeteve që shiten në tregun e makinave të përdorura me qëllim mashtrimi të blerësve, shkruan e përditshmja franceze L’argus.
Disa vende të BE-së tashmë regjistrojnë kilometrat në baza të dhënash kombëtare. Një shembull është Belgjika, ku sistemi Car-Pass shërben si model në këtë fushë – shitësi i një veture të përdorur është i detyruar t’i dorëzojë blerësit këtë dokument, i përditësuar në çdo kontroll teknik. Edhe në Francë, kilometrat regjistrohen gjatë çdo kontrolli të detyrueshëm periodik.
Shitësi mund t’ia japë këto të dhëna blerësit përmes një linku që çon te baza zyrtare online e të dhënave për automjetin, edhe pse kjo nuk është e detyrueshme. Ndjekja e historikut të një makine mund të jetë veçanërisht e vështirë për modelet e importuara. Ideja e Komisionit është që këtyre bazave t’u jepet një dimension evropian. Në fillim të vitit 2024, kur Belgjika mori presidencën e radhës së BE-së për gjashtë muaj, disa zyrtarë të saj propozuan zgjerimin e sistemit Car-Pass në të gjithë Bashkimin Evropian.
Në praktikë, çdo shtet anëtar i BE-së do të ishte i detyruar të regjistronte gjendjen e kilometrave të çdo automjeti në një bazë të dhënash kombëtare në çdo kontroll teknik. Këto të dhëna do të transmetoheshin më pas në një bazë evropiane çdo herë që automjeti regjistrohet. Informacioni do të ishte i qasshëm për autoritetet (dhe ndoshta edhe për çdo blerës të mundshëm) nga cilado prej 27 vendeve anëtare të BE-së.
Lufta kundër mashtrimeve me kilometrat është e rëndësishme për mbrojtjen e konsumatorëve, por edhe për një konkurrencë të ndershme në tregtinë e automjeteve. Kjo do të ndihmojë në uljen e manipulimeve gjatë shitjes së makinave të përdorura. Si të gjitha masat e tjera të propozuara, edhe ky propozim tani do t’i nënshtrohet procedurave të gjata parlamentare në Parlamentin Evropian dhe në Këshill