Liderët kokë më kokë në njësinë e parë!

    Në zgjedhjet e fundit parlamentare nuk pati duele të drejtpërdrejta të liderëve. Edhe kur LSDM-ja udhëhiqej nga Branko Cërvenkovski, në vitin 2011 listën e deputetëve të LSDM-së në njësinë e parë zgjedhore e udhëhoqi Radmila Shekerinska, e cila si kandidate për kryeministër u përball me kryeministrin e atëhershëm dhe liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Kur Zoran Zaev mori stafetën e udhëheqjes, ai vendosi të kryesojë listën parlamentare në njësinë e katërt zgjedhore Strumicë-Prilep në zgjedhjet historike të vitit 2016, për faktin se autoritetin politik dhe kapitalin e fitoi si kryetar i Komunës së Strumicës. Më pas, Gruevski, kushtimisht thënë, iku nga “njësia 1” dhe shkoi të luftojë me Zaevin në “njësinë e katërt”.

    Në ato zgjedhje, të cilat u zhvilluan menjëherë pas krizës politike të shkaktuar nga afera e përgjimeve dhe “revolucioni laraman”, listën e deputetëve të LSDM-së në njësinë e parë zgjedhore e udhëhoqi kryetari aktual Stevo Pendarovski, ndërsa listën VMRO-DPMNE-së e udhëheqi shefi i atëhershëm i diplomacisë Nikolla Poposki, i cili në ndërkohë u tërhoq nga politika aktive.

    Në këtë mënyrë u krijua një praktikë që liderët e partive të distancohen nga njësia e parë zgjedhore e përqendruar në pjesët urbane të Shkupit, për këtë arsye konsiderohet mjedisi nga ku fillojnë ndryshimet dhe lakmusi që përcakton disponimin e vendit në tërësi. Prandaj, drejtuesit e partive u përpoqën ta fitonin këtë elektorat me kuadro jopartiake apo zgjidhje jotipike partiake.

    Edhe analistët shprehen se do të ishte mirë të gjithë liderët të matin forcat në njësinë e parë zgjedhore ku mund të fitojnë shumë, por në të njëjtën kohë edhe të humbin shumë.

    “Opsioni më real është që liderët e partive t’i matin forcat në njësinë e parë zgjedhore ku pjesën më të madhe të kohës e koncentrojnë aty. Vetëm aty mund ta fitojnë legjitimitetin e duhur nga populli. Përveç Mickoskit dhe Kovaçevskit, lideri i të Majtës, Apasiev paralajmëroi që do të kandidon në atë njësi zgjedhore. Kështu për herë të parë mund ti shohim liderët si kundërshtar në një njësi zgjedhore nga e cila mund të fitojnë shumë, por në të njëjtën kohë mund të humbin shumë”, ka deklaruar për Koha, Dimitar Hristov, politolog.

    Nga ana tjetër, analisti politik Ivo Rangelloviq, thotë se njësia e parë ka treguar joformalisht masën kritike në nivel shtetëror për dekadat e kaluara. “Sipas definicionit, një masë e tillë duhet të sfidojë, domethënë të jetë kritike ndaj çdo qeverie, nëse ajo bazohet në lirinë e mendimit. Prandaj ka pasur shmangie e liderëve partiakë për t’u përballur me njëri-tjetrin në një mjedis të tillë. Sot ajo masë nuk është gjë tjetër veçse një turmë njerëzish, përmes së cilës mund të servohen programe partiake-politike dhe të përballen liderët me profilet e sotme. Personalisht, mendoj se në zgjedhjet e ardhshme, lakmusi në “njësinë e parë” i referohet elektoratit dhe mënyrës sesi do të ngrihet ai, se cila parti apo lider do të korr fitore”, thotë Ivo Rangelloviq, analist.

    Ndryshe, në zgjedhjet e vitit 2020, listën e Shkupit të LSDM-së e udhëhoqi Nikolla Dimitrov së bashku me Milla Carovskën, ndërsa atë të VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska. Zaevi në këto zgjedhje u paraqit sërish në njësinë e katërt zgjedhore dhe Mickoski nuk hyri fare në garën zgjedhore duke u promovuar vetëm si kandidat për kryeministër. Ndërkohë, ai deklaroi se kishte gabuar atëherë dhe bëri të ditur se do të marrë pjesë drejtpërdrejt në zgjedhje.

    Për dallim prej tij, Kovaçevski si lider i LSDM-së dhe kryeministër nuk ka marrë pjesë në asnjë zgjedhje, nëse përjashtohen zgjedhjet e parakohshme për kryetar komune në Mavrovë-Rostushë dhe Qendër-Zupë dhe për zgjedhjen e Këshillit në Komunën e Tetovës. Prandaj, në maj të këtij viti për herë të parë do të udhëheqë LSDM-në në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, ndërsa tashmë ka paralajmëruar se do ta udhëheqë listën deputeteëve në njësinë e parë zgjedhore.

    Përveç Kovaçevskit dhe Mickoskit, në njësinë e parë zgjedhore do të merr pjesë edhe lideri i të Majtës, Dimitar Apasiev, i cili e fitoi mandatin deputet pikërisht si bartës në njësinë e parë zgjedhore. Personi i parë i GROM-it, Stevço Jakimovski, nga ana tjetër, me gjasë do të kandidojë për president. Sipas asaj që shkruajnë mediat maqedonase, nëse GROM paraqitet së bashku me kryetaren e Shkupit, Danela Arsovska, ajo mund të udhëheqë një listë të përbashkët në “njësinë e parë “.

    Sa i përket njësive të tjera zgjedhore, në qarkun e dytë Shkup-Kumanovë, VMRO-DPMNE pothuajse me siguri do të paraqiten sërish me nënkryetarin e partisë Vllado Misajlovski. Në zgjedhjet e fundit ai arriti rezultat solid ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili udhëhoqi listën e LSDM-së. Pas ndryshimeve brendapartiake, Spasovski nuk është më pjesë e udhëheqësisë të lartë të LSDM-së, por emri i tij u përmend si kandidat i mundshëm për president, por siç flitet në koluaret partiake është pothuajse e sigurt se një garë e re presidenciale mes Pendarovskit dhe Siljanovskës është e sigurt. Jozyrtarisht, Spasovski nuk do të marrë pjesë drejtpërdrejt as në zgjedhjet parlamentare, ndërsa kandidati kryesor për bartës të listës parlamentare në “njësinë e dytë” është nënkryetari i partisë Fatmir Bytyqi.

    Në zgjedhjet e fundit, listën e deputetëve të LSDM-së në njësinë e tretë zgjedhore e udhëhoqi ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski, i cili ishte një nga të paktët zyrtarë kryesorë nga udhëheqësia e mëparshme e Zaevit që mbeti të bashkëpunonte me Kovaçevskin. Në Bihaçka vlerësohet për rezultate të shkëlqyera si ministër, prandaj LSDM qëndron shumë mirë në “njësinë e tretë” në sondazhe, ku ka shumë fermerë, ndërsa në të kaluarën konsiderohej bastion i VMRO-DPMNE-së. Megjithatë, disa informacione thonë se Nikollovski planifikonte të tërhiqej nga politika. Nëse vendos të vazhdojë të jetë aktiv në skenën politike, atëherë mund të kryesojë sërish listën e deputetëve në “njësinë e tretë”. Nëse vendos të largohet, atëherë si kandidate potenciale përmendet ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençevska, e cila është në garë edhe për kandidat në njësinë e katërt zgjedhore së bashku me kryetarin e komunës së Vallandovës, Pero Kostadinov.

    Kur është fjala për njësinë e katërt, listës së deputetëve të VMRO-DPMNE-së duket se do ta prijë sërish nënkryetari i partisë Aleksandar Nikolloski, i cili në zgjedhjet e fundit ishte përball kryeministrit të atëhershëm Zaev. VMRO-DPMNE ka problem më të madh në “njësinë e tretë”, ku në zgjedhjet e fundit ka marrë pjesë me Igor Janushev, i cili nuk ka arritur rezultatin e pritur, pas së cilës ka dhënë dorëheqje nga pozita e sekretarit të përgjithshëm të VMRO-DPMNE-së. Në ndërkohë, VMRO-DPMNE fitoi kryetar komunash në dy komunat që konsiderohen si bazë e njësisë së tretë zgjedhore – Veles dhe Shtip. Mbetet për t’u parë nëse njëri prej këtyre kryetarëve – Ivan Jordanov dhe Marko Kolev do të kryesojë listën parlamentare të VMRO-DPMNE-së apo do të jetë shefi i grupit parlamentar Nikolla Micevski (Shtip). Në garë janë edhe deputetët Dragan Kovaçki (Delçevë) dhe Mile Lefkov (Koçani).

    Në njësinë e gjashtë, nga ana tjetër, VMRO-DPMNE kandidoi në zgjedhjet e fundit me Dafina Stojanovskën, e cila po ashtu është jashtëzakonisht aktive në këtë periudhë dhe mbetet në garë. Mirëpo, jozyrtarisht përmendet mundësia që listën parlamentare ta kryesojë nënkryetarja Gordana Dimitrieska Koçoska, e cila ka qenë bashkëpunëtore e ngushtë me Mickoskin që nga koha kur ai ishte drejtor i ELEM, kështu që është pothuajse e sigurt se asaj do t’i besohet kryesimi i listës së deputetëve.

    Kur është fjala për LSDM-në, përbërja dhe struktura e listave të deputetëve në njësinë e pestë dhe të gjashtë, do të varet nëse partia do të marrë pjesë në koalicion parazgjedhor me BDI-në dhe ASH-në. Nëse të tre partitë shkojnë bashkë, atëherë “gjashta” i rezervohet liderit të BDI-së Ali Ahmeti, ndërsa “pesëshja” do t’i takojë Aleancës, që supozohet se do të udhëhiqet nga ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, person i afërt i ish-kryetari i partisë dhe kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela. Po ashtu, supozohet se Lidhja Evropiane për Ndryshim, në njësinë e gjashtë zgjedhore do të udhëhiqet nga një kandidat i propozuar nga Lëvizja BESA, ndërkaq fjalën kryesore për njësinë e parë dhe të dytë do ta kenë Izet Mexhiti dhe Afrim Gashi. Pika e dobët për këtë koalicion janë njësia e dytë dhe e pestë zgjedhore.

    Lajmi Paraprak

    Një vit i vështirë për arsimin në RMV!

    Lajmi i rradhës

    Politikanët në RMV pritet të marrin paga më të larta në vitin 2024

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë