Lideri mbi të gjithë!

    Kemi bërë më shumë se tri dekada demokraci pluraliste, por partitë politike vazhdojnë të mbesin të fokusuara te lideri. Në një shtet demokratik partitë politike duhet të jenë para së gjithash demokratike brenda vetes së tyre, në mënyrë që ato të mund të prodhojnë demokraci për vendin dhe për të gjithë shoqërinë gjatë ushtrimit të pushtetit politik. Mirëpo që të ndodhë kjo, partitë duhet të jenë demokratike përbrenda, të ketë balancë të fuqisë politike te anëtarët dhe zakonisht fuqia e tyre është e fokusuar te kreu i partisë. Gjithashtu te partitë politike në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht te ato shqiptare shohim një mungesë të madhe të debatit të brendshëm politik.

    Derisa kemi edhe një situatë ku pjesa dërmuese e partive politike, sidomos ato shqiptare, janë formuar si pasojë e ndarjeve nga parti më të mëdha, problemi i llojit të liderit dhe tentimit për të marrë bajrakun thellohet.

    Analisti Bardhyl Zaimi, për gazetën Koha, ka deklaruar se kulti i liderit zakonisht është një fenomen që shfaqet te shoqëritë në tranazicion, të cilat vuajnë, apo përpëliten në drejtim të identifikimit të përfaqësimit akoma të pakonsoliduar politik dhe demokratik. “Është një lloj inercie që vjen nga format paraprake të organizimit politik, që njihte kultin e pakontestueshëm të liderit, në format e një dëgjueshmërie, që përjashtonte debatin politik dhe demokratik. Pikërisht, kjo logjikë, fatkeqësisht, në forma më të buta bartet edhe në kohën e pluralizimit politik dhe demokracisë te partitë politike. Mendoj se në radhë të parë është mungesa e një tradite demokratike përgjithësisht në rajonin e Ballkanit dhe bashkë me këtë edhe te partitë shqiptare në vendin tonë”, thotë Zaimi.

    Sipas tij, janë shumë faktorë që e përcaktojnë kultin e liderit, por mbi të gjitha mbetet një korrelacion mes liderëve dhe qytetarëve, të cilët akoma nuk kanë arritur të dalin nga matrica e protagonizmave të forta politike të identifikimit dhe përfaqësimit pa debat politik dhe pa ndonjë vizion politik, që më tepër njeh besnikërinë ideologjike-partiake sesa angazhim e përbashkët dhe rreth vlerave të përbashkëta demokratike.

    “Ky fakt, e tkurrë aktivizimin politik nga jeta institucionale dhe demokratike në një hierarki të fortë që vazhdimisht e prodhon kultin e liderit. Sigurisht, që duhet të bëhet shumë më tepër që të zhbllokohet kjo logjikë dhe të tejkalohet ky fenomen që i mban të ngurta ndjeshmëritë politike dhe demokratike. Dhe kjo duhet të fillojë të debatohet në nivel teorik, por edhe në nivel partish, për t’u çliruar nga kjo mengene ideologjike, në mënyrë që të mund të vijë në shprehje një kualitet tjetër demokratik te partitë politike dhe bashkë me këtë edhe në shoqërinë përgjithësisht, sepse shoqëria gjithnjë është shumë më e gjerë sesa partitë politike”, tha në fund Zaimi.

    Nga ana tjetër, doajeni i gazetarisë Seladin Xhezairi, për gazetën Koha, ka deklaruar se kjo çështje shpërfaq mentalitetin, por edhe strukturën organizative statutare të partive politike në përgjithësi dhe që vjen në shprehje sidomos në anët tona. Ai nënvizon që edhe partitë tona politike kanë për objektiv “marrjen e pushtetit” dhe prandaj, mund të jetë kjo edhe pasojë e së kaluarës, ato rreshtohen pas prijësit.

    “Përvoja flet se te popujt, kombet, e zhvilluara, kulti i liderit nuk është aq i theksuar, që nuk mund të thuhet për ne. Mbaj mend, kur kah mesi i viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, ndodhi përçarja në Partinë e Prosperitetit Demokratik, dikush nga salla e Teatrit të Kombësive, sikurse quhej atëbotë, i tha liderit të atëhershëm të shqiptarëve se ‘po sillesh si mbret’! Nevzat Halili, që kryesonte takimin, iu përgjigj me një gjakftohtësi të akullt: ‘Nuk jam grua e ve, ju më keni zgjedhur’! Për të mos i ikur temës, ma thotë mendja se organizimi i brendshëm partiak lë shumë për të dëshiruar, në sensin e profilizimit ideologjik e politik, pse jo edhe kombëtar, për të artikuluar pastaj çështjet dhe rrugëzgjidhjen e tyre. Dhe, në këtë rrafsh, doemos që lipset respektimi i ‘rendit të shtëpisë’. Pa e tepruar, ne gjatë këtyre viteve të tranzicionit edhe nuk kemi kushedi çfarë ngritjesh të kultit të liderit. Në gjykimin tim për nga vota në këtë pozitë ka qenë Nevzat Halili, kur PPD-ja ishte një Lëvizje shqiptare në plotëkuptimin e fjalës, por që ndërkohë, u zhbë, dhe Ali Ahmeti, BDI-ja e të cilit, deri në momentin që po flasim, nuk ka pësuar asnjë disfatë në të gjitha zgjedhjet e përgjithshme”, ka deklaruar Xhezairi, gazetar.

    Ai ka shtuar se përgjegjësia morale dhe institucionale-partiake, prandaj duhet rrokur pikërisht në të gjitha levat e organizimit dhe çmimin për shkëlqim-rëniet e tyre duhet kërkuar në rezultatet e shënuara në zgjedhje dhe (mos)përmbushjen e premtimeve apo të zotimeve para elektoratit.

    “Së këndejmi mendoj se tek ne, për arsyen e sipërthënë, më shumë kemi prirje për bajraktarizëm sesa të kultivimit të kultit të liderit! Për mungesë durimi, e kemi edhe këtë tendencën për ‘pushtet’ dhe ‘fuqi’ të bajraktarëve të rinj që nuk fitohen me asgjë tjetër përpos se me – votë! Dhe, përgjegjësia e llogaridhënia duhet të jenë A-ja e të gjithave”, tha në fund Xhezairi.

    Prania e kultit të liderit në politikën ballkanike shfaq sfidat për demokracinë dhe nxit reflektim mbi nevojën për pluralizëm politik dhe pavarësi institucionale. Është koha që partitë të kthehen te qëllimet dhe programet e tyre, larguar nga personalitetet e fuqishme që ngrenë kultin e tyre për të përfituar nga besimi i qytetarëve dhe anëtarëve të partive politike.

    Lajmi Paraprak

    Pollozhani: nuk shpresoj se zgjedhjet do të jenë demokratike

    Lajmi i rradhës

    KORRIDORI 8 / Shpronësimet arrin 60 për qind

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë