Kryeparlamentari Afrim Gashi, propozon që shumica dhe opozita të ulen së bashku për miratimin e ligjit për familjarët e viktimave dhe të lënduarve në tragjedinë në Koçan, të cilin sërish e propozoi LSDM-ja. Por shumica parlamentare vlerëson se nuk ka nevojë për një ligj të tillë, me arsyetimin se pushteti po merr të gjitha veprimet e nevojshme për të ju dalë në ndihmë familjarëve. Propozimin e opozitës e cilësojnë si lojë për pikë politike.
“Tërësisht do t’i mbulojë edhe shpenzimet edhe në të ardhmen, derisa të zgjas periudha e mjekimit. Në këtë aspekt do ta ndihmojmë edhe komunën e Koçanit që në të ardhmen Qeveria do t’i dyfishojë fondet që duhet të shkojnë në drejtim të realizimit të projekteve. Shtrohet pyetja përse personat e njëjtë kur ishin ministër të Shëndetësisë dhe Punëve të Brendshme, në një kohë të caktuar kryeministër, nuk dorëzuan propozim ligj të tillë për 75 viktimat e Spitalit Modular, aksidenti në Bullgari, Llaskarcë dhe kështu me radhë”, tha Bojan Stojanoski, VMRO-DPMNE.
“Kryetari ka pas qëllimin që në këto raste tragjike të mos abuzohet me vuajtjet e njerëzve që kanë pësuar nga kjo tragjedi, të bëhemi bashkë dhe mos e politizojmë dhe mos e bëjmë për pikë politike. Të mos shfrytëzohet rasti për populizëm e të keqpërdoren këto raste, siç po bën opozita aktuale.BDI gjithashtu me pushtetin nominal, jo esencial që ka pas, nuk ka bërë asnjë investim për në Tetovë për të mbuluar vuajtjet nga tragjeditë e asaj zone”, tha Bekim Qoku, VLEN.
Nga Fronti Evropian thonë se do të ofronin mbështetje për një pako ligjore ku do të përfshiheshin të gjithë ata që kanë pësuar në tragjeditë e fundit të mëdha.
“Fronti Evropian në parim mbështet ligjin për ndihma të atyre që kanë pësuar në Koçan, por ne jemi për një pako ligjore ku do të përfshiheshin të gjithë ata që kanë pësuar në disa nga tragjeditë e fundit të mëdha, siç janë ata të spitalit modular, Besa Transit e Llaskarca”, thonë nga Fronti Evropian.
“Në ligj i përfshimë edhe familjet e tragjedive të tjera. Të mos thonë se ikim nga Tetova, Besa Transi, Llaskarca. Por VMRO-DPMNE nuk dëshiron të flet në asnjë temë, refuzon gjithçka. Përsëri i bëj thirrje VMRO-DPMNE-së, që ta miratojmë ligjin së bashku”, u shpreh Venko Filipçe, LSDM.
LSDM propozoi përsëri ligj për mbështetje dhe rehabilitim të atyre që pësuan në tragjedinë në Koçan dhe familjarët e tyre. Ky propozim ligj kësaj radhe do të jetë me procedurë të rregullt, ndërsa në tekstin e ri, siç kanë njoftuar nga kjo parti, janë përfshirë të gjitha vërejtjet e shumicës parlamentare. Propozim ligji i LSDM-së parasheh mbështetje financiare, shëndetësore, psikologjike, arsimore dhe sociale, duke përfshirë edhe shtesa prej 80 mijë eurosh për familjet e viktimave, si dhe shtesa për të lënduarit varësisht nga shkalla e lëndimit. /Alsat/