Liqeni i Ohrit ndotet nga varkat dhe motoskafët e vjetër nga BE dhe ShBA

    Qindra objekte lundruese, pjesa më e madhe e tyre me dekada të vjetra, edhe këtë verë do të lundrojnë nëpër liqenin e Ohrit. Pothuajse të gjitha ato funksionojnë me lëndë djegëse fosile. Në Regjistrin e Kapitanerisë së Ohrit, janë evidentuar më shumë se 700 edhe atë vetëm gjatë verës. Në vitet e fundit, shumë anije dhe motoskafë janë importuar nga BE dhe Amerika.

    “Për fat të keq, në Maqedoni lejohet importimi i gjitha mbeturinave nga BE dhe Amerika pa menduar askush për faktin se nuk kemi zgjidhje për ato anije të vjetra kur ato nuk do të përdoren më. Ato anije që importohen janë nga vitet ‘70 dhe ‘80. Një motoskaf prej 7 metrash i ndërtuar në vitet 70 dhe 80 konsumon deri në 70 litra karburant në orë. Dhe ato gazra duhet të shkojnë diku. Nuk ka ku tjetër përveç se në liqe”, deklaroi Hristijan Kovaçeski, Pronar i një kompanie për prodhimin e anijeve.

    Në një situatë të tillë të fluksit gjithnjë e më të madh të anijeve paraqitet problem tjetër, mungesa e vendeve për t ‘i parkuar ato. I vetmi vend për këtë, Kanali i Studençishtës, po bëhet shumë i ngushtë. Shpesh ka edhe incidente ekologjike, përkatësisht derdhjet e karburantit dhe vajrave.

    “Të gjithë ata që na premtuan nga kryetarët e komunave, do të bëjmë marinë, do ta bëjmë këtë, askush nuk bëri asgjë për Ohrin, as për marinën, as për ne këtu, që na marrin shuma të mëdha parash për parkimin në kanal. Ne ia bëjmë si dimë e si mundemi. Pas kaq shumë anijeve, është normale që të ketë derdhje jo vetëm të naftës, por shumë probleme të tjera”, u shpreh Zoran Angjelovski-varkëtarë.

    Ndërkohë, shumë vende të zhvilluara në të gjithë Evropën po heqin nga përdorimi anijet e tyre me lëndë djegëse fosile.

    “Në Holandë, regjistrimi i motorëve të rinj për përdorim në kanale tashmë është i ndaluar. Kanalet e tyre janë të papërdorshme për turizëm, për larje ose përdorimin e ujit, por ende i mbrojnë ato. Kur mundet një kanal i tillë të mbrohet, është për të ardhur keq që liqeni ynë mbetet në këtë status”, shtoi Hristijan Kovaçevski – pronar i një kompanie për prodhimin e anijeve.

    Tani për tani, Kapiteneria e Ohrit njofton vetëm se do të përgatiten rregullore të reja që rregullojnë importin e anijeve dhe motorëve, të cilat do të jenë në përputhje me normat e BE-së. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nga vijnë armët ilegale në RMV?

    Lajmi i rradhës

    Në vend që të zvogëlohet, shpërdorimi i ujit të pijshëm në Maqedoni po rritet (Infografik)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë