Në kushtet kur kapacitetet energjetike janë në gjendje të keqe dhe shteti mbetet i varur nga importi i energjisë elektrike, Liqeni i Ohrit vazhdon të përdoret për prodhimin e rrymës. Për momentin, niveli i liqenit është vetëm shtatë centimetra në lartësinë minimale prej 693.10 metra mbi nivelin e detit dhe është 693.17. Elektranat e Maqedonisë së Veriut thonë për Alsat se ata mbajnë lartësinë e Liqenit të Ohrit në një nivel mesatar në përputhje me lejen e ekonomimizimit me ujërat.
“Në vitin 2023, Liqeni i Ohrit kontribuoi me 3.65% të prodhimit të përgjithshëm vendas të energjisë elektrike të SHA EMV-së. Në vitin 2024, që nga shtatori, Liqeni i Ohrit përbënte 2.86% të prodhimit të përgjithshëm vendas të energjisë elektrike”, thonë nga SHA EMV.
Ekspertët dhe ambientalistët bëjnë thirrje prej vitesh që liqeni të mos përdoret si akumulim artificial për të përftuar energji elektrike. Ata paralajmërojnë se lëkundjet e vazhdueshme dhe luajtja me nivelin e Liqenit ndikojnë më së shumti në botën e gjallë në të.
“Kur termocentralet nuk funksionojnë, shfrytëzohet maksimalisht hidroenergji e akumuluar dhe kjo është e papranueshme, dhe ne harxhojmë në këtë kohë, dhe prandaj nuk do ta kemi në dimër kur do të kemi nevojë për më shumë energji elektrike. Ky është rezultat i menaxhimit të dobët, kemi vite që flasim për këtë”, tha Konstantin Dimitrov -Profesor Universitar.
“Prioriteti i parë është përdorimi i ujërave për ujitje, pije dhe për nevojat e ekonomisë dhe prioriteti i katërt është prodhimi i energjisë nga ujërat. Ne duhet të reagojmë në mënyrë të përshtatshme ndaj kësaj dhe të mbrojmë burimet ujore, sepse siç mund ta shihni, veçanërisht për Liqenin e Ohrit, në aspektin e turizmit, ne nuk duhet të lejojmë asnjë luhatje të burimeve ujore të Liqenit të Ohrit”, tha Vangel Fushtiq-Profesor.
“Ne nuk e kemi diskutuar ende për Liqenin e Ohrit, por me EMV do të shohim hidropotencialin dhe sa rezerva ka, mendoj se janë rreth 28%. Por keni të drejtë, do të mbahet llogari”, tha Sonja Bozhinovska, ministre e Energjetikës.
EMV siguron se ata kanë marrë parasysh lartësinë minimale të Liqenit prej 693.10, e cila siguron një minimum biologjik dhe se nën atë lartësi niveli i liqenit nuk do të bjerë.