Pas publikimit të raportit vjetor për lirinë e mediave nga ana e Reporterëve pa Kufij LSDM ka reaguar duke theksuar se me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet, mediat janë në shënjestër të trysnive. Sipas LSDM-së opozitare, ky është një tregues alarmant për rrugën e gabuar nga shkon shteti, përcjell Nistori.
“Në vend të punojnë për avancimin e standardeve, Qeveria e udhëhequr nga DPMNE kthehet në metodat e vjetra të kontrollit, trysnisë dhe frikës. Gjithmonë kur VMRO-DPMNE është në pushtet, liria e mediave ngufatet, gazetarët vendosen nën trysni, ndërsa hapësira mediatike mbyllet. Kjo tendencë sërish konfirmohet”, thonë nga LSDM.
Ndaj raportit, ka reaguar edhe BDI-ja opozitare, e cila vlerëson se i njëjti përbën tregues serioz për prirjet negative në qeverisjen demokratike dhe raportin me mendimin kritik në vend.
“Në vend që të garantojë pavarësinë institucionale, Qeveria ka zgjedhur ta thellojë klientelizmin përmes mekanizmave të rinj ndikimi, përfshirë edhe reklamimin e institucioneve publike në media private – çka risjell në vëmendje çështjen e transparencës dhe trajtimit të drejtë të sektorit mediatik”, thonë nga BDI.
Sipas raportit vjetor të Reporterëve pa Kufij në lidhje me lirinë e mediave, Maqedonia e Veriut prej vendit të 36, është radhitur në vendin e 42 nga gjithsej 180.
Reagimi i BDI-së:
Sipas BDI-së rënia e vendit për gjashtë pozita në Indeksin më të fundit për Lirinë e Medias të “Reporterëve pa Kufij” për vitin 2025 përbën një tregues serioz për prirjet negative në qeverisjen demokratike dhe raportin me mendimin kritik në vend.
Analiza e detajuar nxjerr në pah dobësi të mëdha – nga konteksti politik dhe korniza ligjore, deri te presionet ekonomike dhe siguria e gazetarëve.
Ajo që shqetëson më shumë është se raporti identifikon qartë ekzistencën e disa sistemeve mediatike paralele, të lidhura drejtpërdrejt me qendra politike dhe ekonomike të pushtetit, të cilat ndikojnë në politikën redaktuese dhe minojnë besimin e qytetarëve.
Në vend që të garantojë pavarësinë institucionale, Qeveria ka zgjedhur ta thellojë klientelizmin përmes mekanizmave të rinj ndikimi, përfshirë edhe reklamimin e institucioneve publike në media private – çka risjell në vëmendje çështjen e transparencës dhe trajtimit të drejtë të sektorit mediatik.
BDI e rikujton Qeverinë se qëndrimi ndaj mediave është pasqyrë e drejtpërdrejtë e pjekurisë së një demokracie.
Në vend të mbështetjes selektive dhe qasjeve redaktuese të përshtatshme politikisht, është e domosdoshme të mbështeten standardet profesionale, pavarësia e shërbimit publik, mbrojtja e gazetarëve dhe gatishmëria institucionale për t’iu përgjigjur raportimit kritik me llogaridhënie, e jo me presione.
BDI mbetet e palëkundur në qëndrimin se liria e medias është një shtyllë themelore e shtetit ligjor dhe do të mbështesë çdo proces që çon drejt transparencës mediatike, pluralizmit dhe profesionalizimit, në përputhje me standardet evropiane drejt të cilave synojmë. /Nistori/