Partitë e mëdha janë bashkuar për të bllokuar kandidatët e pavarur në zgjedhjet e ardhshme lokale, por ne duhet të kanalizojmë zemërimin dhe pakënaqësinë e qytetarëve ndaj partive – thotë Gorjan Jovanovski, këshilltar i pavarur në Këshillin e Qytetit të Shkupit nga iniciativa qytetare “Qytet i gjelbër dhe human”, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
“Lufta jonë vazhdon, sigurisht. Do të kandidojmë, edhe nëse duhet të mbledhim më shumë nënshkrime. Por ideja nuk është të ndalemi sepse është rritur pragu, por të shfrytëzojmë momentin dhe pakënaqësinë që partitë dukshëm e ndiejnë te qytetarët, që tashmë nuk i besojnë më asnjë strukture partiake – dhe ta kanalizojmë atë zemërim të qytetarëve për t’i mbledhur dhe për t’i mposhtur partitë në lojën e tyre”, u shpreh Gorjan Jovanovski – Qytet i Gjelbër dhe Human.
Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar nenet nga Ligji Zgjedhor me të cilët ishte ngritur pragu për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët dhe listat e pavarura. Kushti i ri për listat e pavarura për këshilltarë, kryetarë komunash dhe deputetë ishte 1% e votuesve të regjistruar. Por situata mbetet ende e pasigurt, pasi në Kuvend është paraqitur një propozim i ri me të cilin sërish tentohet rritja e pragut.
“Ne u përpoqëm të kontaktojmë drejtpërdrejt me Kuvendin përmes kryetarit Gashi, si dhe me disa institucione shtetërore dhe ndërkombëtare, për t’ua paraqitur situatën ku partitë politike po përgatiten të krijojnë një atmosferë jo të drejtë dhe jo demokratike për zgjedhjet e ardhshme – me qëllim përjashtimin e këshilltarëve të pavarur nga gara në zgjedhjet lokale, sepse në zgjedhjet e fundit lokale treguam se jemi forca e katërt më e madhe sipas numrit të votave të fituara”, shtoi Gorjan Jovanovski – Qytet i Gjelbër dhe Human.
Jovanovski thotë se gjatë mandatit të kaluar pushteti lokal nuk e ka përmirësuar aspak situatën me ndotjen e ajrit dhe se Shkupi tashmë tre vite është pa një Plan të Përgjithshëm Urbanistik. Sipas tij, po pritet ndërrimi i pushtetit lokal për ta miratuar atë. Ai paralajmëron se nëse në hartimin e këtij plani nuk përfshihen ekspertë, qytetarë dhe këshilltarë, kaosi urbanistik në Shkup do të vazhdojë. /TV21/