Lojërat e fatit, ligji në lexim të dytë me flamur të BE-së

    Edhe në leximin e dytë të ligjit për lojërat e fatit të propozuar muaj më parë nga Ministria e Financave, pushteti nuk heq dorë nga dispozitat e propozuara. Komisioni për çështje evropiane është duke shqyrtuar 19 amendamentet e dorëzuara, pjesë ma e madhe e të cilëve janë të opozitës. Debati mund të zgjasë tre ditë, pasi për të shmangur bllokimin, pushteti e ka dorëzuar me flamur të BE-së.

    Mes tjerash, opozita kërkonte të mos përfshihet neni që parashikon që Ministria e Financave të mund të bëjë vlerësim të reputacionit për kompaninë që kërkon licencë për lojërat e fatit. Gjithashtu nga VMRO-DPMNE-ja thonë se propozimi që parashikon distancimin e bastoreve dhe kazinove nga shkollat është kamuflazh për të legalizuar veprimtaritë e jashtëligjshme të lojërave të fatit që ata i lidhin drejtpërdrejt me dyshimet për përfshirjen e zv.kryeministrit të parë Artan Grubi dhe personave të afërt të tij.

    “Përse i gënjeni qytetarët se do t’i distanconi bastoret kur do t’u mundësoni nxënësve që ta fusin nëpër shkolla përmes mundësisë për të luajtur online? Përse nuk u tregoni qytetarëve se nuk do të ketë vetëm bast online për ndeshje futbolli por edhe të gjithë garat e lotarisë që i rregullon tani Lotaria shtetërore do t’i liberalizoni në treg? Përse nuk u tregoni qytetarëve se kush janë ata kompani që i kanë marrë këta licenca dhe kush janë në bordet drejtuese dhe mbikëqyrëse? Përse nuk dilni të bisedoni me këto Asociacione që i kanë propozuar këto amendamente? A nuk duhet ky ligj të sillet me debat dhe inkluzivitet në shoqëri?”, tha Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.

    Nga BDI-ja thonë se nëse VMRO-DPMNE-ja do të ishte e sinqertë për rregullimin e lojërave të fatit, dy propozimet paraprake të bllokuara në Komisionin për Financa të drejtuar nga Bojan Stojanovski i VMRO-DPMNE-së, nuk do të ishin bllokuar.

    “Këto amendamente ua kanë përgatitur kazinotë, Asociacioni i kazinove dhe bastoreve. Tani kam pyetje për ju, cilin interes ju po e mbroni, interesin e përgjithshëm të qytetarëve që i rrjepën, i rrjepën kazinotë, apo interesin e atyre të cilët po i rrjepin qytetarët? Që kjo që po e them është kështu mjafton ta shikojmë amendamentin të cilin ju e keni dorëzuar, VMRO-DPMNE-ja, ku thoni nga 500 metra distanca nga shkollat të zvogëlohet në 250 metra. Paramendojeni!”, u shpreh Arbër Ademi, BDI.

    Pushteti vlerëson se ligji mbron të rinjtë dhe rregullon aspektin e marrjes së licencave për kompanitë që mundësojnë lojërat e fatit.

    Deri sa deputetët brenda Kuvendit debatonin, jashtë organizatat për lojërat e fatit organizuan një protestë tjetër. Sipas tyre, ligji rrezikon të lë pa punë dhjetëra mijëra të punësuar dhe të dëmtojë buxhetin e shtetit me 280 milion euro të ardhura vjetore. Paralajmërojnë protesta masive dhe procedura juridike.

    “Do të ndjekim beteja juridike. Do të dorëzojmë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese, do të ketë padi për dëmshpërblime astronomike të cilat do të paguhen në kurrizin e qytetarëve. Pa të ardhura ekzistenciale do të mbesin 10 mijë të punësuar. 54 deri më 100 mijë vende të tjera punë që mbështeten përmes lojërave ligjore të fatit, do të pësojnë sulm serioz ekonomik”, tha Goran Stoilemov, përfaqësues i Asociacionit për rregullimin e lojërave të fatit (APIS).

    “Këto njerëz pas meje dhe familjet e tyre varen drejtpërdrejt nga miratimi i këtij ligji. Këtyre njerëzve vetëm për shkak të interesit personal ose interesit të individëve të caktuar të pushtetit, u rrezikohet ekzistenca”, deklaroi Vasko Ilijevski, kryetar i Asociacionit të bastoreve sportive (ASOM) . /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Dokumentet personale”, rrëmuja dhe pritjet e gjata vazhdojnë edhe sot

    Lajmi i rradhës

    ”Poliklinika e Sarajit e shkatërruar ende pa u hapur”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë