Lufta në Ukrainë – Lukashenka nuk i thotë dot “jo” Putinit

    Kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, forcat që ia kanë mësyrë Kievit, janë nisur nga Bjellorusia. Shteti i Evropës lindore është bërë trampolinë për agresion, por nuk është përfshirë direkt në luftë. Udhëheqësi i tij diktatorial, Aleksandr Lukashenka, ka thënë në disa raste se është kundër luftës, por nuk e ka fshehur mbështetjen për homologun rus, Vladimir Putin.

    “Vetëm një vend – Bjellorusia – është haptazi në anën ruse. Rreth 50 vende janë bashkuar në anën tjetër. Ato e ndihmojnë Ukrainën të bëjë luftë, jo vetëm me armatim, por me trupa, me mercenarë”, ka thënë Lukashenka.

    Bjellorusia, po ashtu, e ndihmon Rusinë me mbështetje logjistike, me linja furnizimi, me kujdes mjekësor për ushtarët, si dhe me ofrimin e aerodromeve për nisjen e sulmeve ajrore në Ukrainë.

    Por, pas tetë muajsh luftë, forcat ruse atje janë kryesisht të bllokuara ose në tërheqje, dhe Putin duket se po kërkon mbështetje edhe më të madhe nga Lukashenka.

    Pas një takimi që dy liderët kanë zhvilluar javën e dytë të tetorit, Lukashenka ka thënë se Rusia dhe Bjellorusia kanë nisur të krijojnë një “formacion të përbashkët ushtarak”, që do të vendoset pranë kufirit të Bjellorusisë me Ukrainën. Për ta justifikuar këtë veprim, Lukashenka ka thënë se Ukraina dhe aleatët e saj në Perëndim po planifikojnë sulme kundër Bjellorusisë.

    “Udhëheqja ushtarake dhe politike e NATO-s dhe disa vende evropiane janë duke shqyrtuar hapur opsionet e një agresioni të mundshëm kundër vendit tonë, përfshirë nisjen e një sulmi bërthamor”, ka thënë Lukashenka.

    Ai nuk ka ofruar asnjë provë që do t’i mbështeste këto pretendime. Ministria e tij e Mbrojtjes, në anën tjetër, ka thënë këtë javë se Bjellorusia do të mirëpresë 9.000 trupa ruse dhe 170 tanke.

    “Njësitë ushtarake të formacionit do të vendosen në katër terrene stërvitore të Forcave të Armatosura Bjelloruse, në pjesët lindore dhe qendrore të vendit. Më pas do të nisin aktivitetet stërvitore luftarake”, ka thënë Valery Revenko, nga MPB e Bjellorusisë.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka ngritur alarmin te grupi i vendeve më të industrializuara, G7, duke propozuar dërgimin e paqeruajtësve të OKB-së në kufirin Ukrainë-Bjellorusi, për të parandaluar Lukashenkën nga, siç ka thënë, “nisja e provokimeve”.

    “Ukraina nuk ka planifikuar dhe nuk planifikon veprime ushtarake kundër Bjellorusisë. Ne jemi të interesuar vetëm për rikthimin e integritetit tonë territorial”, ka thënë Zelensky.

    Pavarësisht shenjave paralajmëruese, ka dyshime se Lukashenka do ta nisë ushtrinë në luftë. Pavel Slunkin, ish-diplomat bjellorus, tani në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se përfshirja direkte në luftë, do të ishte e rrezikshme për regjimin në Minsk.

    “Sipas [institutit britanik] Chatham House, vetëm 3 për qind e bjellorusëve duan që ushtria e tyre të luftojë për Rusinë në Ukrainë. Vetëm 3 për qind. Pra, shumica janë rreptësisht kundër luftës. Nëse Lukashenka dërgon ushtrinë [në Ukrainë], një gjë e tillë mund të provokojë episodin e dytë të krizës politike, që vazhdon nga viti 2020. Ushtria ka qenë një nga instrumentet që Lukashenka ka përdorur për të shtypur protestat kundër tij. Nëse ushtarët vriten, kush do ta shpëtojë”, thotë Slunkin.

    Lukashenka – në pushtet nga viti 1994 – është përballur me protesta masive në vitin 2020. Atëbotë, ai i ka dhënë vetes mandatin e gjashtë presidencial, edhe pse vëzhguesit ndërkombëtarë kanë thënë se zgjedhjet kanë qenë të manipuluara. Për rrjedhojë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar ta njohin si udhëheqës legjitim të Bjellorusisë.

    Tatsiana Kulakevich, studiuese e çështjeve politike pranë Universitetit të Floridës së Jugut, thotë për Exposenë se ushtria e Bjellorusisë është e dobët dhe jo e përgatitur për të luftuar me Ukrainën. Kulakevich, e cila vetë është me origjinë bjelloruse, thotë se Lukashenka do të përpiqet t’i japë Putinit gjithçka, përveç ushtarë.

    “[Lukashenka] është i gatshëm të vazhdojë të manovrojë. Ai nuk ka qenë kurrë i gatshëm të veprojë, në kuptimin që ta dërgojë ushtrinë bjelloruse në Ukrainë. Nuk është në interesin e tij. Ai duhet të qëndrojë në pushtet. Nuk është lufta e tij. Dhe, praktikisht, mundësia për dërgimin e trupave në Ukrainë është e vogël. Ai do të vazhdojë ta ofrojë territorin bjellorus si pikënisje për sulmet ruse”, thotë Kulakevich.

    Lukashenka u ka mbijetuar protestave masive të vitit 2020 me ndihmën e Rusisë, dhe ai varet nga Putini si politikisht, ashtu edhe ekonomikisht.

    Slunkin, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se Lukashenka nuk do të mund ta kundërshtojë përfshirjen direkte në luftë, nëse Putini ia kërkon atë.

    “Pa Putinin, regjimi i Lukashenkës nuk do të mbijetojë. Jam i sigurt se nëse Putin do që Lukashenka të pushtojë [Ukrainën], kjo edhe do të ndodhë. Rusia ka një mori mekanizmash për ta detyruar atë të bëjë atë që Putin do”, thotë Slunkin.

    Për më tepër, Rusia dhe Bjellorusia kanë doktrinë të përbashkët ushtarake. Sipas këtij dokumenti, të nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar, veprimi ushtarak kundër njërit prej këtyre dy vendeve, do të nënkuptonte sulm kundër të dyve. Pas aneksimit të paligjshëm të disa territoreve në rajonet Donbas dhe Herson të Ukrainës, Putin mund të pretendojë se kundërofensiva e forcave ukrainase atje, është sulm kundër aleancës Rusi-Bjellorusi, thonë analistët.

    Dhe, çfarë do të ndodhte nëse Bjellorusia do t’i bashkohej luftës kundër Ukrainës? Përgjigjet Slunkin:

    “Nuk mendoj se do ta ndryshonte situatën në mënyrë strategjike. Ukraina nuk do të niste të humbiste në luftë. Kjo nuk do të ndodhte. Ushtria bjelloruse zyrtarisht ka 40.000 deri në 60.000 ushtarë. Por, ata që mund të luftojnë janë 10.000 deri në 15.000. Pra, nuk është numër vendimtar”.

    Përveç këtyre kapaciteteve që përmend Slunkin, ushtria bjelloruse ka edhe rreth 500 tanke luftarake, mbi 300 artileri vetëlëvizëse dhe mbi 70 avionë luftarakë.

    Ueb-faqja e lajmeve Meduza, me seli në Riga të Letonisë, ka raportuar se regjimi i Lukashenkës është duke bërë mobilizim të fshehtë ushtarak.

    “Faza e parë e rekrutimit, e cila do të maskohet si një ‘kontroll i aftësisë luftarake’, do të prekë vetëm bjellorusët ruralë”, ka shkruar Meduza, duke u thirrur në disa media në Minsk.

    Zyrtarët bjellorusë i kanë mohuar këto raporte dhe kanë thënë se nuk do të ketë mobilizim ushtarak.

    Bjellorusia dhe Ukraina ndajnë një kufi prej 1.000 kilometrash, i cili është kryesisht i pyllëzuar dhe jo i populluar. Bjellorusia, po ashtu, ndan kufi me tri vende anëtare të NATO-s: Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë. Përfshirja eventuale e saj në fushëbetejë do ta sillte luftën edhe më afër kufijve të aleancës ushtarake perëndimore.

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u ka bërë thirrje autoriteteve bjelloruse që të shmangin kontributin në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

    “Presidenti Putin e ka nisur këtë luftë dhe vetëm ai duhet ta përfundojë, duke i tërhequr trupat nga territori i Ukrainës. Lukashenka duhet të ndalojë çdo hap drejt hyrjes në këtë konflikt të paligjshëm”, ka thënë Stoltenberg.

    Disa banorë të fshatit Moskali të Ukrainës, i cili ndodhet vetëm 100 metra larg kufirit me Bjellorusinë, kanë shprehur frikë nga pushtimi i mundshëm bjellorus.

    “Çdo gjë është e mundur. Janë njerëz të pamoralshëm. Lukashenka nuk ka ku të shkojë. Evropa s’e pranon. Ai mund të qëndrojë vetëm me Rusinë”, ka thënë një banor i Moskalit për Radion Evropa e Lirë. “Lukashenka është sharlatan. Nuk presim asgjë mirë”, ka thënë një tjetër.

    Banorët e këtij fshati në rajonin e Çernihivit kanë qenë ndër të parët që janë përballur me ushtrinë ruse më 24 shkurt. Që nga ajo kohë, përshkallëzimi i luftës – me përfshirjen edhe të vendeve të tjera – ka qenë gjithmonë mundësi. Ka pasur edhe skenarë se Rusia mund të pushtojë edhe fqinj të tjerë rajonalë: Poloninë, vendet baltike, apo Moldavinë. NATO e ka bërë të qartë se do të mbrojë çdo inç të territorit të saj. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Kontrollet e rregullta që ia shpëtuan jetën 40-vjeçares nga Shkupi

    Lajmi i rradhës

    Pse macet i duan libraritë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë