LUHATJE PËR 50 EURO! Paga minimale, 400 apo 450 euro?

    Siç duket, kërkesa e Sindikatave për rritjen e pagës minimale në 450 euro do të mbetet vetëm në letër. Bisedimet që fillojnë këtë javë midis punëdhënësve, sindikatave dhe qeverisë pritet të qartësojnë situatën nëse do të rritet paga minimale nga 22.500 në 24 mijë denarë apo në 27 mijë denarë në mars të vitit të ardhshëm.

    Sindikata kishte kërkuar nga Qeveria që, në 100 ditët e para të rrisë pagën minimale në 450 euro, me arsyetimin se ajo është më e ulëta në rajon dhe shumë pak për të mundësuar një jetë dinjitoze për punëtorët. Sipas tyre, paga minimale duhet të jetë një pagë bazë nën të cilën nuk mund të paguhet asnjë pagë në vend. Të dhënat e Sindikatës tregojnë se gati 35 mijë punëtorë në vend punojnë me pagë minimale ose deri në pagë minimale. Nëntë mijë punëtorë marrin pagë deri në 22.576 denarë. Njëherësh, në Parlament është dorëzuar një projektligj, me të cilin LSDM opozitare propozon që paga minimale të rritet në 450 euro, gjë që realisht e kërkuan sindikatat.

    BISEDAT NISIN KËTË JAVË

    Sipas ministres së Financave, në projekt-buxhetin për vitin 2025 janë vendosur 2 miliardë denarë (32.5 milionë euro) në llogari të veçantë, si rezervë, e cila do të shërbejë për rritjen e pagës minimale, varësisht nga negociatat e Këshilli Ekonomik dhe Social, të cilat do të nisin të hënën. Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska zbuloi se të hënën do të ketë Këshill Ekonomiko-Social, gjegjësisht Qeveria, Sindikata dhe Organizata e Punëdhënësve do të ulen në tryezë për të negociuar për pagën minimale. Siç dihet, Sindikata e Sindikatave po shtyn që të jetë 450 euro (rreth 27.700 denarë). Nëse bëhet vetëm harmonizimi i rregullt i pagës minimale, sipas legjislacionit aktual, ajo do të jetë rreth 24.400 denarë sipas vlerësimeve të deritanishme informojnë nga Ministria e Financave.

    Sipas nenit 4 të Ligjit për pagën minimale, masa e pagës minimale në masë bruto për muajin mars të çdo viti përshtatet në 50 për qind të rritjes së pagës mesatare neto të paguar, për vitin paraardhës, dhe 50 për qind e rritjes së indeksit të kostos së jetesës, për vitin paraprak, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave. Punëdhënësit vlerësojnë se aktualisht kemi një “barazi” në paga, pavarësisht nga performanca e tyre individuale apo pozicioni dhe përgjegjësia për rezultatet e arritura. Ky barazim apo nivelizimi i të ardhurave në të kaluarën ka sjellë edhe humbje së motivimit, mbytjes së iniciativës….

    Nga Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë thonë se në këtë moment nuk kemi nevojë për një rritje paushall, pasi nëse merren parasysh të gjitha kriteret në raport me pagën mesatare dhe PBB-në për banor, kemi një raport shumë të madh në raport me pagën minimale që ne të kemi një barazi në pagat e disa kategorive të punonjësve në biznes dhe destimulim të punonjësve të mirë. Përderisa po pajtohemi dhe ramë dakord që të gjitha pagat në shtet të rriten.

    RRITJES E KOSTOS SË JETESËS

    Këto pohime për rritjen e pagës minimale po kundërshtohen nga sindikatat. Ato besojnë se një pagë minimale më e lartë është e nevojshme për shkak të rritjes së kostos së jetesës. Rritja e pagave për punëdhënësit nuk është e papranueshme. Përsëri frikësohen se do të ketë pakënaqësi te punëtorët e caktuar në kompani, ndaj punëdhënësit thonë se do të detyrohen të rrisin pagën, megjithëse sigurojnë se nuk ka para të mjaftueshme. Me një rritje të tillë nominale lineare, në fund të fundit, një vendim politik do të bëjë që një numër më i madh punëtorësh të marrin pagën minimale dhe paga mesatare nuk do të rritet me të njëjtën pretendim, kështu që mendojmë se kjo lloj rritje nuk është e pranueshme për punëdhënësit. Sindikatat këto kërkesa i mbështesin në faktin se as dy paga minimale nuk përmbushin shportën konsumatore, prej 1000 euro që me qiranë e banesës arrin në 1250 euro.

    Për më tepër, sindikalistët thonë se për një kohë të caktuar do të duhet të diskutohet për një pagë minimale mbi 500 euro. Sipas Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, çmimet po rriten dhe punëtorët e Maqedonisë po largohen për të punuar në vendet fqinje, kështu që shuma prej 450 eurosh për të cilën synojnë aktualisht sindikatat, së shpejti do të tejkalohet dhe do të duhet të diskutohet për një shumë më të madhe.

    Nga ana tjetër, sindikatat thonë se në Bashkimin Evropian, raporti i pagës me kapitalin që mbetet për pronarët e bizneseve është diku midis 60-70 për qind për pagat dhe 30-40 për qind për pronarët e bizneseve. Ndërsa Maqedonia është një vend në të cilin ndahen vetëm 10-15 për qind për pagat e punëtorëve. Gjithashtu, shtojnë se 250 milionë euro vidhen në vit nga buxheti i brendshëm për shkak të mospagesës së kontributeve apo të ashtuquajturës “ekonomia gri”. Deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska thekson se hapi i parë është paga minimale më e lartë, tani në 27.700 denarë, në mënyrë që në mars të vitit 2025 të flasim për pagën minimale prej gati 30.000 denarë.

    “LSDM është e gatshme ta plotësojë Ligjin për pagën minimale dhe ne do ta dorëzojmë sërish, nuk heqim dorë nga pagat më të larta për punëtorët. Qytetarët nuk janë vetëm statistika, ne flasim për jetë reale, për prindërit, për të rinjtë, për bashkëqytetarët e rritur që luftojnë çdo ditë për të siguruar një jetë dinjitoze për familjet e tyre. Pikërisht për këtë, është urgjente dhe e nevojshme rritja e pagës minimale”, tha deputetja Trençevska, ish-ministre e Punës dhe Çështjeve Sociale. Në të kaluarën, Qeveria ka mbështetur rritjen e pagës minimale me suvbencione për një kohë të caktuar. Punëdhënësit, të cilët i plotësonin kushtet e Ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për pagën minimale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, (“Gazeta Zyrtare e RMV”, nr. 41, datë 24.02.2022), kishin të drejtë në ndihmë financiare për pagesa e diferencës nga kontributet në pagën minimale neto të rritur për periudhën mars 2022 deri në dhjetor 2022.

    Punëdhënësit i sigurohej ndihmë financiare për pagesën e diferencës nga kontributet e pagës minimale të rritur neto në shumë prej 1.197 denarë. Ndihma financiare u jepej punëdhënësve për punëtorët, të cilëve paga bazë do t’u paguhej deri në nivelin e pagës bruto në shumë prej 26.422 denarë. Edhe shtatë vite më parë ndaheshin subvencione qeveritare në suport të pagës minimale. Ndryshimet parashikonin ndihmë financiare për kompanitë që në muajt janar, shkurt dhe mars 2017 u janë paguar paga nën 11.500 denarë. Ndihma financiare ishte 2000 denarë për paga deri në 10.000 denarë, 1500 denarë për paga deri në 10.500 denarë dhe 1000 denarë për paga deri në 11.000 denarë. Ndihma financiare për muajt mars 2018 deri në gusht 2018 ishte ulur me 50%.

    Ndryshe, pagat minimale në vendet e Bashkimit Evropian variojnë nga 477 euro në muaj në Bullgari deri në 2571 euro në muaj në Luksemburg. Ky vit është gjithashtu shumë i rëndësishëm për të gjithë punëtorët në vendet e Bashkimit Evropian, sepse direktiva e re e BE-së për pagat minimale duhet të hyjë në fuqi deri më 15 nëntor. Qëllimi i kësaj direktive është që paga minimale në nivel ndërkombëtar të jetë 60 për qind e pagës mesatare. Njëzet e dy nga 27 shtetet anëtare të Unionit kanë vendosur një pagë minimale kombëtare, që do të thotë se punëdhënësit në këto vende u kërkohet me ligj të mos paguajnë më pak se paga minimale kombëtare. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Vërejtje nga KE për vonesat në pagesat e bujqve në RMV

    Lajmi i rradhës

    Prerja ilegale e druve, kontrolle të shtuara në parkun kombëtar “Mali Sharr”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë