Lumi Shkumbin vazhdon të shfrytëzohet si deponi

    Lumi Shkumbin/Fotografia: Nistori

    Shtrat i Lumit Shkumbin në Tetovë vazhdon të shfrytëzohet si deponi për hedhjen e mbeturinave të ndryshme, duke filluar nga mbeturinat e amvisërive, tekstile e deri tek materialet ndërtimore. Kjo dukuri po zgjatë me vite edhe pse të paktën njëherë në vit shtrati i lumit pastrohet. Situata më rëndë paraqitet në rrjedhën e lumit në dalje të qytetit të Tetovës. Nga Komuna e Tetovës thonë se kanë në plan rregullimin e shtratit të lumit Shkumbin që përfshinë pjesën nga bulevardi “V.S Bato” e deri tek autostrada, ku edhe gjendja është më kritike.

    “Ne jemi në koordinim me inspektoratin komunal dhe është kompetencë e tyre që të mbikëqyrin dhe kontrollojnë këtë problematikë që është shumë serioze për komunën e Tetovës. Ne e kemi në plan pjesën që është prej të rruga V.S Bato e deri tek autostrada Tetovë-Gostivar dhe me realizimin e këtij projekti, ne mendojmë do të reduktojmë që një pjesë e qytetarëve të hedhin mbeturina. Me këtë rregullim të shtratit mendojmë që përfundimisht do të merr fund edhe fenonemi i hedhjes së mbeturinave në këtë pjesë të lumit Shkumbin”, thotë Memet Jonuzi, nga Sektori për Tokë Ndërtimore në komunën e Tetovës.


    Problem në vete është edhe Lumi i fshatit Poroj. Ky lum, ka prurje të mëdha të ujit në pranverë kur fillon shkrirja e borës në malin Sharr. Me vete lumi sjell edhe sasi të mëdha të dheut që shkakton përmbytje. Përvoja me vërshimet nga e kaluara është shumë e rëndë, por ende nuk është bërë asgjë për rregullimin e digave mbrojtëse në këtë lum. Premtime kanë dhënë të gjithë zyrtarët më të lartë të shtetit, me kryeministra e ministra, por në teren situata mbetet e njëjtë. Nga Komuna e Tetovës, thonë se janë në koordinim me pushtetin qendror dhe është koha që për këtë problem të kyçen më shumë faktorë, sepse nëse nuk merren masa, përmbytjet e vitit 2015 dhe 2017 mund të përsëriten.

    “Lumi i fshatit Poroj ka prurje më të mëdha dhe aty paraqitet nevoja për të intervenuar në bashkëpunim me pushtetit qendror që të realizohet projekti për vendosjen e digave mbrojtëse dhe të zgjidhet njëherë e përgjithmonë ai problem. Problemi është se në pranverë dhe vjeshtë ka sasi më të madhe të ujit dhe bashkë me dheut që sjell, rrezikon këtë fshat. Jemi në komunikim me pushtetin qendror dhe kjo kërkon një qasje serioze që të zgjidhim këtë problem. Edhe komuna e Tetovës është e interesuar që të gjendet zgjidhje që mos përsëriten situata të njëjta që kanë ndodhur edhe në vitet e mëhershme”, tha Jonuzi.


    Komuna e Tetovës çdo vit përgatit një plan për pastrimin e lumenjve ku janë të përfshirë shtrati i Lumit Shkumbin, Lumit në Reçicë të vogël dhe të madhe, si dhe shtrati i lumit në fshatin Poroj. Tashmë është hapur tender për këtë qëllim kurse pastrimi do të bëhet në muajin maj dhe qershor. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Ohri e Struga kanë mungesë të mjekëve amë

    Lajmi i rradhës

    “Putin më ka premtuar se nuk do ta vrasë Zelenskyn”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë