Maqedonia e Veriut në listën e “vendeve armike” të Rusisë

    Qeveria e Federatës Ruse miratoi të hënën një listë të shteteve dhe territoreve të huaja, që, siç tha, kryejnë veprime jomiqësore kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj.

    Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, lista përfshin: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut – që të tria vende anëtare të NATO-s.

    “Vendet dhe territoret e përmendura në listë vendosën ose iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë, pas fillimit të një operacioni special ushtarak të forcave të armatosura ruse në Ukrainë”, thuhet në deklaratën e Qeverisë ruse, të cilën e transmeton agjencia ruse e lajmeve TASS.

    Sipas këtij dekreti, raporton TASS, “qytetarët dhe kompanitë ruse, vetë shteti, rajonet dhe bashkitë e tij, që kanë detyrime valutore ndaj kreditorëve të huaj nga lista e vendeve jomiqësore, do t’i paguajnë ato në rubla [valutën ruse]”.

    Lista, mes të tjerave, përfshin edhe Shtetet e Bashkuara, shtetet e Bashkimit Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainën, Zvicrën, Islandën etj.

    Osmani: Mesazhet ruse, të pahijshme dhe kërcënim klasik

    Maqedonia e Veriut do të koordinohet me shtetet anëtare të BE-së e NATO-n, lidhur me hapat e mëtejmë, pas vendimit të Qeverisë së Federatës ruse.

    “Sigurisht, nëse kemi të dhëna për shkelje të Konventës së Vjenës, për rregullat e sjelljes, do të veprojmë në mënyrë dypalëshe, por për sa i përket mesazheve politike që do t’i dërgonim Federatës Ruse, do t’i marrim të gjitha ato vendime, së bashku në koordinim me BE-në”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

    Ministri Osmani e ka quajtur “të pahijshme” dhe “kërcënim klasik” një njoftim të Ambasadës ruse në Shkup se “me vëmendje të madhe po ndjek nivelin e paprecedent të rusofobisë në një numër vendesh të huaja në dritën e operacionit ushtarak special në Ukrainë”.

    Ambasada ruse ka paralajmëruar “se të gjitha incidentet e tilla janë regjistruar me kujdes, do të monitorohen nga afër dhe do të raportohen tek autoritetet kompetente ligjore, që fajtorët të shpallen përgjegjës sipas ligjeve në fuqi”.

    “Është një deklaratë e pahijshme. Paraqet kërcënim klasik, që nuk ka të bëjë vetëm me vendin tonë, por është shpallur në gjithë botën, para së gjithash në Evropë. Ne e interpretojmë si të tillë, si kërcënim serioz që është jashtë komunikimit normal diplomatik mes dy vendeve. Ne do të koordinohemi në Ministrinë e Jashtme dhe do të dalim me qëndrimin tonë”, ka deklaruar Osmani.

    Ai ka thënë se qëndrimi i Maqedonisë së Veriut lidhur me agresionin rus është shprehur qartë.

    “Ne e dënojmë agresionin, mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe do t’u bashkohemi të gjitha vendimeve të BE-së në dënimin e agresionit, si dhe në definimin e mëtejmë të marrëdhënieve me Federatën Ruse”, ka shtuar Osmani.

    Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

    Urdhrin e ka dhënë presidenti rus, Vladimir Putin, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet drejt lindjes.

    Ndonëse Putin e ka cilësuar pushtimin si “operacion special”, Perëndimi e ka dënuar ashpër atë dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

    Sanksioneve u janë bashkuar edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

    Masat ndëshkuese përfshijnë largimin e disa bankave ruse nga sistemi i pagesave ndërbankare, SWIFT, si dhe mbylljen e hapësirës ajrore për avionët rusë.

    Sanksionet kanë bërë që rubla ruse të zhvlerësohet në nivele rekorde. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Qeveria e Kosovës ka paraparë buxhet për mësimdhënësit me probleme shëndetësore

    Lajmi i rradhës

    DYFISH TË IZOLUAR

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë