“E Majta”: Xhaferi humb kohë, do ta korrigjojmë nismën për referendum

    “E majta” do ta korrigjojë nismën tashmë të paraqitur për referendum, por nëse edhe ai version i korrigjuar refuzohet, atëherë kërcënojnë se do ta bllokojnë plotësisht Kuvendin.

    Kreu i partisë, Dimitar Apasiev, thotë se kthimi i iniciativës së dorëzuar është humbje kohe, sepse, siç tha ai, partia e tij sërish do të dorëzojë versionin e korrigjuar, ndërsa refuzimi eventual i saj, do të paralizojë tërë Kuvendin.

    Por si do ta bëjnë këtë nuk është e qartë duke pasur parasysh faktin se në Kuvend kjo parti përfaqësohet vetëm dy deputetë dhe pa mbështetjen e VMRO-DPMNE-së tingëllon e pamundur.

    Nga “E Majta” shpresojnë të marrin përkrahje nga VMRO-DPMNE dhe bëjnë të ditur se do të përdorin të gjitha mjetet për të paralizuar Kuvendin.

    Më 7 tetor, “E Majta” dorëzoi në Kuvend nismë për nisjen e një referendumi të detyrueshëm dhe shtesë në nivel shtetëror me pyetjen: “A jeni pro vazhdimit të negociatave me BE-në duke pranuar konkluzionet e Kuvendit më 16 korriku 2022? “.

    Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, mbrëmë përmes një komunikate për media ka deklaruar se kërkesa për mbajtjen e referendumit e parashtruar nga partia politike “E Majta” nuk është përgatitur në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, dhe pyetja është shtruar në mënyrë jo të duhur dhe ka kërkuar që propozuesi të plotësojë kërkesën në afat prej 15 ditësh me dispozitat e Rregullores së Kuvendit./Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Mjekët dalin në pension, do të mbyllen disa klinika private

    Lajmi i rradhës

    Sindikatat në Maqedoni thonë se punonjësit janë të rrezikuar nga masat e Qeverisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë