Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se kanë parashtruar kallëzime penale ndaj 43 personave të cilët dyshohet se me vepra të ndryshme të mashtrimit kompjuterik, falsifikimit të dokumenteve dhe keqpërdorimit të të dhënave personale, kanë marrë pjesë në mashtrime të shumta të qytetarëve me të ashtuquajturat “kredi të shpejta”.
“Për katër nga të dyshuarit, mes tyre edhe një zyrtar nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, është nisur hetimi për veprat penale – Falsifikimi i dokumentit nga neni 378, Keqpërdorimi i të dhënave personale nga neni 149, Mashtrimi kompjuterik nga neni 251-b i Kodit Penal, ndërsa pjesa tjetër janë përfshirë në procedurë me vepra individuale të ndihmës dhe bashkëkryerjes për secilin në çdo rast individual”, thonë nga MPB.
Nga MPB thonë se dyshohet se personat në fjalë nga keqpërdorimet, kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme mbi 3 milionë denarë, ndërsa sipas Policisë, kanë vepruar që nga korriku i vitit 2022.